Sot si dallgë, nesër cunam!
Editorial E Diel, 18 Prill 2021 19:56
Kryeministri Edi Rama është detyruar të pranojë ndryshimin e qeverisë. Edhe pse prej muajsh ai përsëriste se nuk do ta ndërronte kabinetin, dje është vendosur para faktit të kryer. Nasip Naço dha dorëheqjen nga Ministria e Drejtësisë duke ia kaluar stafetën një tjetër figure të lartë të LSI-së, zëvendëskryetarit Ylli Manjani. Dhe Manjani nuk është politikan dosido, por karizmatik, polemizues në qeveri dhe këmbëngulës. Nuk do të ketë mbledhje qeverie kaq të thjeshtë pa debate kur flitet për problemet e drejtësisë.
Në tekstin e letrës së dorëheqjes Nasip Naço shprehej se arsyet e largimit lidheshin me krijimin e një klime më të mirë bashkëpunimi për reformën në drejtësi. Por pavarësisht motiveve që e kanë çuar Naçon në një vendim të tillë, largimi vjen në kohën kur aleati kryesor i Ramës, Ilir Meta ka kërkuar më shumë impulse në kabinetin qeveritar. Në këtë mënyrë largimi i Naços është edhe një mesazh që Meta i dha kreut të kabinetit: Ka ardhur koha për ndryshime reale. Për pjesën e impulseve të veta, LSI-ja e nisi ndryshimin. Tashmë mbetet që të njëjtën gjë të bëjë dhe Partia Socialiste.Pra LSI tha dje se qeveria dhe qeverisja ka nevojë për ndryshime të forta. Largimi i Naços vlen dhe si një leksion për gjithë mazhorancën aktuale. Në dy vite në krye të ministrisë së Drejtësisë, Nasip Naço krijoi profilin e një zyrtari korrekt. U angazhua në reformën në drejtësi dhe është ndër të paktët ministra që publikoi emrat dhe shkeljet që kanë bërë gjyqtarët aktualë të sistemit duke u përballur edhe me sulme personale. Mbi të gjitha është ministri që nuk është përfolur direkt për korrupsion dhe afera në kabinetin “Rama”. Në këtë pikë, nuk shihen shumë arsye se përse Naço duhet të largohej. Madje, nëse e krahason me ministrat e tjerë të kabinetit “Rama”, Naço është i fundit që mund t’i kërkohej dorëheqja. Gjatë javëve të fundit ka një sërë aferash të pretenduara nga opozita në ministrinë e Ekonomisë, Mbrojtjes, Shëndetësisë, Energjetikës etj. Por edhe pse aferat po shtohen çdo ditë nuk kemi parë një gjest reflektimi nga drejtuesit e këtyre dikastereve. Kur largohet një ministër korrekt dhe i pa akuzuar si Naço, përse nuk largohen të tjerët të cilëve u dalin afera thuajse çdo ditë? Sigurisht, një pjesë e akuzave janë politike dhe vijnë nga PD-ja, por një largim nga kabineti do të shfrynte gjithë stuhinë e sulmeve që sa vijnë dhe bëhen më të mëdha mbi kryeministrin Rama. Mbi të gjitha, largime të tilla u hapin udhën emrave të tjerë dhe nuk ngarkojnë mazhorancën me akuza. Me apo pa përfshirje direkte në korrupsion, disa emra në kabinetin “Rama” po dëmtojnë imazhin e gjithë mazhorancës. Justifikimi se ministrat nuk mund të lënë reformat në mes, nuk vlen më. Nasip Naço drejtonte ministrinë më të rëndësishme dhe zgjodhi të largohet në kulmin e reformës në drejtësi.
Lëvizja e djeshme e LSI-së me zëvendësimin e Naços me Manjanin është edhe një sinjal tjetër mbi profilin që duhet të ketë qeveria. Naço nuk u zëvendësua me një teknokrat të mirëfilltë, apo me një figurë anonime. Ylli Manjani mban detyrën e nënkryetarit të LSI-së dhe është një nga ekspertët më të mirë që ka kjo parti në fushën e ligjeve. Karrierën e ka nisur në Partinë Socialiste dhe me ardhjen e Ramës në krye të saj ishte pjesë e grupit të ekspertëve për çështjet ligjore. Mosmarrëveshjet me Ramën e bënë që të kalonte në radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim ku sot mban dhe detyrën e nënkryetarit të saj, por edhe atë të zëvendësministrit të Transporteve. Veç ekspertit ligjor, Manjani është dhe një figurë polemizuese nivelit të lartë. Në radhën e gjatë të zëvendësministrave gati anonimë të kabinetit “Rama”, ai ishte ndër ata më aktivët. Tani, me kalimin në postin e ministrit, në qeveri pritet të ketë një zë tjetër me ndikim në opinion dhe debatues. Ministri i ri i drejtësisë ka për të bërë spektakël edhe në qeveri, pasi ka treguar gjatë kohës që ishte edhe në PS, se nuk vihej kollaj në rreth, qoftë edhe nga Edi Rama.
Kreu i LSI-së Ilir Meta në daljen e djeshme për mediat la të kuptohej se për ndryshimet në qeveri, sërish vendimet ia ka lënë në dorë kryeministrit Edi Rama. Nuk e përmendi më çështjen e impulseve të reja, por më shumë se fjalët e tij, dje folën veprimet. Në momentin kur pritet të kalojë reforma në drejtësi pranoi ndërrimin e ministrisë më të rëndësishme që drejton LSI-ja. Një sinjal ky për Ramën, duke i kujtuar se asnjë ministër nuk është i pazëvendësueshëm në kabinetin qeveritar.
Ka sinjale që nëse Edi Rama nuk fillon e planifikon ndryshime në ministrat e PS ka mundësi që pas pak javësh do të jetë LSI-ja që do të kërkojë largimin e një tjetri ministër nga rradhët e saj duke treguar edhe njëherë publikisht se nuk mund të ecet më me këto ministra, të cilët nuk kanë hapin e Edi Ramës dhe reformave të mazhorancës.
Edi Rama ka ambicie, ka energji, ka forcë për të ndryshuar, por ka edhe një kokëfortësi personale që të mos ul kokën para LSI, kokëfortësi e cila mund ta kthejë dallgën e sotme të Ilir Metës tek dera e kryeministrisë në një cunam që mbyt krejt selinë e qeverisë.
Sot ishtë një dallgë, nesër mund të kthehet në cunam shkatërrues, aq me tepër që njeriu i detrave “peshkaqeni” që rri zgjuar, Berisha, mezi po pret të acarohet deti mes Ramës e Metës. Në dallgë ai peshkon mirë! Apo nuk ka ca nofulla që shqyejnë çdo kryeministër, tani që e ka marrë uria pas dy viteve pa pushtet !