Shkodër,Ademi-Bazhdari vendoset tek kutia e fundit

 

Gara për Bashkinë e Shkodrës pritet të sjellë një nga rezultatet më interesante të këtyre zgjedhjeve,të cilat janë lokale,porse nën rrogoz dalin politike.Në bashkinë më të madhe për numër banorësh të Veriut përballen dy zonja,ish-deputetja dhe ish-prefektja e Shkodrës,Voltana Ademi për Partinë Demokratike dhe një e ish-persekutuar politike dhe menaxhere e shkëlqyer Keti Bazhdari për koalicionin e majtë. Futja në garë e dy grave duket se ishte një lëvizje e duhur politike nga dy kampet. Në zonën ku priteshin probleme dhe përplasje militantësh, imazhi i dy kandidateve simpatike dhe gjuha e moderuar e tyre bëri që fushata, të paktën deri sot, të jetë e qetë dhe larg incidenteve të rënda. Sigurisht, akuza për blerje vote dhe sulmet politike nuk kanë munguar, por e majta kërkon revansh në një zonë që nuk e ka tradhtuar asnjëherë të djathtën dhe nëse kemi parasysh fushatat e kaluara, përplasjet  mund të ishin pa fund.

E majta është investuar si rrallëherë në këtë qytet duke bërë një fushatë spektakolare. Kryeministri dhe kreu i Kuvendit, ndryshe nga qytetet e tjera kanë zgjedhur që në Shkodër të shkojnë më shumë se tre herë për fushatë. Edhe sot do të jenë në Velipojë,”shpirti dhe mushkëria” e Shkodres. Arsyeja e insistimit të dyshes Rama-Meta lidhet me thyerjen e mitit të djathtë të Shkodrës, por edhe me zbutjen e dëmit që mund të bëjë tek e majta në Shkodër përjashtimi i Tom Doshit nga Partia Socialiste. Bashkimi PS- LSI shihet si një garanci për fitoren e së majtës në Shkodër dhe kryeministri Rama ka një supërplan financiar për Bashkinë e re të Shkodrës, gjithnjë nëse e fiton.Projekti është që qindra milionë dollarë duan të hedhin në kryeqendrën e Veriut në mënyrë që të thyejnë mitin e Shkodrës që voton me symbyllur për të djathtën. Nëse shihen rezultatet e kaluara të zgjedhjeve lokale në vitin 2011 rezulton se asnjë prej kampeve kryesore nuk ka avantazh të dukshëm. Bashkia e re ka së bashku me qytetin e Shkodrës 11 njësi administrative; Bërdicë, Ana Mali, Dajç, Guri i Zi, Postribë, Pult, Rrethina, Shalë, Shoshë dhe Velipojë. Ndarja e re territoriale ka shmangur nga Shkodra komplet Malësinë e Madhe dhe ka sjellë një hartë që shtrihet nga bregdeti Adriatikut e deri në Malësinë e Thethit. Nëse u referohemi shifrave të vitit 2011, megjithë LSI-në në koalicion me PS- në, diferenca e së majtës me të djathtën është rreth 4500 vota. Konkretisht, votat e PS-së dhe të LSI-së në atë kohë me koalicionin e majtë arrijnë në rreth 24.500. Ndërsa koalicioni i djathtë pa LSI-në, me ndarjen e re territoriale rezulton të ketë rreth 30 mijë vota. Pra sipas zgjedhjeve vendore të vitit 2011, diferenca mes koalicionit të majtë dhe atij të djathtë është 4500 vota në favor të së djathtës. Ndërsa një panoramë krejt tjetër sjellin zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013. Sulmi total i kryeministrit Rama dhe kryeparlamentarit Meta është që të fitojnë Shkodrën dhe le të humbin edhe 10 Bashki në Jug.Edhe shkodranët kanë ndryshuar e janë bërë më praktikë vitet e fundit; duan investime dhe nuk “vdesin” më për politikën. E në këtë rast fitorja e Ketit dhe e së majtës do të bënte që ta hapte thesin e Qeverisë për Bashkinë e Shkodrës.

Shifrat e vitit 2011 sigurisht që nuk mund të merren të mirëqena për zgjedhjet e vitit 2015, pasi shumë gjëra kanë ndryshuar në elektorat gjatë këtyre viteve, megjithatë një pikë referimi janë. LSI-ja ka pasur sipas llogarive të 2011-ës, 5 mijë vota në Shkodër. Ndërkohë, në zgjedhjet parlamentare në vitin 2013, LSI-ja ka dyfishuar numrin e votave në Shkodër. Kjo është dhe arsyeja sepse e majta shpreson se do të mund të thyejë të djathtën në një nga bastionet e saj. Por llogaritë me votat e vitit 2011 apo vitit 2013, duket se nuk vlejnë në këto zgjedhje. Ndarja e re territoriale ka futur në listën e votuesve në Shkodër komuna të njohura si të majta dhe që mund të përmbysin lumin e votave të djathta që ka në qytet. Megjithatë, çdo llogari matematikore është e pa saktë pa marrë parasysh faktorët e tjerë. Votuesit nuk janë shifra që qëndrojnë vetëm në një parti. Ata kanë jetën e tyre që e duan më të begatë, duan me shumë investime e punësim.

Shkodra është përdorur përherë nga e djathta si një bastion për mitingje e mbushje elektorale. Ndaj ndonëse duket e lodhshme dhe më pikëpyetje të mëdha, porse surpriza e këtyre zgjedhjeve mendohet të jetë Bashkia e Shkodrës,ku rezultati do të shkojë drejt kutisë së fundit. Asgjë nuk e sigurtë për kandidaten e djathtë, ndonëse edhe kandidati i pozitës nuk mund të jetë i sigurtë.

E sigurtë mbetet që kryeministri Rama e do Shkodrën për ta bërë shembull në investime. Shkodranët do të vendosin nëse do të mbeten si këto 24 vjet apo do të jenë më pragmatistë, pra që të shikojnë edhe majtas për të marrë qindra milionë investime nga Qeveria qendrore.

Surpriza është Shkodra majtas dhe Vlora djathtas e duket se kështu mund të ndodh.

SHKARKO APP