Shqiptarët presin ditë-natë në kufi, kurse qeveria lahet në det

Në pikat doganore të Shqipërisë dhe Greqisë prej tre ditësh mijëra qytetarë shqiptarë janë lënë në mes të katër rrugëve. Fëmijë, gra, të moshuar ndodhen në prag të një krizë humanitare për shkak të bllokimit të hyrjes së tyre në shtetin grek nga autoritetet helene. Bllokimi i lëvizjes vjen pas ndryshimit të rregullave për koronavirusin nga qeveria greke. Pak ditë më parë autoritetet greke njoftuan se qytetarët që do hyjnë në Greqi pas 17 gushtit duhet të bëjnë karantinë 7 ditore dhe duhet të kenë testet negative për koronvirusin, të realizuara gjatë 72 orëve të fundit. Për të shmangur karantinën, një pjesë e madhe qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Greqi u dyndën në pikat doganore. Kërkesa për testin e kryer brenda 72 orëve të fundit është në fuqi që me herët nga pala greke dhe analiza duhet të jetë nga laboratorë shtetërorë. Numri madh i qytetarëve që duan të hyjnë në Greqi, bllokimi i zakonshëm i sporteleve nga dogana greke, vonesat burokratike, kërkesa absurde për teste nga ISHP-ja të përkthyera në anglisht ose greqisht kanë krijuar radhët e gjata dhe kaosin që shihet këto ditë në kufi. Në momentin që pala greke mori këto masa duhej që pala shqiptare të lajmëronte në media dhe të merrte masa drastike në favor të qytetarëve shqiptarë, të cilët u turrën drejt kufirit si në kohët biblike.

Ndaj sjelljes së autoriteteve greke mund të gjesh një mijë probleme të mëdha dhe vonesa të qëllimshme. Në këtë periudhë të vitit, pikat doganore me fqinjin tonë gjithmonë kthehen në problem për emigrantët shqiptarë. Megjithatë, këtë herë paaftësia, burokracitë dhe papërgjegjshmëria ka qenë e jashtëzakonshme dhe nga shteti ynë. Situata në Kakavijë kishte 48 orë që ishte alarmante, por vetëm dje pasi shkruan mediat dhe transmetuan pamjet kaotike, strukturat e shtetit bënë sikur u vunë në lëvizje. Themi “bën sikur” sepse, me gjithë zhurmën e madhe propagandistike, realisht asgjë nuk është zgjidhur zyrtarisht me palën greke dhe qytetarët kanë mbetur në mëshirën e doganiereve të shtetit fqinj. Kaosi në kufi ishte një ngjarje e paralajmëruar për shkak të situatës së veçantë të koronavirusit. Mirëpo askush  nga qeveritarët nuk mori mundimin të gjente një zgjidhje me palën greke. Në situata të tilla të ngjashme mes vendeve fqinje, ministri i Jashtëm apo kryeministri telefonojnë homologët e tyre, bien dakord për zgjidhjen parimore dhe më pas institucionet gjejnë mekanizmat më praktikë. Edhe në vende me probleme shumë serioze, kur flitet për bllokimet e fëmijëve dhe grave në kufi, mbizotëron mirëkuptimi dhe marrëveshje që nuk kanë kosto njerëzore. Por mes Tiranës dhe Athinës këto ditë nuk pati asnjë takim, bisedë telefonike apo shkëmbim kërkesash zyrtare me palën greke. Dje u njoftua për bisede telefonike të Gent Cakajt me ministrin plotësues grek, por nga deklarata e zyrës së shtypit kuptohej se nuk ishte arritur asgjë. Ndërkohë një krizë e tillë ka nevojë për ndërhyrjen e kryeministrit, i cili edhe zyrtarisht mban postin e ministrit të Jashtëm.

Në vend të zgjidhjes së problemit emergjent për qytetarët, qeveria shijonte dhe vazhdon të shijojë pushimet verore. Plazhi fantastik i Jalës ku ndodhet shumica e qeveritarëve këtë verë është vetëm 100 kilometra larg Kakavijës, vendit ku janë bllokuar qytetarët shqiptarë. Është skandaloze kur sheh kupolën qeverisëse që kalon vapën në resorte luksoze, ndërsa pak kilometra më tej gra, fëmijë dhe njerëz me probleme shëndetësore kalojën natën dhe ditën në mes të rrugës. Kriza e Kakavijës po tregon se papërgjegjshmëria e institucioneve po kthehet në një sjellje kriminale ndaj qytetarëve të vendit. Ndërkohë që kupola qeverisëse vijon edhe sot pushimet pa u shqetësuar, kriza dhe kaosi në kufi vijon ende. Rreziku është  më i madh nga sa shihet në media. Mijëra qytetarë në rrugën e Kakavijës janë të kërcënuar seriozisht nga pandemia, temperaturat e larta, mungesa e ushqimeve dhe kujdesit shëndetësorë. Është një situatë kritike që nëse nuk zgjidhet shpejt do të kthehet në një krizë humanitare dhe tragjedi. Xhirot e policisë me makina në kolonat me njerëz që duan ushqime dhe kujdes shëndetësor nuk mjaftojnë.

Mili Xhani

SHKARKO APP