Sherri filloi, por nuk i dihet fundi
Në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste nuk kanë munguar dje replikat e ashpra mes Edi Rames dhe Ben Blushit. Pas fitores së zgjedhjeve dhe nisjes së procesit të riorganizimit të partisë, jo të gjithë janë të kënaqur me mënyrën sesi po drejtohet partia më e madhe në pushtet. Por fituesi nuk gjykohet ka një shprehje popullore. Edi Rama ka fituar ndjeshëm zgjedhjet e qershor 2013 dhe këto të 21 qershorit 2015. Nëse do ti kishte humbur do ta zbonin nga selia rozë, edhe këta që sot janë pas tij. Ndërsa deputeti Ben Blushi, një figurë e njohur e PS-së, ka ngritur në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllur disa shqetësime që kanë të bëjnë me demokracinë e brendshme në parti dhe më zhvillimet ekonomike. Debati kryesor që është shoqëruar me replika të ashpra mes Ben Blushit dhe Edi Ramës është ai për zgjedhjen e kryetarit. Prej vitit 2013, sipas statutit, mandati i kreut të PS-së ka mbaruar dhe në parti duhet të zhvilloheshin zgjedhje numrin një të socialistëve. Në rendin e ditës së Asamblesë u ra dakord për zgjedhjen e drejtuesve të PS-së në rrethe, sipas hartës së re territoriale me 61 bashki, por nuk pati një vendim për zgjedhjen e kryetaritë të selisë rozë. Kjo çështje ka bërë që Blushi të kërkojë nga Partia Socialiste respektimin e statutit.
“Partia është aset. Ti je administrator. Duhet të zgjidhesh, sepse edhe kancelarja Merkel u zgjodh në partinë e saj pavarësisht se i fitoi zgjedhjet. Vetëm pronarët e monarkët nuk zgjidhen. Ne jemi partia më unike në planet që nuk zgjedhim kryetarin", është shprehur Blushi, bënë të ditur burime brenda mbledhjes së Asamblesë së PS-së. Blushi ka kërkuar edhe reagimin e anëtarëve më të vjetër të Asamblesë si Servet Pëllumbi, duke u kujtuar se zbatimi i statutit është një detyrim dhe jo një dëshirë. Shqetësimit të shprehur nga Blushi, kryesocialisti Rama i është përgjigjur se çështja e zgjedhjes së kryetarit do të përcaktohet nga Kongresi i PS-së i cili mblidhet në muajin janar të vitit 2016. Ndërsa nuk kanë munguar nga ana e Ramës edhe akuzat direkte për Blushin. “Kur të tjerët luftonin për vota, ti luftoje kundër PS-së”, – mësohet të ketë thënë Rama. Me këtë thënie Rama duket se e ka hedhur përfundimisht poshtë miqësinë e dikurshme me Blushin, por dhe ky i fundit kishte muaj që e donte me sa duket një përplasje publike me ish-mikun e tij.
Një tjetër pikë për të cilën kanë debatuar Rama dhe Blushi ka qenë dhe ekonomia. Deputeti Blushi është shprehur se situata nuk është pozitive dhe se Asambleja duhet të diskutojë edhe për këto çështje. Por kësaj kritike Edi Rama i është përgjigjur me shprehjen drejtuar Blushit se “nuk ke haber nga ekonomia”. Në këtë pikë ka ndërhyrë dhe ish-kreu i Kuvendit, Servet Pëllumbi, i cili është rreshtuar në krah të kreut të PS-së. Sipas Pëllumbit, fakti që PS-ja fitojë zgjedhjet është një sinjal që reformat janë mbështetur nga qytetarët.
Pas debateve brenda mbledhjes me dyer të mbyllura për mediat, Blushi ka shprehur kritika për zgjedhjen e kreut të PS-së edhe jashtë sallës së mbledhjes. Ai tha se “ka skaduar afati i mandatit të kreut të PS-së. Është partia më unike në planet, që nuk lejon zgjedhje për kryetar. Këtë e unë e konsideroj një gjë arbitrare. Kryetari i PS-së mori një mandat të përhershëm, shpresoj të mos jetë i përjetshëm se s’ka mundësi”. I pyetur nëse i druhet një përjashtimi nga ana e PS-së, Blushi u shpreh se “nëse e bëjnë, atëherë e mirëpres”.
Ndërsa Blushi ka shprehur rezerva, deputetët dhe ministra të PS-së, pas mbledhjes së Asamblesë janë hedhur në sulm për të kundërshtuar tezat e tij. Deputeti Taulant Balla tha se vota e zgjedhjeve të 21 qershorit ishte dhe një votë për kryetarin e PS-së. “Mandati i kryetarit është një mandat i konfirmuar për shkak të votës popullore. Është një gënjeshtër të thuhet se nuk ka zgjedhje në PS”,- tha Balla. Ndërsa ministri Arben Ahmetaj ka kundërshtuar shqetësimet e ngritura nga Blushi për situatën ekonomike. “Reagimet e Blushit janë emocionale. Nuk është aspak e vërtetë se po ikin investitorët, që kur po qeverisim ne. Ekonomia është një nga arsyet kryesore që fituam zgjedhjet”,- tha ministri Ahmetaj.
Këto ishin maja e dukshme e ajsbergut që po turrej tash sa muaj drejt selisë së PS-së. Pjesa e padukshme mbetet ajo që Edi Rama bëri një qeveri me emra krejt të rinjë, një pjesë fare pa eksperiencë e që ishin nën hijen e tij të përditshme, dhe la jashtë qeverisjes disa emra me shumë eksperiencë në selinë e PS-së si Ben Blushi, Bashkim Fino, Pandeli Majko, Arta Dade,etj. Natyrisht që një politikan i rangut të Ben Blushit kërkon karrierën , dhe është një gjë e vlerësueshme, sepse duhet të manifestojë aftësitë e tij në qeverisje, sejcili që ka kontribute e vlera në një parti. Dhe duket se përplasja e parë këtu ka filluar mes të dyve,ndonëse Blushi shprehet se Rama po e konverton PS-në nga një forcë politike në një klan të tij partiak, duke shkatërruar vlerat e një brezi të tërë socialist. Por nga ana tjetër Edi Rama mori përsëri vota me shumicë në zgjedhjet vendore para një muaji e kjo tregon që ose shumica e socialistëve janë një copë mishi me dy sy ose Rama është lider që manifeston vlera për të cilat populli e votoi edhe me 21 qershor.
Ben Blushi ka të drejtë në parimin e zbatimit të statutit, porse kur fiton dy palë zgjedhje rrjesht, edhe statuti sikur përtypet sepse masa socialiste e ka votuar për të qeverisur jo vetëm pushtetin qendror, por edhe atë vendor. Pra sikur ka thënë se “statuti jemi ne që e votojmë!”.
Edi Rama ka një tjetër gabim mendoj; që figura të tilla erudite dhe mediatike, duhej ti përfshinte në Qeveri. Nëse shprehemi me termin populist “nuk mund ta hajë krejt tepsinë e madhe vetëm Edi Rama!”. Nuk e kam në sensin e vjedhjes apo shfrytëzimit të pushtetit, por të marrjes së bashkëpërgjegjsisë edhe me të tjerë.
Nga dje nuk ka më qetësi në selinë rozë, pasi siç duket Rama do ta përjashtojë edhe si anëtar të PS, Ben Blushin. Por nuk dihet saktësisht se çfarë efekti do të prodhojë kjo gjë në të majtën shqiptare, nëse ndodh ,ashtu siç do të ndodh !
Qamil Xhani