Stimujt që po pret ekonomia

 

Selami Xhepa.

Tashmë po bëhen më shumë se pesë vite që ekonomia vazhdon të jetë në ritme rritje shumë të ulëta, zhgënjyese; kreditimi i ekonomisë ka rënë dhe në termat e stokut të tij ka një rënje nominale në raport me periudhën e pikut (nga rreth 42% e PBB-së, në rreth 39%); deficitet e larta fiskale në vend që të ndihmojnë në rikuperimin e ritmeve të rritjes ekonomike, vetëm sa kanë shtuar frikën e niveleve të larta të borxhit publik; politika e normave të ulëta të interesave e Bankës së Shqipërisë vetëm se po ndihmon uljen e kostove të financimit të qeverisë ndërkohë që ndikimi në sjelljen e sektorit privat mbetet shumë kontrovers (po godet kursimet pa arritur të stimulojë investimet); konjuktura e favorshme e tregjeve të mallrave energjetike, siç janë ulja e çmimeve të naftës në tregjet globale, nuk ka mundur të përkthehet në përfitim real për konsumatorët për shkak të deformimeve strukturore të tregjeve (mungesa e konkurrencës së lirë), ndërkohë që në krahun negativ efektet kanë qenë të plota (ulje e të ardhurave nga importet e naftës për shkak të çmimeve të ulura dhe të aktivitetit ekonomik të sektorit të prodhimit të naftës).

Mbi të gjitha, psikologjikisht agjentët ekonomik vazhdojnë të mbeten shumë pesimist, siç dëshmohet nga një numër vëzhgimesh dhe treguesish real, me firma dhe biznese që po rialokojnë investimet e tyre në vendet e tjera të rajonit, duke bërë që daljet e kapitaleve jashtë vendit të bëhen shqetësuese.

Vendi realisht ka nevojë për një qasje më strategjike të sfidave të zhvillimit të saj. Atij i duhet kthyer optimizmi – qytetarët dhe bizneset kanë nevojë të shohin dhe të ndjejnë që vendi është në një kurs reformash që vërtetë do të krijojnë më shumë shpresë dhe besim për një të ardhme më të mirë.

Një mori masash apo reformash që janë ndërmarrë nga qeveria, kanë ndeshur në skepticizëm nga sipërmarrja private, por dhe nga publiku i gjerë. Edhe në rastet kur këto masa janë të duartrokitura pasi synojnë sundimin e ligjit dhe disiplinës së tregut, dhe shoqëria jonë ka realisht nevojë të fillojë të mësojë ligjin dhe rregullat, zbatimi i këtyre masave shpeshherë shkon në ekstrem në sensin negativ. Nuk mund të ndalohet as sipërmarrësi dhe as qytetari të rregullojë shtëpinë apo pronën e vet. Ka nevojë për të vendosur rregulla të thjeshta dhe të zbatueshme nga qytetarët, dhe jo rregulla që janë të zbatueshme dhe vetëm se do të krijojnë kufizime të lirisë së aktivitetit ekonomik.

Edhe në disiplinën në sektorin e energjisë, grupet me varfëri të theksuar duhen asistuar edhe me energji falas deri në një sasi minimale për ndriçim dhe nevoja jetike bazike. Reformat nuk duhet të jenë vetëm të mira nga ana ekonomike, por të kenë dhe një sens të drejtësisë sociale, të barazisë së qytetarëve dhe subjekteve ekonomike, të thjeshtimit të sistemit rregullator dhe lehtësimit të zbatimit të rregullave, në mënyrë që qytetari të inkurajohet të zbatojë ligjin dhe jo shmangien e tij.

