Spiunë të vjetër në Drejtësinë e re. Pse heshtin ndërkombëtarët?
-Hije skandali me ish-sigurisma, por që janë bërë pjesë e institucioneve të Vettingut, ndaj po vënë në pikëpyetje gjithë reformën në drejtësi.
-Denoncimi i PD: Prokurori i KLP, Bujar Sheshi është ish-bashkëpunëtor i Sigurimit me pseudonimin “Venusi”. Kreu i deputetëve të LSI, Petrit Vasili: Reforma ra. Arta Marku duhet të jap dorëheqjen dhe të hetohet, fshehu dokumentet e prokurorëve. Reagon ashpër prokurori Sheshi, i akuzuar: Nuk është e vërtetë!
Një denoncim i bërë dje nga Partia Demokratike kundër një anëtari të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) ka hedhur dyshime të forta mbi gjithë procesin e reformës në drejtësi. Deputeti i PD-së, Gent Stazimiri publikoi dje një dokument të Autoritetit të Dosjeve, ku sipas tij, thuhet se prokurori i KLP, “Bujar Sheshi ka qenë para viteve 1990 bashkëpunëtor i Sigurimit famëkeq të Shtetit”. Strazimiri publikoi dhe emrin “Venusi”, që sipas PD-së ishte pseudonimi me të cilin prokurori është regjistruar në dosjen sekrete si pjesë strukturave të shërbimit të fshehtë të diktaturës komuniste. Gjithashtu, deputeti i PD-së tha se dosja për verifikimin e figurës së këtij juristi është vonuar qëllimisht për rreth tre muaj në institucione dhe vetëm disa ditë më parë është lejuar të bëhet publike. Akuzave të rënda, prokurori Sheshi iu përgjigj dje në një prononcim dhënë për agjencinë “BIRN”. Ai deklaroi se qëndrime e PD janë sajesa, ndërsa shtoi se do të reagonte “sapo të informohem zyrtarisht sepse deri tani unë dhe as KLP nuk kanë ndonjë dokument në dorë”.
Një akuzë politike nga opozita apo mazhoranca nuk mjafton për të rrëzuar karrierën e një juristi, por në historinë e shfaqur këto ditë, ka disa detaje që janë flagrante për reformën në drejtësi. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ku bën pjesë dhe prokurori në fjalë, është cilësuar si institucioni më i rëndësishëm, ose si gjykata e prokurorëve të gjithë Shqipërisë. Normalisht njerëzit që janë zgjedhur aty duhet të ishin juristët më profesionistë dhe prokurorët që në dosjen e tyre nuk kanë as shkeljen më të vogël.
Në rastin në fjalë, vet prokurori e pranon se ende nuk e ka parë dokumentin zyrtar me të cilin e akuzon PD. Ndërkohë pastërtia e figurës së anëtarëve të KLP është bërë që gjatë procesit të kandidimit rreth 3 muaj më parë dhe dokumenti i parë që merret është verifikimi i figurës nga Autoriteti i Dosjeve. Rezulton se zgjedhja e prokurorit është bërë në organin më të lartë të prokurorisë, KLP, pa u pritur përgjigja zyrtare nga Autoriteti i Dosjeve të ish-komunizmit. Sipas ligjit, të gjithë kandidatët që duhet të garonin në KLP duhet të kalonin Vettingun dhe duhet të ishin verifikuar më parë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme për pastërtinë e figurës. Kryeprokurorja Arta Marku, sipas akuzave të PD, ka certifikuar një anëtar të KLP pa marrë përgjigje nga institucionet duke shkelur ligjin dhe duke futur një precedentë të rrezikshëm që ngre dyshime mbi gjithë anëtarët e tjerë të këtij institucioni. Dhe jo vetëm të KLP, por edhe KLGJ.
Kreu i deputetëve të LSI, Petrit Vasili deklaroi dje se kryeprokurorja Arta Marku duhet të përgjigjet ligjërisht për këtë skandal. “Arta Marku i është drejtuar Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në 26 tetor 2018. Autoriteti është përgjigjur në 22 janar 2019. Pra është shumë e qartë, që pa pritur përgjigjen e verifikimit mbi integritetin e figurës Arta Marku ka përcjellë kandidaturën si kandidat që plotëson kriteret, duke shpërdoruar detyrën në mënyrë flagrante. Shkarkimi i Arta Markut është vetëm hapi i parë”,- deklaroi Vasili. Por skandali nuk mbaron vetëm në zyrat e Prokurorisë. Më 24 tetor 2018, Bujar Sheshi kaloi Vettingun si prokurori i Krimeve të Rënda pa asnjë vërejtje serioze, përveç disa paqartësive për blerjen e një makine. Për pjesën tjetër, anëtarët e komisioneve të Vettingut, përfshi edhe ndërkombëtarët që monitorojnë procesin nuk kanë pasur asnjë rezervë. Pra edhe institucionet e Vettingut që betohen se po verifikojnë me themel prokurorët dhe gjyqtarët kanë shkelur ligjin, pasi kanë certifikuar një jurist pa pasur gjithë dokumentet.
Vetëm në këtë rast, nëse akuzat e PD, janë të vërteta, janë të paktën tre institucione të drejtësisë së re që kanë dështuar në mënyrë flagrante duke rrëzuar gjithë fasadën e reformës në drejtësi. Kanë lejuar një jurist, që dyshohet se ka probleme me të kaluarën komuniste të arrijë në majën e pushtetit të drejtësisë së re. Për reformën në drejtësi ka pasur akuza për ndërhyrje të qeverisë dhe vet Edi Ramës. Ka pasur dhe akuza dhe për përzgjedhje gjyqtarësh sipas shijeve politike dhe lidhjeve të afërta të qeverisë. Por kur një ish-sigurims, sipas akuzës dhe autoritetit të dosjeve, arrin në postin më të lartë të drejtësisë së re pa e kapur asnjë prej institucioneve të famshme të Vettigut, kjo tregon se reforma ka dështuar plotësisht. Në këtë proces gabimet njerëzore dhe harresa e dokumenteve nuk është variant i besueshëm. Një skenar që përflitet nga opozita është se prokurori u zgjodh për tu përdorur dhe në momentin që nuk zbatoi një urdhër, ata që e kaluan në Vetting i nxorën problemin e dosjes si ndëshkim.
Cilido qoftë skenari me spiunë të vjetër në drejtësinë e re apo shantazhe të politikës, jemi para një skandali ku të parët që duhet të flasin janë ndërkombëtarët. Në të kundërt Drejtësia po bie në duart e një klani mafioz politik, dhe kjo e rrënon me shumë drejtësinë dhe Shqipërinë./Arbër Marku/