Sherrnajë e keqe, Polici- Prokurori

 Prej disa ditësh mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë së Shtetit ka një përplasje të fortë lidhur me përgjimet e komunikimeve telefonike. Shërbimi Informativ Shtetëror ka raportuar te Kreu i Shtetit dhe më pas në Prokurori së në zyrat e Policisë ndodhet një pajisje e teknologjisë së fundit për përgjime.

Sipas Kodit Penal përgjimet kryhen nga Prokuroria me vendim të gjykatës. Në të gjitha rastet, edhe kur Policia është pjesë e një hetimi që lidhet me përgjime, procesi duhet të zhvillohet në bashkëpunim dhe mbikëqyrjen e Prokurorisë. Në rastin konkret, bëhet fjalë për një pajisje që ndodhet vetëm në administrimin e Policisë së Shtetit. Prokuroria ka nisur verifikimet për këtë pajisje dhe rezulton ajo ka hyrë në Shqipëri pa doganë dhe nuk ka asnjë dokument shtetëror mbi qëllimet e përdorimit të saj. Për këtë qëllim dy ditët e fundit është kërkuar sekuestrimi i kësaj pajisje në zyrat e Policisë së Shtetit. Por dorëzimi i pajisjes është refuzuar nga Policia, me argumentin se aparatura është pronë e misionit italian që ndihmon policinë shqiptare “Interforce” në hetime. Sipas policisë, pajisja nuk përdoret për përgjime, por për trajnim të efektivëve të forcave të rendit shqiptare.

Të gjitha institucionet Policia e Shtetit dhe Prokuroria kanë qenë tejet të rezervuara në dhënien e informacioneve mbi këtë pajisje. Por nga ajo që ka rrjedhur në media dhe dyshimet janë se pajisja është vënë në punë për të kryer përgjime, që sipas ligjit janë të pautorizuara. Mund të jenë përgjuar politikanë, presidenti, kryetari i parlamentit dhe ambasada të huaja. Pavarësisht se një fakt i tillë nuk pranohet nga policia zhvillimet e muajve të fundit tregojnë se dyshimet janë jo krejt të pabaza. I pari që ka denoncuar përgjimet të paautorizuara është kreu i shtetit Bujar Nishani. Shtatë muaj më parë Presidenti tha se kishte fakte se është përgjuar jeta e tij private. Presidenti nuk dha detaje për përgjimin, po tha se ky akt është kryer nga persona në funksione shtetërore që janë urdhëruar politikisht. Tashmë që ka nisur hapur të flitet për një pajisje të teknologjisë së lartë që ndodhet në zyrat e Shtetit dhe jashtë kontrollit të Prokurorisë, gjërat kanë një lidhje. A është përdorur pajisja për të përgjuar kreun e shtetit dhe persona të tjerë? Përgjigjen e kësaj pyetje mund ta thotë vetëm Prokuroria dhe institucionet e tjera shtetërore. Por ka informacione jo zyrtare se mundet se po, pra të jenë përgjuar.

Por sherri i fundit Polici-Prokurori nuk i shërben zbardhjes së të vërtetës, përkundrazi e bënë dhe më të mjegullt situatën.Shton pasigurinë tek qytetarët. Përgjigja që Policia e Shtetit i ka dhënë Prokurorisë ngre pikëpyetje të tjera për seriozitetin e institucioneve tona. Edhe në rastin se pajisja përdoret nga misioni italian “Interforce”, a i bën kjo qytetarët të jenë më të qetë. Misioni italian ka detyrë të ndihmojë policinë shqiptare në hetime dhe trajnime, por jo të kryej përgjime, nëse e ka bërë diçka të tillë. Nëse ligji nuk lejon policinë të bëjë përgjime pa prokurorinë dhe gjykatën shqiptare, me çfarë të drejte një shërbim i huaj (edhe pse në këtë rast aleat) kryen përgjime për hesap të vetë, duke shmangur gjithë zinxhirin e institucioneve shqiptare.

Nga ana tjetër edhe argumenti se aparatura përdoret për trajnimin e forcave tona të rendit nuk të bind, është si një fill i thurur keq. Përse duhen trajnuar oficerët e policisë për një funksion që ligji nuk ua njeh si detyrë? Një variant tjetër që shpjegon qëndrimet e policisë lidhet me Shërbimin Informativ Shtetëror. Informacionet e fundit të publikuara nga ish-kryeministri Sali Berisha duket se kanë dalë nga zyrtar e godinës së SHISH, por mundet edhe nga policia. Në disa çështje rezulton se policisë nuk i është dërguar informacioni nga shërbimi inteligjent, ose i është dërguar pasi ka kaluar më parë në zyrën e Berishës. Për këtë qëllim Ministria e Brendshme po merr masa që të ndërtojë strukturat e saj të specializuara në përgjime. Ligji i propozuar nga ministria javën e fundit synon që Policia e Shtetit të ketë të drejtën e përgjimeve duke shmangur dhe mosmarrëveshjet me SHISH.  Në të vertetë duhet që me ligj të përgjojë edhe policia, pasi krimi është sofistikuar. Por ama me ligj.

Askush nuk vë në dyshim qëndrimin e institucioneve për të goditur krimin dhe trafiqet edhe me përgjime, por në një çështje kaq të ndjeshme opinioni duhet të ketë garanci se në zyrat e shtetit nuk abuzohet me të dhënat personale të qytetarëve. Për të gjitha këto çështje, institucionet Policia, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Përgjithshme duhet të ishin gatshme për të sqaruar çdo dyshim të ngritur. Heshtja krijon idenë se të gjitha institucionet SHISH, Prokurori dhe së fundi Policia janë futur në një garë, ku të gjithë përgjojnë  njëri tjetrin dhe përveç detyrës shtetrore përgjojnë edhe për lojë politike.

Kjo është e palejueshme.

 

SHKARKO APP