SHBA mesazh Ramës: Vetëm diktatorët shtypin fjalën e lirë
Kthesa e fortë e ndërkombëtarëve pas miratimit të ligjit për censurën ndaj mediave. Ambasada e SHBA mban qëndrimin më të ashpër kundër qeverisë dhe Edi Ramës që pas vitit 2013. Komisioni Europian kritika të forta për miratimin e paketës antishpifje: “Nuk mbështetet në vlerat e BE”. OSBE distancohet nga kryeministri: “Nuk e kemi mbështetur këtë ligj të qeverisë shqiptare”
Qeveria “Rama” dhe gjithë mazhoranca kanë marrë dje një goditje të fortë nga partnerët ndërkombëtarë për miratimin e paketës së ligjeve antishpifje. Ligjet e kritikuara gjerësisht nga opinioni publik, mediat në Tiranë dhe organizatat ndërkombëtare, janë cilësuar si një censurë që qeveria po vendos mbi fjalën e lirë. Pavarësisht kritikave, kryeministri i miratoi ligjet të mërkurën duke deklaruar se kishte dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve. Por dje, Daniel Koski, i ngarkuari me punë i ambasadës së SHBA në Tiranë ka mbajtur një nga fjalimet më të ashpra kundër censurës dhe shtypjes së fjalës së lirë. Diplomati amerikan mori pjesë në takimin e thirrur nga Avokati i Popullit për mbrojtjen e fjalës së lirë. Fjalimi edhe pse duket se nuk e përmend nominalisht Edi Ramën, duket se çdo frazë e ka për situatën në Shqipëri dhe për censurën e fjalës së lirë. Mesazhet e diplomatit amerikan janë të qarta në çdo pjesë të fjalimit, teksa i kujton kryeministrit dhe qeverisë se vetëm diktatorët shtypin zërat kritikë dhe fjalën e lirë. Ndërsa kujton dënimet për fjalën e lirë gjatë kohës së komunizmit, diplomati amerikan kërkon nga shoqëria shqiptarë që të mos lejojnë kurrë që të Shqipëria të kthehet në kohën e komunizmit. Duke prezantuar shembullin amerikan për lirinë e shprehjes, Daniel Koski duket se foli konkretisht për Shqipërinë teksa shtoi se shoqëria nuk pastrohet nga urrejtja duke shtypur fjalën e lirë, dhe se nëse frenohet fjala e lirë demokracia kalbet. Në kontekstin kur është bërë deklarata e zyrtarit të SHBA mesazhet marrin edhe më shumë kuptime. Qeveria “Rama” miratoi ligjin që mbyll mediat online mbi vendime të institucioneve qeveritare dhe jo gjykatave dhe ky është një alarm serioz për fjalën e lirë. Kritikat e diplomatit të SHBA janë ndër më të rëndat që i janë bërë mazhorancës në Shqipëria, që pas vitit 2013 kur erdhi në pushtet dhe ky është sinjali i parë serioz i një kthese të qëndrimit ndërkombëtarë ndaj Rilindjes. Qëndrimi i Ambasadës së SHBA në Tiranë nuk ishte i vetmi fshikullues ndaj qeverisjes së Edi Ramës. Një zëdhënës i Komisionit Europian deklaroi dje për “Zëri i Amerikës” se ligjet e miratuara nga qeveria nuk morën parasysh kritikat e Këshillit të Europës dhe BE. Ndërkohë kryetarja e zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Juta Gecko, foli konkretisht për defektet e paketës antishpifje. Zyrtarja e Këshillit të Europës deklaroi se ligjet krijojnë shqetësime për fjalën e lirë dhe nuk përfaqësojnë vlerat e Bashkimit Europian dhe KiE. E thënë ndryshe, ligjet e qeverisë “Rama” nuk kanë të bëjnë me demokracinë por janë shprehje e censurës dhe regresit të vendit. Po dje dhe Harlem Desir, shefi i zyrës së OSBE për Mediat bëri një prapaktheu lidhur me ligjet e medias në Shqipëri. Ditën që u miratua ligji, emri i tij ishte i vetmi ndërkombëtar që kishte dalë publikisht në krah të Edi Ramës pro ligjeve. Me këtë mbështetje kryeministri tentoi të bindte dhe kritiket se kishte në krah ndërkombëtarët. Dje, Harlem Desir pranoi se ligjet e miratuara në Shqipëri kanë probleme dhe se OSBE asnjëherë nuk i ka mbështetur 100% ato. Distancimi i tij nga projekti i censurës në Shqipëri është një tjetër tregues i marrëzisë që ka votuar rilindja. Ndërkohë në Europë dhe median prendimore, pas miratimit të ligjeve perceptimi për qeverisjen në Shqipëri dhe Edi Ramën ka ndryshuar. Organizatat ndërkombëtare të lirisë së medias dhe të drejtave të njeriut kanë ngritur alarmin për autokracinë që po vendoset në Shqipëri. Ndërsa gazetarë të njohuri, si Piter Tiede i gazetës “Bild” që publikoi skandalin e vjedhjes së votave Shqipëri, e pasqyrojnë Edi Ramën si “armikun e medias së lirë”. Është një epitet që u vendoset vetëm liderëve të shteteve jo demokratike dhe tregon për një situatë kritike në Shqipëri. Nëse të gjitha këto qëndrime të forta kritike ndaj qeverisë dhe kryeministri do mbaheshin nga mediat në Tiranë, normalisht që do cilësoheshin me fyerjen e zakonshme “kazan”. Por kur kritikat dhe mesazhet direkte vijnë nga SHBA, BE, KE, OSBE dhe mediat ndërkombëtare kjo tregon se qeveria “Rama” ka ikur me kohë nga normaliteti i një qeverisje demokratike dhe po kthehet në problem ndërkombëtar. Të gjitha ata që votuan në Kuvend dhe e mbështetën në media paketën antishpifje sot duhet të skuqen dhe të kërkojnë ndjesë. Me vetëdije kanë miratuar dhe mbështetur një projekt që e kthen vendin drejt censurës dhe komunizmit.
Edi Rama tani nuk po pyet për asnjëri në Shqipëri, por ka filluar të sfidojë edhe BE dhe Amerikën.
Mili Xhani