Shkrihet edhe Gjykata e Lartë. Paralizohet gjithçka

Manovra djallëzorë është se me bllokimin e Gjykatës së Lartë nuk mund të gjykohen penalisht asnjë ministër, deputet apo zyrtarë i lartë nëse paditët apo fillon hetim penal ndaj tij ose saj

Nga dje Shqipëria nuk ka Gjykatë Kushtetuese, nuk ka as Gjykatë të Lartë dhe pritet të mos ketë as gjykata të apelit. Është alarmante gjetja e një zgjidhje politiko-parlamentare, ku edhe Vettingu të vazhdojë me spastrime, por edhe gjykatat të mos jenë bosh me gjyqtarë. Ndryshe do të përfundojmë në kolaps total të sistemit në fund të vitit.

Nga dje Gjykata e Lartë është jashtë funksionit kushtetues. Nuk merr dot asnjë vendim për dosjet që janë depozituar nga qytetarët apo institucione e kompani private. Nga 19 anëtarë që duhet të ketë gjykata superiore e sistemit të drejtësisë, në detyrë kanë mbetur vetëm 4 veta. Procesin e Vettingut e kanë kaluar vetëm kryetari Xhezair Zaganjori dhe gjyqtarët Edmond Ismailaj, Adrian Dovrani dhe Medi Bici. Vetëm dje Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) shkarkoi nga detyra gjyqtarin Artan Broci dhe konfirmoi gjyqtarin Medi Bici. Pavarësisht konfirmimit në detyrë të Medi Bicit, numri prej 4 anëtarësh në Gjykatën e Lartë është njëlloj sikur ky institucion të ishte mbyllur. Sipas ligjit për Gjykatën e Lartë, ky institucion funksionon mbi bazën e tre kolegjeve, Kolegji Penal, Kolegji Administrativ dhe Kolegji Civil. Çdo trupë gjykuese (kolegj) i kësaj gjykate duhet të ketë detyrimisht pesë anëtarë në përbërjen e saj për të marrë në shqyrtim një dosje. Vendimet mund të dalin edhe 3 me 2, por kushti mbetet se nuk mblidhet pa qenë pesë anëtarë. Në këtë mënyrë, me 4 juristët e mbetur në detyrë nuk mund të jepet më asnjë vendim dhe praktikisht dje KPK-ja firmosi shkrirjen e këtij institucioni. Para nisjes së procesit të Vettingut në këtë gjykatë kishte mangësi në numrin e anëtarëve, pasi mungonin 10. Në zyrat e punës së juristëve numërohet një shifër kolosale dosjesh që presin gjykimin. Llogariten rreth 26 mijë dosje që duhet të merren në shqyrtim. Me shkarkimet e gjyqtarëve dhe moszëvendësimin e tyre praktikisht janë qytetarët ata që vuajnë më shumë pasojat, pasi vendimet për çështjet e tyre do të duan shumë vite të merren. Bllokimi i punës në këtë gjykatë mund ta çojë shumë shpejt numrin e dosjeve që presin gjykim në 30 mijë apo më shumë.

Vetingu, pavarësisht pikëpyetjeve për mënyrë si po operon, pavarësisht akuzave të forta për integritetin e anëtarëve të komisioneve, apo vendimeve politike, sërish shihet si shpresë për pastrimin e gjyqësorit. Mes emrave të gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë shkarkuar ka nga ata që vërtetë nuk e meritonin të ishin pjesë e sistemit. Në këtë pikë komisionerët duhen lavdëruar dhe sidomos ONM. Por Vettingu dhe reforma nuk kishin në thelb vetëm shkarkimet, por bërjen e sistemit më të mirë, më të pastër dhe më efikas. Sot, një vit pasi reforma ka filluar jo vetëm nuk kemi një sistem drejtësie më të mirë, por nuk kemi më gjykata, as Gjykatë Kushtetuese dhe as Gjykatë të Lartë. Ky nuk është faji i Vettingut, natyrisht, por i politikës dhe kryesisht i mazhorancës që synon të kap sistemin e drejtësisë.

Gjyqësori shqiptar, si në vendet e tjera, funksionon në gjykatën e faktit (rretheve), gjykatat e apelit dhe Gjykatën e Lartë, si shkallën sipërore që jep vendimet finale. Me shkrirjen e kësaj gjykate, qytetarëve u është hequr një e drejtë themelore që gjendet në Kushtetutë, por edhe u janë bllokuar pafundësisht proceset gjyqësore. Është një situatë e paprecedentë dhe e pangjashme në asnjë vend tjetër demokratik. Sado që mburret qeveria se po bënë reformë dhe po largon të korruptuarit, dëmi që po u shkaktohet qytetarëve është jo vetëm moral, por edhe ligjor pasi mijëra dosje nëse shtyhen në kohë sjellin dhe kosto për palët. Kosto financiare, por edhe sherre e konfliktet sociale. Në këtë bllokim të gjykatës ka dhe një variant tjetër, edhe më negativ. Me daljen jashtë funksionit të Gjykatës së Lartë shqiptarëve u hiqet e drejta për t’u ankuar dhe në Gjykatën e Strasburgut. Sipas precedentëve të mëparshëm, shqyrtimi i çështjeve në Strasburg bëhet pasi një dosje ka kaluar gjithë fazat në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Indirekt qeveria ka bllokuar këto kohë çdo ankesë kundër saj në institucionin më të lartë të drejtësisë në Europë. Në këtë kohë me akuza dhe procese hetimore për ish-ministra dhe zyrtarë të lartë të qeverisë, shkatërrimi i Gjykatës së Lartë i lë pa gjykuar gjithë këto dosje duke shpëtuar edhe qeverinë nga telashet.

Ndaj ajo që po ndodh me Gjykatën e Lartë dhe Vettingun mund të jetë pozitive për qeverinë, por është shkatërruese për qytetarët që presin drejtësi dhe për demokracinë në vend. Qeveria mund të vazhdojë me Vettingun, por është përgjegjësi e saj dhe e Parlamentit që sot vendi nuk ka Gjykatë të Lartë. Ajo që e bën më skandaloze këtë situatë është se gjithë ngërçi mund të ishte shmangur, pasi bllokimi u paralajmërua dhe nuk ndodhi papritur. Ky është një tjetër fakt që dëshmon se kaosi është i qëllimshëm për shumë arsye dhe përfituesi kryesor është mazhoranca aktuale. Manovra djallëzorë është se me bllokimin e Gjykatës së Lartë nuk mund të gjykohen asnjë ministër, deputet apo zyrtarë i lartë nëse paditët apo fillon hetim penal ndaj tij ose saj.

Nga dje Shqipëria nuk ka Gjykatë Kushtetuese, nuk ka as Gjykatë të Lartë dhe pritet të mos ketë as gjykata të apelit. Eshtë alarmante gjetja e një zgjidhje politiko-parlamentare, ku edhe Vettingu të vazhdojë me spastrime, por edhe gjykatat të mos jenë bosh me gjyqtarë. Ndryshe do të përfundojmë në kolaps total të sistemit në fund të vitit.

A.Marku

SHKARKO APP