Shteti i kryeministrit rilindas, Rama, u shkërmoq në Rinas për katër minuta
Katër personave të armatosur u janë dashur fiks 4 minuta për të hyrë të martën në aeroportin e Rinasit dhe për të kryer grabitjen e shekullit në Shqipëri. Shuma prej rreth 10 milionë eurosh, që kanë marrë nga Rinasi, është vlera më e madhe monetare që është grabitur ndonjëherë në vendin tonë. Madje, me shumë mundësi as në botë nuk ka ndodhur një ngjarje e tillë në një aeroport ndërkombëtar. Vetëm kjo do të mjaftonte për ta klasifikuar si ngjarjen më të rëndë, por në këtë histori kriminale, skandali nuk ka të bëjë vetëm me paratë e grabitura. Skandali që rrëzoi shtetin në 4 minutra ka të bëjë me sigurinë kombëtare dhe kjo është pjesa që duhet të shqetësojë gjithë opinionin. Siç hynë për të marrë paratë, persona të krimit apo të lidhur me terrorizmin, mund të hynin dhe të merrnin avionë peng. Mund të vrisnin pasagjerë.
Aeroporti i Rinasit është i vetmi aeroport ndërkombëtar i Shqipërisë. Një status i tillë do të thotë se institucioni, që mban emrin e shenjtores shqiptare “Nënë Tereza”, duhet ishte më i sigurti në hapësirën e Republikës së Shqipërisë. Është jo vetëm porta hyrëse ajrore e vendit tonë, por edhe pikë kufitare, doganë, terminal pasagjerësh, pikë strategjike e komunikimit të vendit, si dhe imazhi i parë që Shqipëria u tregon të huajve që mbërrijnë këtu me linjat ndërkombëtare të fluturimit. Mbi të gjitha, është dhe aeroporti i një vendi që është pjesë e NATO-s dhe përballet me gjithë sfidat që NATO ka me terrorizmin e krimet e tjera. Për pasojë, në ato kilometra katrorë ku shtrihet aeroporti, niveli i sigurisë duhet të ishte në standardet që kanë vende të tjera në BE dhe në rajon. Pas ngjarjeve terroriste të viteve të fundit, në gjithë botën, aeroportet cilësohen si pikat më kritike ku siguria duhet të jetë në nivele maksimale. Institucionet dhe gjithë shërbimet e sigurisë investohen që në zona të tilla të shmanget dhe parandalohet çdo ngjarje, edhe më banalja që lidhet me rendin dhe qetësinë. E jo më të arrihet të hyhet me armë automatike, bomba, eksploziv, etj. mu tek avioni që ishte gati për nisje.
Në mes të ditës, brenda më pak se 4 minutash, 4 banditë të armatosur arritën të thyejnë gjithë kodet e sigurisë. Kaluan rojet e policisë që duhet të ishin jashtë, hynë në perimetrin që është i vëzhguar me kamera qindra mijëra euroshe, prenë telat e gardhit që rrethon aeroportin dhe në pak sekonda u ndodhën brenda në avionin që pritej të nisej, duke marrë gjithë paratë që bankat po transportonin. Një pasagjeri të zakonshëm i duhet të kalojë 2-3 herë kontrolle fizike për të shkuar deri te avioni. Ndërsa 4 banditëve me armë jo vetëm nuk u doli njeri para gjatë aksionit kriminal, por as nuk u dha sinjali në kohë për grabitjen që po ndodhte në mes të pistës. Ajo që ka ndodhur nuk është thjesht një grabitje me armë, por një operacion i organizuar në mënyrë të detajuar, i cili ka sjellë rënien e gjithë sistemit të sigurisë jo vetëm në Rinas, por në gjithë vendin. Informacioni që autorët kanë pasur për shumën e parave në avion, koha e veprimit në pak minuta si dhe reagimi i grabitësve, si një komando e stërvitur, tregojnë se një grabitje e tillë ka pasur jo thjesht disa banditë me kallash, por një grup të strukturuar kriminal. Një grup, që jo vetëm kishte mundësitë financiare për armë, makina, antiplumb, maskim special, etj. por edhe lidhje të forta me institucionet private dhe shtetërore që i kanë dhënë informacion mbi lëvizjen e parave, lëvizjen e rojeve të sigurisë në aeroport, ndërrimin e turneve të kompanisë së sigurisë, si dhe gjithë detajet që duhen për një megavjedhje të tillë.
