Sigurimet shoqërore, Skema piramidale

Një skandal i përmasave gjigante rezulton me pagesat e sigurimeve shoqërore. Janë 1600 institucione shtetërore që prej disa vitesh nuk kanë derdhur në arkën e shtetit pagesat për kontributet e sigurimeve. E thënë ndryshe, zyrtarëve të shtetit u është mbajtur nga paga shuma në lekë për sigurimet shtetërore, por kjo shumë nuk është paguar, duke rrezikuar në këtë mënyrë që qindra mijëra qytetarë të mos kenë vitet e pensionit. Skandali është bërë publik nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, dukë vënë në dukje se të parët që kanë shkelur ligjin janë vetë institucionet që duhet ta kishin për detyrë zbatimin e tij. Skandali merr përmasa alarmuese teksa verifikohet se edhe vetë punonjësit e Inspektoratit të Punës, njerëzit që kontrollojnë zbatimin e ligjit dhe vënë gjoba tek kompanitë që nuk paguanin sigurimet ,pra del se as vetë nuk kanë qenë të siguruar. Në listën e institucioneve bëjnë pjesë dhe dikastere të rëndësishme si Kuvendi, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit, ALUIZN-i dhe mjaft drejtori të rëndësishme. Sigurimet nuk janë paguar gjatë periudhës tetë vjeçare të qeverisjes së Partisë Demokratike. Sipas të dhënave të para, dyshohet se abuzimet kanë ndodhur në dy mënyra. E para ka të bëjë me transferimin e fondeve për të mbushur gropat e buxhetit të shtetit. Pra, shteti ka futur duart në xhepat e qytetarëve duke u marrë fondet e pensioneve për të shtruar rrugët elektorale të qeverisë Berisha. Në këtë skemë është futur dhe rritja fiktive e numrit të punonjësve në disa institucione. Drejtuesit e institucioneve, për qëllime fushate elektorale, kanë rritur numrin e nëpunësve, por paratë për të paguar pagat nuk i kanë marrë nga buxheti, por nga fondi i sigurimeve të pagave të punonjësve. Një vjedhje e tillë është bërë në disa prej institucioneve që gjatë tetë viteve të qeverisjes së PD-së kanë rritur numrin e punonjësve, duke vjedhur punonjësit e tjerë. Mënyra e dytë dhe më e dënueshme lidhet me vjedhjen e fondeve. Në këtë rast kemi të bëjmë me një aktivitet kriminal, ku drejtues të institucioneve kanë përvetësuar fondet e pensioneve të punonjësve të tyre. Procedura e ndjekura për këtë mënyrë janë nën hetim dhe pritet të verifikohet çdo shkelje që është bërë.

Shifra e rreth 1600 institucionesh që kanë rrezikuar të lënë pa pension qytetarët është e frikshme. Një abuzim i tillë ka ndodhur vetëm me skemat piramidale ku qytetarët humbën kursimet e tyre. Por nëse në rastin e parë mund të thuhet se humbja e kursimeve ndodhi nga padija dhe nga mungesa e institucioneve të shtetit, rasti i sigurimeve shendetësorë është skandaloz. Këtë herë është shteti që ka futur duart dhe ka vjedhur xhepat e qytetarëve në mënyrën më të shëmtuar. Shifra që kanë humbur qytetarët është rreth 100 milionë dollarë, e cila nuk dihet realisht ku pa përfunduar. Diku është përdorur për të shtruar ndonjë rrugë të fushatës së Berishës, po dyshimet janë se mund të ketë përfunduar dhe në xhepat e qeveritarëve. Kryeministri Edi Rama premtoi dje nisjen rishikimin e këtij problemi e masa drastike ndaj abuzuesve . Ndërkohë, ish-zyrtarë të financave në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike deklarojnë se pagesat janë kryer. Për të shmangur çdo hije dyshime dhe për të mos e lënë çështjen në lojën e politikës me “hidh e prit” deklaratash është nevoja që të nis hetimi nga Prokuroria. Në lojë janë pensionet e qindramijëra qytetarëve, jetesa e të cilëve dhe kontributi i tyre për pensionin është kërcënuar nga papërgjegjshmëria e politikanëve dhe drejtuesve të financave. Sigurisht, kontributet e munguara të qyteteve do zëvendësohen nga buxheti i shtetit. Por skandali që ka dalë në dritë këto ditë ngre pikëpyetje të tjera dhe vë në alarm gjithë qytetarët shqiptarë. Kur rezulton se dhe deputetët, punonjësit e Kuvendit, punonjësit e ministrive paskan punuar në “të zezë”, çfarë ka ndodhur me kontributet e qytetarëve që punojnë në privat? Derisa shteti nuk ka kontrolluar sigurimet për punonjësit e vetë, çfarë ka ndodhur këto vite me kompanitë private? Skandali i sigurimeve për institucionet e shtetit nxjerr në pah dhe problemin me sigurimet në institucionet private. Historikisht bizneset e mëdha apo të vogla u janë shmangur tatimeve në këtë drejtim. Janë gjetur mijëra mënyra për të bërë fshehur numrin e punonjësve, për të deklaruar më pak paga dhe në fund gjithmonë të humburit kanë dalë qytetarët. Skandali i sigurimeve duhet të shërbejë për të hapur një “kapakun” e një çështje që edhe në këtë fazë duket se bie erë korrupsion, shkelje ligjore, abuzim dhe tallje me të nesërmen e qytetarëve.

Skema e sigurimeve shoqërore ,edhe pa dalë në dritë skandale të tilla, dihej që ishte drejt falimentimit. Numri i kontribuuesve ishte më i ulët sesa qytetarët që marrin pensione dhe specialistët kanë parashikuar prej kohësh kolaps, ose reformim të saj. Por me daljen në dritë të vjedhjeve dhe abuzimeve nga qeveria, alarmi duket se është më serioz se kurrë.

Kryeministri Rama ka premtuar ndryshim radikal në këtë drejtim dhe do fillojë që javën e ardhshme kontrolle të forta kudo e mbikëdo.

  

SHKARKO APP