Skllevërit e epokës moderne
Në bazë të dy studimeve të fundit, shumica e gjermanëve ankohen se kanë shumë pak kohë për familjen dhe shokët. Përpara se ta kërkojnë fajin tek të tjerët, ata duhet të analizojnë sjelljen e tyre, mendon Marcel Fürstenau
Si e trajtojnë gjermanët kohën e tyre të lirë? Ministrja gjermane e Familjes, Manuela Schwesig donte ta dinte këtë me saktësi. Përgjigjen asaj dhe neve na e dha Zyra Federale e Statistikave në një studim të fundit. Ajo që të tërheq më shumë vëmendjen: shumë dëshirojnë të kenë më shumë kohë të lirë dhe kontakte sociale. Fjala është për kontakte të drejtpëdrejta njerëzore, jo për kontakte virtuale në të ashtuquajturat rrjete sociale. Por në mënyrë paradoksale shumica kalon shumë orë në internet – ose para televizorit. Në këtë përfundim arrin, jo për herë të parë, Fondacioni për Çështjet e së Ardhmes në një vëzhgim të publikuar për vit për kohën e lirë.
Nëse në bazë të studimit, çdo ditë mbeten mesatarisht gati katër orë si kohë e lirë, atëherë këtu nuk duhet të kishim problem të madh kohe. Në shumicën e rasteve kemi të bëjmë me mënyrën si e trajtojmë këtë mall të çmuar. Të bezdisur, të nevrikosur, të tensionuar ndihen gjermanët (dhe me siguri edhe njerëz në vende të tjera). Kjo ka të bëjë natyrisht edhe me përshpejtimin e shoqërisë moderne në përgjithësi. Dendësimi i punës në ambjentin privat dhe profesional nuk është ide fikse, por realitet. Megjithatë mundet dhe duhet filluar nga vetja, po të duash të ndryshosh diçka në këtë.
Flisni me njerëzit në vend që t'u flisni aparateve
A duhen lexuar menjëherë të gjitha e-mailet që vijnë? Uleni sinjalin e celularit, me të cilin informoheni për çdo informacion të ri. Me këtë ruani edhe nervat e ambjentit përreth. Luani më pak me telekomandën e televizorit dhe më shumë me fëmijët dhe me shokët tuaj! Lexoni më mirë një libër se sa të lexoni fletëpalosje me reklama. Pyesni për rrugën më parë një kalimtar në rrugë dhe vetëm atëherë navigatorin e telefonit, kur i panjohuri nuk iu ndihmon dot.
Dakord: teknika moderne, aplikacionet e dobishme nuk janë vegël e djallit. Po ajo që ka rëndësi është përdorimi me vend i tyre. Se çfarë kuptohet me këtë, këtë duhet ta interpretojë secili për vete. Por nuk duhen bërë përgjegjës të tjerët se gjoja nuk ke kohë. Edhe më parë dita kishte vetëm 24 orë. Njerëzit punonin më gjatë, kishin më pak leje vjetore – por megjithatë kishin më shumë kohë. Një kontradiktë? Në asnjë mënyrë, ata vetëm e trajtonin në mënyrë më sovrane kohën e tyre të lirë. Natyrisht që ata e kishin edhe më të lehtë, sepse kishin më pak ofertë, më pak tërheqje të vëmendjes dhe më pak presion për konsum.
Kini guxim për të lënë gjëra pa bërë!
Po të mbajmë parasysh se numri i llojeve të sporteve është pesëfishuar që prej vitit 1980 dhe hapësira e metrave katrorë të qendrave tregtare madje është gjashtëfishuar, e gjitha kjo ju kushton potencialisht jo vetëm më shumë para, por edhe më shumë kohë. Por edhe këtu vlen: a duhen provuar me të vërtetë të gjitha, çdo tendencë e re, duhet ndjekur çdo modë? Kini guxim për të lënë gjëra pa bërë! Në vërshimin e të ashtuquajturave informacione dhe të reja ju jo vetëm që humbisni nga sytë tablonë e përgjithshme, por edhe kohë. Në fund pastaj dini më pak se ata që nuk ua lejojnë të tjerëve t'i vëeë nën presion kohor.(Marre nga radio gjermane "DW")