Shqipëria rrezikohet nga terrorizmi fetar

Toleranca fetare në Shqipëri është një nga vlerat e gjithëpranuara nga shoqëria jonë. Megjithatë vendi ynë nuk është i imunizuar nga rreziku i terrorizmit dhe radikalizmi fetar. Në këtë përfundim ka arritur një studim i prezantuar dje nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDN), i mbështetur nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Sondazhet e kryera në studim rendisin një sërë elementësh që ndikojnë në shoqërinë tonë për të nxitur ekstremizmin fetar. Gjendja ekonomike, sipas studimit, e bën më të lehtë manipulimin e njerëzve me propagandën radikale. Një tjetër arsye që cilësohet si faktor kryesor në radikalizmin dhe më pas, ekstremizmin terrorist është edhe kultura e klerikëve. Shumica e njerëzve të pyetur në studim, rreth 52%, vlerësojnë se shkaqet e ekstremizmit fetar vijnë nga paaftësia, ose mosarsimimi i duhur i klerikëve në xhami dhe kisha. Studimi i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, thekson se për shkak të marrëdhënies së përditshme të klerikëve me komunitetin e besimtarëve është kritike që ata të jenë të papërgatitur për të kundërshtuar argumentet radikale fetare. Gjithashtu, vihet në dukje se personat më të prirur ndaj dhunës janë ata të moshës 18 deri në 30 vjeç. Po sipas studimit, situata sociale dhe ekonomike, papunësia dhe mungesa e bashkëpunimit mes institucioneve fetare dhe atyre shtetërore për të parandaluar ekstremizmin janë arsyet kryesore që nxisin elementë radikalë. Po ashtu, vihet në dukje se institucionet, mediat dhe shoqëria civile nuk arrijnë të ndikojnë sa duhet në shmangien e ekstremizmit të dhunshëm.

Studimi është treguar i kujdeshëm në termat e përdorur duke mos dashur të bëjë dallime mes besimeve fetare dhe duke përgjithësuar raportin. Por krahas këtyre të dhënave që japin një pasqyrë të përgjithshme mbi atë çka ndodh në Shqipëri janë dhe të dhënat e tjera nga institucionet ndërkombëtare lidhur me përfshirjen e shqiptarëve në luftime në Irak dhe Siri, në krah të organizatave terroriste të të ashtuquajturit “Shteti Islamik”. Sipas raporteve ndërkombëtare nga Shqipëria dhe Kosova janë rreth 140 persona që luftojnë në grupet terroriste. Një pjesë e tyre kanë marrë dhe familjet në Siri, çka e bën edhe më të madh numrin e luftëtarëve në radhët e terroristëve. Nga Kosova dhe Shqipëria brenda 3 viteve të fundit raportohet për rreth 40 shqiptarë të vrarë në zonën e luftimeve. Institucionet shqiptare kanë marrë masa për të ndalur rekrutimin e të rinjve të tjerë shqiptarë për të shkuar në këto zona, por rasti i fundit ku në Itali u arrestua një familje shqiptare që ishte gati të shkonte në Siri, e bën edhe më alarmant fenomenin. Situata paraqitet më shqetësuese në Kosovë, ku numri i luftëtarëve është më i madh sesa në Shqipëri. Vetëm gjatë ditëve të fundit mediat kanë raportuar për rrezik real për sulme. Ndërsa asaj çka i druhen autoritetet shqiptare është kthimi në atdhe i atyre që aktualisht janë në zonat e luftimit. Të indroktrinuar me teori ekstreme terroriste shqiptarët që janë sot në zonat e luftimit mund të jenë nesër një rrezik potencial për Shqipërinë.

Të gjithë këtyre elementëve u shtohen edhe gjetjet e studimit të djeshëm të një organizate të pavarur. Sipas të dhënave, rreziku është real jo vetëm për shkak të ndikimeve nga jashtë, por edhe për shkak të zhvillimeve në Shqipëri. Institucionet shtetërore, ato fetare dhe shoqëria civile duket se kanë mbetur vetëm tek roli i policisë dhe shërbimeve inteligjente për ndalimin e ekstremistëve që marrin pjesë në luftime. Por para se një 18-vjeçar të marrë rrugën në Siri, duket se truri i tij “shpëlahet” me ideologji ekstremiste fetare këtu në Shqipëri. Indoktrinimi ndodh në objektet fetare, në forumet dhe rrjetet sociale ku imamët duket se nuk predikojnë fjalët e Perëndisë, por urrejtje dhe përçarje. Nëse nuk ndërhyhet në kohë, situata rrezikon të përkeqësohet.

Paralel me këtë studim të paraqitur dje organet e policisë së shtetit dhe sherbimet intelegjente po punojnë në mënyrë shumë të fshehtë pasi kanë rekrutuar e po vazhdojnë përsëri rekrutimin në rradhët e këtij kontigjenti ekstremistësh përsona që janë agjentë të policisë. Mënyrat e komunikimit mes agjentëve në fjalë dhe policisë e sherbimeve sekrete kryhen në përfeksion, sa deri tani gjithë hetimet dhe arrestimet e bëra nuk janë pikasur se cili ose cila i ka raportuar në polici. Përveç shtetit  ka krijuar një fond sekret për pagat e tyre dhe gjithçka të mundshme që të raportojnë brenda rradhëve fetare për llogari të policisë. Mësohet se një dredhi e madhe e sherbimeve intelegjente mbetet se ndonjë përson që është agjentë i tyre e kanë autorizuar që të  jenë shumë aktivë për akte terroriste në mënyrë që kapin peshqit e vertetë ekstremistë.

Mund të thuhet se deri tani çdo zonë në Shqiperi që dyshohet për ekstremizëm fetar ka nga dy deri tre agjentë të sherbimeve, duke mos e ditur asnjëri prej tyre , për tjetrin. Gjithashtu ka edhe programe satelitore që i monitorojnë për veprime të mundshme përveç agjentëve sekretë.

 

SHKARKO APP