Sondazhet i fiton pozita,por votat kush i merr?
Dy sondazhe të organizuara nga kompani italiane për llogari të dy televizioneve shqiptare “Ora Neës” dhe “A1 Report” kanë publikuar dje rezultatet e anketimeve të fundit para zgjedhjeve. 21 qershori është afër dhe shifrat e sondazheve mund të merren si pasqyra më e afërt se nga do të anojë fitorja e zgjedhjeve.Janë pasqyra më e afërt,por edhe vetë hartuesit e sondazheve nuk prentendojnë se anketimet që kanë kryer janë 100 për qind reale. Kompanitë e huaja që kanë marrë përsipër matjen e bindjeve politike të shqiptarëve janë ndër më seriozet dhe shifrat e dhëna prej tyre, pavarësisht problemeve që ka çdo sondazh, vlejnë të analizohen për atë çka pritet të prodhojnë zgjedhjet.
Sondazhi i Institutit Italian ‘Piepoli’ ka marrë si të anketuar 800 persona në rang vendi dhe 500 të tillë për kryeqytetin. Në bashkinë e Tiranës, sipas sonazhit, Veliaj shpallej fitues me 53.5 për qind të të anketuarve. Ndërsa rivali i tij merr 34.5%. Më pas, kandidatët e pavarur 19%; 8% Gjergj Bojaxhi, 2.5 % për Sazan Gurin dhe 1.5% për Arben Tafajn. Interesante paraqiten përgjigjet e pyetjeve nëse zgjedhjet e 21 qershorit do të ishin zgjedhje të përgjithshme. Sipas sondazhit, rreth 60 për qind e të pyeturve do të votonin koalicionin e majtë. Pra, pas dy vitesh në pushtet, e majta rezulton se merr më shumë vota sesa ka marrë në vitin 2013, saktësisht 0.6 për qind më shumë.
Të njëjtjën panoramë fitoreje jep edhe sondazhi i organizuar nga “IPR Marketing” në “Ora Neës”. Në Tiranë fiton Erion Veliaj me 51 përqind kundrejt 33.5 % të Halim Kosovës e diferenca shkon per të pavarurit. Shkodra fitohet nga PD. Ndërsa Durrësi është “ kokë me kokë” mes Dakos dhe Dumës. 51 % shkojnë për kandidatin e PS dhe 49 për Gridën.
Me pak fjalë, e majta sipas sondazheve, jo vetëm që fiton, por arrin të marrë vota më shumë se në zgjedhjet e kaluara. Mediat që kanë kontraktuar kompanitë dhe vetë “IPR Marketing” në “Ora Neës” dhe Instituti Italian ‘Piepoli’ kanë dëshmuar profesionalizëm duke sjellë në këto zgjedhje një produkt që meriton të merret në konsideratë. Megjithatë, ka një problem me sondazhet jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë vendet e botës, SHBA, Britani e Madhe etj. Sondazhet nuk janë një shkencë ekzakte. Kanë marzhin e gabimit, kanë numrin e votuesve që pyeten dhe mes ekspertëve ka debate disa-vjeçare për mënyrën e pyetjeve dhe metodologjinë e nxjerrjes së përfundimeve. Në Shqipëri, historia e sondazheve ka njohur dhe fiasko të paimagjinueshme. Mjafton të kujtojmë sondazhet që nxirrnin fituese me 55 për qind PD-në në vitin 2013, në zgjedhjet ku kjo forcë politike humbi në mënyrë spektakolare. Thënë thjesht, edhe ekspertët më të mirë deklarojnë se i afrohen të vërtetës, por asnjëherë nuk pretendojnë se kanë bërë sondazhin më të mirë. Por mbi të gjitha, siç thotë matematicieni i së majtës, Skënder Gjinushi: “problemi me sondazhet është se varet ku e fut sondën”. Edhe nëse kompanitë italiane që kanë marrë përsipër anketimin e votuesve shqiptarë kanë qenë korrekte duke e shpërndarë gjeografinë e të anketurve në zonat urbane dhe në zonat ruale, sërish është një element shqiptar që nuk duhet harruar. Është një problem që media e njeh gjithmonë në përballjen me qytetarët, për shumë arsye shqiptarët rezultojnë të mos thonë mendimin real në anketime edhe kur kanë garanci se do të ruhet anonimati. Thënë ndryshe, një shoqëri e dalë nga komunizmi dhe e tmerruar nga ideja e shërbimit sekret, priret që edhe kur pyetet për gjëra të thjeshta dhe jo më politike, të jetë shumë “pro” qeverisë. Praktikisht,shqiptarët ndryshe flasin në publik kur pyeten, si në rastin e sondazheve dhe ndryshe votojnë në kutinë e fshehtë të votimit. E për të vazhduar me absurdin e sjelljes politike të votuesve, shqiptarët nuk besojnë nëse edhe vota që hedhin me dorën e tyre numërohet saktë dhe jo më pyetësorë me telefonata. Të gjithë këto nuk ulin vlerat e sondazheve dhe as të mediave që i kanë publikuar ato, përkundrazi e bëjnë dhe më interesante daljen e rezultateve dhe krahasimin mes mënyrës sesi mendojnë shqiptarët dhe mënyrës sesi votojnë.
Nëse u besojmë sondazheve, zgjedhjet kanë mbaruar, praktikisht e majta ka dërmuar të djathtën me rezultate që nuk janë parë as në vitin 1991-1992. Nëse shifrat reale të zgjedhjeve do të jenë këto, ka diçka vërtet për t’u shqetësuar. Sepse dy vite pushtet jo vetëm nuk e kanë konsumuar mazhorancën, por i kanë rritur votat. Disa reforma që edhe nga vetë një pjesë e të majtëve janë cilësuar të dhimbshme e kanë prodhuar efekte të kundërta, kanë rritur mbështetjen e mazhorancës. Ka dhe një shqetësim parimor në këtë rast, një supermazhorancë në këto zgjedhje të dielës nuk i duhet as vetë mazhorancës. Është mbingarkesë e madhe nëse del siç thuhet në sondazhe, pasi ka nevojë për ballancim pushteti lokal. Nuk është mirë as për Edi Ramën e Ilir Metën. Një fitore e logjikshme dhe e pranueshme do të ishte më mirë se sa një mori bashkish pro tyre, pasi ose nuk mund ta mbajnë gjithë këtë ngarkesë ose do të bëhen të rrezikshëm. Por ka edhe një anë tjetër të medaljes ku një fitore e thellë e opozitës do ta fuste vendin në një barazpeshë e cila nga selia blu mund të përdoret për zgjedhje të parakohshme parlamentare e do ta fuste vendin në një krizë pa kthim.
Sondazhet i shpallën fituesit, tani mbetet të shohim se për kë do të jetë vota e popullit me datë 21 qershor!