Shpëtim Gjika dhe “tigani” i gjykatës
Gjika, së bashku me 4 zyrtarë të tjerë të Këshillit të Rregullimit të Territorit në Vlorë, akuzohej për falsifikim dokumentesh dhe ndërhyrje për dhënien e lejeve të ndërtimit. Po dje, gjykata ka hequr dhe masën e sekuestros për dy pallate në qytetin e Vlorës, për të cilët dyshohej se leja ishte falsifikuar si dhe firmosur në kundërshtim me ligjin. Ndaj pesë të akuzuarve, Prokuroria kërkoi dënime që varionin nga dy deri në katër vjet burg. Konkretisht, Prokuroria kërkoi për Shpëtim Gjikën 4 vjet burg, Eleni Dardhajn 3 vjet burg, Gentian Sherifajn 2 vjet burg, Blerdi Liçajn 2.5 vjet burg. Për Gëzim Fetën u pushua gjykimi, pasi i akuzuari ndërroi jetë pak muaj më parë. Gjykata e Tiranës vlerësoi se nuk ekzistonte asnjë shkelje që mund të çonte në dënimin e Gjikës dhe zyrtarëve të tjerë të Bashkisë së Vlorës. Përfaqësues të organit të akuzës deklaruan se do ta ndjekin procesin në shkallët e tjera të gjyqësorit, por që nga dje Gjika konsiderohet i pafajshëm. Pafajësia ka dhe një tjetër simbolikë për kryebashkiakun e Qytetit të Flamurit. Nesër, bashkë më Pavarësinë, Gjika do të festojë dhe pafajësinë, duke qenë pjesë e ceremonive të festimeve të 102-vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar në Vlorë.
Gjyqtarëve dhe politikanëve u pëlqen të përmendin gjithmonë një shprehje kur flitet për vendime të gjykatave: kur flet drejtësia, të tjerët heshtin. Edhe në rastin e Gjikës mund të thuhet kështu. Por teksa bëhet një bilanc i gjithë procesit, akuzave të ngritura, bujës mediatike dhe qëndrimeve të institucioneve ndaj rastit Gjika, nuk arrin të kuptosh se cili ishte qëllimi i gjithë këtij procesi maratonë gjyqësor. Kur dihej se si do të ishte fundi, pse u harxhuan gjithë ato orë seanca, paga gjyqtarësh, ekspertë dhe para nga buxheti i shtetit për të verifikuar gjithë dokumentacionet, kur dihej se ishin në rregull sipas drejtësisë. Procesi i tij nisi në Vlorë dhe ishte ndër zyrtarët e parë të lartë që u padit pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste. Çudia lidhej me faktin se nuk po çoheshin para bankës së akuzës zyrtarët e qeverisjes së kaluar, pra të së djathtës, por u zgjodh një kryetar bashkie i votuar tre herë nga e majta. Padia ndaj Gjikës la gojëhapur pjesën më të madhe të socialistëve, pasi dihej se ishte një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit Edi Rama gjatë viteve të vështira të opozitës socialiste. Shpjegimi i vetëm që jepej ishte për një luftë klanesh lokale brenda Partisë Socialiste në qytetin e Vlorës dhe fuqizimin e kundështarëve të Gjikës pas zgjedhjes së deputetëve të rinj të këtij Qarku. Gjika akuzohej për falsifikim të dokumenteve për ndërtimin e dy pallateve. Nëse sheh ndërtimet në vijën bregdetare nga Shkodra në Sarandë, nuk e kupton se përse drejtuesit e tjerë të bashkive u kanë shpëtuar akuzave të ngjashme. Me apo pa dokumente të falsifikuara, një pjesë e madhe e ndërtimeve në bregdet duken hapur se janë ndërtuar në shkelje të hapur apo duke abuzuar me hapësirat e ligjit. Megjithatë, Gjika është ai që u padit para një viti, duke krijuar idenë se mazharonca e re nuk kursen as të vetët kur bie fjala te shkelja e ligjit. Tashmë që fitoi pafajësinë, qytetarëve u është krijuar bindja se drejtësia nuk vlen njëlloj për të gjithë. Në Vlorë, dje përdorej shprehja: “Peshku i madh e çan rrjetën”. Gjithsesi, procesi ndaj Shpëtim Gjikës nuk duhet paragjykuar. Për dy leje ndërtimi është pak të dënohesh, kur drejtues të tjerë lokalë kanë lejuar falsifikimin e dokumenteve për rezidenca dhe për mijëra prona të tjetërsuara. Këta të fundit as ka pasur guximin t’i padisë njeri.
Rasti Gjika nuk mund të merret i shkëputur nga proceset e tjera që kanë ndodhur gjatë këtij viti. Institucionet e drejtësisë kanë ndjekur një teori kompensimi edhe kur flitet për abuzimet. Rregullisht, është paditur një “i majtë” dhe një i “djathtë”. Lirimi i të akuzuarit nga njëri kamp ka sjellë më pas dhe pafajësinë e të akuzuarit nga kampi tjetër. Dosja e Shpëtim Gjikës u bë publike në të njëjtën kohë kur nisën hetimet për ish-ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami; kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Xhela Mziu. Ishin ditët kur ministrat e rinj të kabinetit “Rama” deklaronin në media se kishin gjetur abuzime marramendëse në institucionet që kishin marrë në dorëzim. Më vonë, do të zbulohej dhe skandali në Bankën e Shqipërisë e akuzat ndaj Guvernatorit Ardian Fullani. Ndërkohë, akuzat nuk kanë munguar për ish-ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë së kaluar. Bilanci i gjithë akuzave dhe proceseve të paralajmëruara sot është zero. Veç disa nëpunësve dhe drejtorëve pa mbështetje politike, për të tjerët jo vetëm s’ka pasur dënime, por as akuza. Ndaj dhe “shpëtimi” i Shpëtim Gjikës nga gjykata, nuk çudit më askënd.
Por kur drejtësia vendos, të tjerët duhet të përulen. Ndërsa Prokuroria stërmundohet, edhe me pak fonde që i ka dhënë shteti dhe pasi kap “peshq” e i çon në “tiganin” e gjykatës, kjo e fundit ha peshkun dhe i kthen “tiganin” prokurorisë bosh!