Shtypi i shkruar drejt vdekjes. Zgjidhja? Vetëm drejt online
Me internetin që është zgjedhja absolute e brezit të ri, edhe sa kohë do të vazhdojë shtypi i shkruar të mbahet te lexuesit e moshës së tretë, të interesuarit kryesorë për lajmet e pronave, legalizimeve e pensioneve, titujve që dominojnë sot gazetat e përditshme?!
Koha kur gazetat arrinin tirazhe ditore 80-90 mijë kopje (RD në vitet ’90-’91 dhe “Koha Jonë” në ’97) janë tashmë një e kaluar tepër e largët. Sot, tirazhi i të gjitha gazetave të përditshme (rreth 20), sipas të dhënave nga shtypshkronjat me vështirësi arrin 40 mijë kopje, ndërsa shitjet janë shumë më të ulëta.
Ndikimi i medias në jetën e përditshme është shumë më i lartë se 20 vjet më parë, por kanalet e komunikimit kanë ndryshuar ndjeshëm. Në fillim të viteve 2000, ishin televizionet ato që morën stafetën e informimit të publikut, duke i dhënë goditjen e parë (të lehtë) medias së shkuar. Vitet e fundit është interneti, ai që për shumëkënd, sidomos brezin e ri, është mjeti kryesor i informimit, duke i dhënë goditjen përfundimtare gazetave. Ndërsa kjo është një tendencë e pashmangshme në të gjithë botën, madje te ne është me pak vonesë, forma se si media e shkruar shqiptare po përballet është disi e ndryshme nga shtypi i huaj. Ky i fundit që po bëhet gjithnjë e më analitik, ndërsa një pjesë e madhe e gazetave të përditshme vendase janë kthyer thjesht në informative, duke u përqendruar në lajme për prona, legalizime, apo pensionet, informacione që u interesojnë kryesisht një brezi të vjetër, apo dhe lajme që janë konsumuar një ditë më parë nga televizionet, mediat online, që po shtohen me shpejtësi, apo dhe rrjetet sociale.
Zylyftar Bregu, pedagog pranë Universitetit të Tiranës, Departamentit të Gazetarisë, pohon se media e shkruar ka nisur prej pak vitesh, ndoshta 5 ose 6 vitesh, kurbën rënëse të saj. Sipas tij, media e shkruar duhet të shkojë përtej lajmit, të thellojë informacionin.
Mero Baze, botues i gazetës “Tema” dhe portalit online “gazetatema.net”, që prej kohësh i ka orientuar energjitë drejt portalit, është më i drejtpërdrejtë. Ai pohon se shtypi i shkruar është i vdekur. Sipas tij, ai duhet të ristrukturojë botimet, t’u kthehet botimeve periodike, tip magazine, duke futur në print, raporte të thella, origjinale dhe prodhime të redaksisë.
Elton Metaj, kryeredaktor i “Shekullit”, pohon se ndryshimi i mekanizmit se si e konsumojmë lajmin apo informacionin, nuk do të thotë se lajmi i vërtetë mund të zëvendësohet me diçka tjetër. “Dhe kjo është sfida e shtypit të shkruar, që duhet ta përdorë internetin jo si konkurrent, por si mjet për të shpërndarë lajmet dhe për të mbërritur te lexuesi, pa pritur që lexuesi të dalë nga shtëpia apo zyra”.
Arion Sulo, kryeredaktor i gazetës “Mapo”, pohon se si princip të koniunkturës së re, modeli që ata po ndjekin është në radhë të parë të mënjanohen lajme që janë konsumuar tepër, pa hequr dorë nga lajmi kryesor që duhet shtuar më tepër.
Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve, e shikon të ardhmen drejt online. “Disa botues, edhe pse me histori të fuqishme në momente të ndryshme të këtij tranzicioni postkomunist, tashmë e kanë pranuar e madje njoftuar se do të mbesin vetëm te versioni më ekonomik, ai i online multimedial”.
(Marre me shkurtime nga revista "Monitor")