Të gjitha këto detaje, në dukje teknike, nuk tregojnë aftësitë e grabitësve, por dështimin e shtetit. Sepse nga fillimi deri në fund gjithë sistemi i sigurisë, për të cilin paguajnë gjithë shqiptarët me taksat kombëtare dhe udhëtarët e Rinasit paguajnë ekstra 3 euro për çdo fluturim, është rrëzuar. Kritikat e qeverisë po shkojnë për kompaninë e huaj që operon në Rinas me koncesion, por sado përgjegjësi që të ketë kompania private, këtu flitet për sigurinë kombëtare dhe ajo nuk jepet me koncesion, por garantohet nga shteti. Pjesë e dështimit janë gjithë strukturat e institucioneve që kanë përgjegjësi për aeroportin dhe deri të bankat që transportonin paratë dhe kompanitë e sigurisë që i shoqëronin ato.
Sot, nga gjithë ky megaskandal i sigurisë kombëtare kemi vetëm një grabitës të vrarë, i cili nuk dihet nëse u vra nga shkëmbi i zjarrit me policinë apo e vranë grabitësit e tjerë. Ajo çfarë bën përgjegjës sërish institucionet është se personi i vrarë ishte në kërkim po për grabitje banke dhe po në të njëjtin vend në Aeroportin e Rinasit. Në 6 vite, policia jo vetëm nuk arriti ta kapte dot, por i la hapësira të kryente të njëjtën vepër penale, në të njëjtin vend. Pikërisht në këto vite dëgjojmë çdo ditë nga Edi Rama të thotë se “po bëjmë shtet” dhe vendit i është kthyer siguria. Mjaftuan 4 banditë me armë për të kuptuar se siguria nuk ekziston dhe shteti i Edi Ramës u shkërmoq i gjithi në Rinas.
Më skandaloze e bën fakti që doli mbrëmë nga Shemsi Premçi, i cili tha se ministri i brendshëm Sandër Lleshi, ka qenë kryetar i këshillit të aeroportit civil. Jo vetëm se ka drejtuar një institucion sigurie që rezultoi me dështim, por edhe në shkelje të Kushtetutës.
Tashmë dosja “Rinas” po nxjerr në dritë se kryeministri Rama ka shkelur Kushtetutën, pasi duke qenë me gradën gjeneral, Sandër Lleshaj, para se të bëhej ministër (duke qenë këshilltar i Kryeministrit për sigurinë) është emëruar edhe kryetar i këshillit drejtues të aviacionit civil.
Pra një ushtarak aktiv drejtues i një këshillit të aviacionit civil!
Neni 167 i Kushtetutës thotë se “Ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetrore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike”.
Ndaj derisa doli dekreti i lirimit nga Presidenti Meta, zoti Sandër Lleshaj konsiderohej ushatarak aktiv. Shemsi Premçi në emisionin Opinion tha se kjo është shkelje e Kushtetutës dhe Ligjit e ndëshkohet penalisht.
Blendi Fevziu tha në emision se sa ka filluar zbardhja e skandalit të Rinasit, ku dalin të përfshirë kryeministri, ministra, zyrtarë të rangjeve të ndryshme dhe biznesmenë pranë qeverisë.
Shteti dhe Siguria ra në katër minuta! Ndaj Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht Kryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Ilir Meta doli publikisht dhe kërkoi ndëshkimin e përgjegjsëve shtetërore që nuk kanë marrë masat për sigurinë në aeroport.