Shkërmoqja e PD
Partia Demokratike ndodhet në krizën e saj më të thellë që nga themelimi. Si asnjë herë më parë, në 27 vjet të ekzistencës së saj, më 25 qershor njohu humbjen më të thellë në zgjedhjet elektorale. Partia që dikur numëronte mbi një milion mbështetës, në zgjedhjet e fundit kapi thuajse minimumin historik të votave. Kjo rënie votash krahasohet vetëm me vitin e mbrapshtë 1997. Por nëse në ’97 rënia e PD-së justifikohej, pasi vendi ishte në luftë, humbja e sotme nuk ka asnjë justifikim politik. Për këtë arsye pjesa kryesore e deputetëve dhe strukturave drejtuese të selisë blu shohin si përgjegjësin kryesor për humbjen katastrofike kreun e PD-së, Lulzim Basha. Që me daljen e rezultateve të zgjedhjeve u krijua ideja se humbja e PD-së ishte një disfatë e pashembullt që do të trondiste gjithë opozitën. Në të vërtetë humbja nuk është vetëm e Bashës, por edhe atyre që sabotuan, edhe e Berishës që nuk doli në fushatë, ndonëse kishte kryetar PD-ja, por e kishte emëruar personalisht ai, ndaj duhej të dilte me aq fuqi fizike sa ka momentalisht. Megjithatë humbja mendohet gjerësisht se erdhi nga pazari ende i pazbardhur i mesnatës së 17 majit mes Bashës dhe Ramës.
Por tani PD-në po e dëmton mënyra sesi po menaxhohet humbja. Në vend të një analize dhe reflektimi real të partisë më të madhe në vend, këto ditë po shohim sherre, akuza, krijimin e grupeve dhe sulmeve të pashembullta brenda demokratëve. Në 5 ditë, PD-ja po konsumon të gjitha aktet e një konflikti që mund të sjellë dhe shkërmoqjen e saj duke e copëtuar partinë më të madhe në opozitë.
Problemi me analizën e humbjes në PD nisi që ditën e parë të paszgjedhjeve. U kuptua se rezultati ishte dramatik, por nuk kuptohej se cili ishte qëndrimi i Lulzim Bashës. Kryetari i PD-së gjatë ditës së zgjedhjeve dhe fushatës elektorale, për shkak të paktit me Edi Ramën, nuk bëri asnjë kritikë për procesin. Të gjithë e dinin që votat po bliheshin, por Lulzim Basha me autoritetin e liderit të opozitës nuk bëri asnjë denoncim, qoftë edhe formalisht. Nuk foli as kur deputetë të veçantë i shkuan në zyrë me prova të manipulimeve të votat. Në këtë mënyrë, Basha hoqi me vetëdije nga duart alibinë kryesore për humbjen e zgjedhjeve që është denoncuar edhe nga vetë ndërkombëtarët; blerjen e votës. Në daljen e parë dhe të vetme për mediat, më 27 qershor, Basha pranoi humbjen, por si shkaktarë të saj, veç manipulimit të zgjedhjeve fajësoi dhe një grup deputetësh që pasi i la jashtë listës së kandidatëve i cilësi si bashkëpunëtor me Partinë Socialiste. Ky ishte dhe problemi i parë i mënyrës sesi po menaxhonte humbjen Basha. Në vend të marrjes së përgjegjësisë dhe gjetjes ë fajtorëve tek kundërshtari politikë, Basha cilësoi si shkaktarë të humbjes edhe deputetët si Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Arben Imami, Ritvan Bode etj,. Sipas tij, këta deputetë kanë ndikuar te disfata e PD-së si reagim ndaj lënies jashtë listave të kandidatëve për deputet. Disi e vërtetë, por kush ia beri listën Bashës? Ai apo Berisha!?
Le të vazhdojmë më tej. Sipas një rregulli që vendosi Sali Berisha në vitin 2013, kryetari që humbet zgjedhjet jep dorëheqjen. Kritikët e Bashës që në datën 26 qershor kërkuan respektimin e këtij standardi. Por në vend të këtij vendimi, Basha bëri një lëvizje tjetër që ka shtuar sherrin në PD. Ai e deklaroi postin e kryetarit të PD-së të ngrirë nga çdo funksion ekzekutiv. Gjithashtu njoftoi hapjen e garës për kreun e PD-së dhe caktoi zgjedhjet në 22 korrik. Për kritikët e Bashës kjo procedurë nuk është garë e ndershme brenda partisë, por vetëm një hile procedurale për garantimin e mandatit të dytë të Bashës në krye të PD-së. Pas këtij qëndrimi të Lulzim Bashës në PD kanë nisur peticionet, kërkesat, letrat anonime dhe kërcënimet për largimin e Bashës nga partia dhe nga gara. Kërcënimet kanë arritur deri në thirrje për nxjerrjen e Bashës jashtë selisë së PD-së më forcë. Ndërsa dje ish-kryetarja e Kuvendit, Jozfina Topalli tha se nëse në PD nuk zhvillohet garë e ndershme dhe me kandidatë reale, demokratët do të ngrihen në revoltë kundër Lulzim Bashës.
Këtë klimë tensioni me kundërshtarë politikë, rivalë dhe armiq brenda Partisë Demokratike nuk e ka zbutur as qëndrimi i Sali Berishës. Ish-kryetari historik i PD-së ka folur për bashkim të demokratëve dhe për uljen e toneve. Por ai nuk i ka dhënë përgjigje pyetjes kryesore që shqetëson sot grupimet anti-Basha në PD; A duhet të largohet kryetari pas një humbje të tillë?
Sherri është ende në ditët e para dhe brenda PD-së janë ndarë qartë grupimet pro dhe kundër Bashës. Nëse situata vazhdon me heshtjen e Bashës dhe kërcënimet e deputetëve të tjerë përplasja dhe copëtimi i PD-së është i pashmangshëm. Kjo klimë përçarje, pas humbjes, do të jetë dhe goditja më e madhe për partinë më të madhe opozitare në vend. Pas zgjedhjeve në të gjitha partitë që humbasin bëhet analizë, por në PD që pas 25 qershorit po bëhet luftë. Dhe kjo është një luftë nga e cila nuk do të dalë më e fortë opozita, por do të përfitojë Qeveria.
Lulzim Basha ka një rrugëdalje burrnore: Të dalë publikisht dhe të denoncoje marrëveshjen e mesnatës se 17 maji dhe ta quaj atë të rrezuar. Të deklarojë se nuk e njeh më atë Pakt, për arsye se PS bleu votat dhe ia mori në tavolinë fitoren, pra pa duel elektoral.
Dhe të mos vazhdojë më dialog me Rilindjen, pa opozitën tjetër të re e të fortë, LSI. Nëse nuk e bën këtë denoncim dhe hedhje poshtë të paktit të 17 majit, Lulzim Basha duhet të mbajë mbi shpatulla krejt sulmet dhe sakatimin e kundërshtarëve të tij në PD.
Nëse e hedh publikisht poshtë paktin që solli humbjen e PD, si dhe hedh dorën e bashkëpunimit me gjithë klanet dhe fraksionet në PD, atëherë e meriton dhe një provë tjetër në krye të PD.
Ndryshe PD-ja do ndahet në copa-copa, aqsa nuk do t’i hyjë në punë asnjeriu.
Qamil Xhani