Shteti të paguajë 156 mijë pasaportat

 

Një gabim teknik ka nxjerrë të pavlefshme pasaportat për 156 mijë qytetarë. Dokumenti identifikues për personat e moshës nën 16 vjeç, nga 5 vjet që duhet të kishin afatin ligjor, është shkruar 10 vjet. Dokumentet janë prodhuar gjatë viteve 2009-2010 dhe pavarësisht se janë lëshuar për shtetas të moshës  nën16 vjeç, ato kanë pasur të njëjtin afat vlefshmërie si për shtetasit në moshë madhore. Skandali është bërë publik vetëm pasi shumica e këtyre pasaportave kanë kaluar afatin e parashikuar nga ligji prej 5 vitesh. Dalja e tyre jashë përdorimit ka bërë që një numër i konsiderueshëm prej 156 mijë përdoruesish të dyndet drejt sporteleve të kompanisë për të bërë aplikimin nga e para. Kjo ka bërë që në sportelet e kompanisë “Aleat” këto ditë të rritet ndjeshëm numri i qytetarëve, duke sjellë dhe radhë të gjata në shumë qytete.

Ministria e Brendshme pranoi dje gafën që është bërë në lëshimin e këtyre dokumenteve. Në deklaratën e saj, ministria ua hedh fajin drejtuesve të këtij institucioni gjatë vitit 2010. Ndërsa bën të ditur se janë marrë të gjitha masat për të njoftuar qytetarët lidhur me nxjerrjen e dokumenteve të reja. Deri këtu, njoftimi i Ministrisë së Brendshme është korrekt, por ka një problem: kush duhet të paguajë për këtë gabim? Nxjerrja e dokumenteve nga kompania private “Aleat” është bërë me urdhër të qeverisë shqiptare, sipas kontratës që ekziston mes palëve. Ndërkohë që në njoftimin e djeshëm të ministrisë, shteti nuk merr përsipër asnjë dëmshpërblim në këtë rast. Gabimi ka ndodhur për faj të shtetit, ose kompanisë, por dëmin në këtë rast e pësojnë qytetarët. Dhe nuk bëhet fjalë për shifra të parëndësishme. Në total, 156 mijë qytetarët do të nxjerrin edhe 11. 6 milionë euro nga xhepat e tyre për të rregulluar një gabim për të cilin s’kanë asnjë përgjegjësi. Pra kanë paguar njëherë, siç ua ka kërkuar Qeveria. Çdo qytetar i dëmtuar duhet të paguajë edhe njëherë shumën prej 6 mijë lekësh të reja. Shumica e aplikuesve janë fëmijë emigrantësh e do t’u duhet të vijnë në Shqipëri edhe një herë për të qëndruar në radhë për të bërë aplikimin. Pjesa tjetër, nuk mund të ketë marrë informacion për këtë pasaktësi të dokumentit të tyre dhe do të përballet me këtë fakt vetëm në pikat doganore, duke u hyrë dhe një herë telasheve të tjera.

Por veç kohës, ky rast është dhe një dëshmi e mënyrës sesi sillet shteti me qytetarët. Mes shtetit dhe kompanive ka marrëveshje, ku secila palë merr përsipër penalitetet nëse nuk zbaton kontratën. Një gabim i tillë me kosto të rëndë duhet të zgjidhet mes dy palëve dhe jo në kurriz të qyetetarëve, siç edhe po ndodh. Justifikimi se ky është një gabim i bërë nga administrata e kaluar, nuk vlen. Deputetët e Partisë Socialiste u sulën dje dhe akuzuan drejtuesit e kaluar të ministrisë së Brendshme. Realisht, faji është tek qeverisja e kaluar. Por kjo nuk u intereson qytetarëve. Nuk ka rëndësi nëse në krye të ministrisë ka qenë Lulzim Basha apo gabimi është bërë në kohën që ky institucion drejtohet nga Saimir Tahiri. Për qytetarët, shteti është një dhe nuk u intereson emri i ministrit të radhës. Dhe një shtet i përgjegjshëm është ai që merr përgjegjësi e jo ta hedhë fajin tek paraardhësit.

Qytetarët paguajnë taksat dhe për çdo shkelje ligjore penalizohen. Kjo është dhe kultura e shtetit që po përpiqet të vendosë qeverisja “Rama” në këto dy vite. Por kur qytetarëve nuk u njihet asnjë e drejtë, por gjithmonë shihen si objekt zhvatjeje, kjo nuk i shërben kulturës së forcimit të shtetit ligjor. Natyrisht që dikush duhet penalizuar nga kjo gafë, por që tani po e vuajnë qytetarët shqiptarë, shteti ka për detyrë që jo vetëm t’ju kërkojë falje qytetarëve të tij. Duhet edhe t’i paguajë për këtë gjë çdo njeri që duhet të ndryshojë këtë pasaportë, sepse është Shteti që nuk i lejon as të hyjnë në Shqipëri, porse as të dalin në kufi. E përsërisim se nëse Shteti të kërkon gjobë nëse gabimisht nuk e ke paguar të plotë tarifën apo taksën, edhe në këtë rast kur Shteti ka gabuar duhet të paguajë. Nuk i intereson qytetarit se cilin fut në burg Prokuroria, pra Shteti. Atij i duhet të dëmshpërblehet që do të thotë, t’ia paguajë Shteti sejcilit nga 156 mijë pasaportat e bëra gabim. Këto raportet Shtet-individ,  në një vend demokratik. Shteti nxjerr ligje në interes të qytetarëve, mban rendin publik, ndërton infrastruktën, vjel taksat e tarifat,etj kurse qyetari punon, paguan taksa dhe kërkon rritje të mirëqënies e të lirive të tija kushtetuese. Pra sikurse fut në burg një që  vjedh energjinë elektrike, edhe në këtë rast shteti duhet të ndëshkojë me burg ato që e kanë bërë gafën, por dhe të paguajë për dëmin që i ka shkaktuar qytetarit. Bile në një vend kushtetues demokratik nëse një qytetar që detyrohet, fjala vjen të vijë nga Britania e Madhe, vetëm për të ndërruar pasaportën e bërë keq nga shteti shqiptar, ai mund ta hedh në gjyq shtetin dhe ti marrë jo vetëm leket e pasaportës, por edhe biletën për të ardhur në Shqipëri, edhe dëmshpërblimin moral për shqetsimin e krijuar.

Kështu duhet të jetë Shteti që duam të jetë demokratik. Qytetari paguan çdo detyrim e taksë ndaj shtetit të tij, por Shtetit të paguajë kur gabon ndaj tij. Edhe kur ikin dritat orë e çast e prishin pajisjet elektroshtëpiake duhet të paguajë shtetit. Sikurse i do lekët për energjinë, ashtu edhe duhet të paguajë OSHEE kur stakon dritat apo tensioni shkon në 300 volt duke djegur gjithçka në një shtëpi.

Ky është shteti që duam !

 

SHKARKO APP