Ndarja e tapive të shtëpive që legalizohen është një moment i rëndësishëm për shoqërinë për të mbyllur një plagë sociale që u krijua nga kaosi i tranzicionit, por jo të përdoren këto ceremoni sikur janë ceremoni dekorimesh sepse mesazhi që përcjellim kështu është negativ. Do të ishte shumë domethënëse që kur jepen këto tapi, të flitej më shumë se “… sa e lehtë është të ndërtosh një objekt duke respektuar ligjin e urbanistikës, si mund të merret kollaj leja e ndërtimit, si mund të hipotekosh objektin që ke ndërtuar konform rregullave pa kaluar nëpër kalvarë burokracie rraskapitëse dhe që asnjëherë nuk përfundon.” Edhe për të kryer një meremetim shtëpie kërkohen më shumë letra e dokumente aq sa duket sikur gjysma e investimit i shkon qytetarit për studio inxhinierike dhe taksa bashkiake. Është kompleksiteti i sistemit ligjor e rregullator, bashkë me mungesën e përgjegjshmërisë së administratës lokale apo qendrore, ato që e dekurajojnë qytetarin të zbatojë ligjin dhe rregullin dhe jo dëshira e tyre për ta anashkaluar atë. Këto ndalime shpeshherë in extremis, bashkë me disa vendime politike të qeverisë në raport me disa investime apo kontrata publike të anuluara në mënyrë të njëanshme, dhe mesazhe politike shpeshherë dekurajuese që përcillen në forma të ndryshme, kanë krijuar një klimë mbytëse dhe pasiguri juridike për investitorët dhe qytetarët.

Vendi ka nevojë të prodhojë ngjarje dhe lajme pozitive për të ndryshuar këtë klimë pesimiste që po mbizotëron prej kohësh në vend. Duhet të gjejmë një motiv, një shtysë për ndryshime pozitive të psikozës shoqërore. Ndoshta një iniciativë për të hartuar një platformë strategjike që të përvijojë të ardhmen e vendit në dhjetë apo njëzet vitet e ardhshme, një dokument që të hartohet nga ekspertë të shoqërisë civile dhe botës akademike dhe që t’i nënshtrohet një debati të gjerë publik, mund të shërbente si një motiv i gjetur. Jo se një dokument i tillë do të zgjidh problemet e ditës dhe të qeverisjes ditë për ditë, dhe as nuk e shoh atë si shkopin magjik që mjafton ta shkruajmë këtë “bibël” dhe pastaj të mendojmë se problemet morën fund! Jo, ky mund të jetë fillimi i një pune të gjatë e të lodhshme, por njerëzit kanë nevojë të dinë se ku do të arrijnë. Ndoshta ky mund të ishte dhe një moment i rëndësishëm për të bërë një ndryshim në psikologjinë e njerëzve, për të krijuar më shumë entuziazëm dhe besim tek e ardhmja e vendit. Ekonomia nuk është një shkencë ekzakte, prandaj dhe është shumë e vështirë – sepse duke qenë veprim njerëzor, elementi psikologjik zë një vend qendror në shpjegimin e fenomeneve që ajo prodhon. Një moment psikologjik optimist apo pesimist, gjeneron procese ekonomike t jashtëzakonshme, duke e bërë ciklin ekonomik një “profeci vetpërmbushëse”, siç e thotë psikologu i famshëm Merton.

Por, duke u ndalur tek ajo që mendoj se është “emergjenca e ditës”, kreditë problematike dhe ecuria e ekonomisë sot dhe në të ardhmen, nevoja për një ndërhyrje energjike dhe sa më të shpejtë është një “must”. Dy fakte nga studimet akademike empirike: literatura e krizave financiare nënvizon një nivel të kredive problematike prej 10% të portofolit si një sinjal të rëndësishëm për ndërhyrje. Në Shqipëri ky tregues ka vazhduar për një kohë të gjatë të rrijë në nivele të larta, duke arritur në 24% të totalit – një shifër kjo shumë shqetësuese, ndoshta jo aq për stabilitetin e sistemit financiar, por për të ardhmen e ekonomisë. Fakti i dytë nga literatura lidhet me periudhën e rikuperimit të ritmeve të rritjes së kredisë. Vendet që kalojnë në periudha të “shembjes së tregut të kredive”, kanë kërkuar mesatarisht pesë vite që të rikthehen në trendet normale të rritjes. Në vendin tonë tashmë kjo periudhë është mbushur – që prej vitit 2009 – dhe viti në vazhdim jo vetëm që nuk po jep shenja pozitive, por përkundrazi rreziqet vazhdojnë të mbeten të larta. Të dy këto fakte që kanë dalë nga studimi empirik i historisë financiare, mendoj se e bëjnë emergjente nevojën e shqyrtimit të mënyrave të rivendosjes së disiplinës financiare si tek bankat dhe tek kompanitë.

Ndërtimi i një platforme që do të japë rrugëzgjidhjet konkrete është nënvizuar se është duke u përgatitur nga qeveria, Banka e Shqipërisë dhe FMN, dhe ky artikull nuk pretendon të bëjë një gjë të tillë, por thjesht mjaftohem me disa parime që nga pikëpamja e interesit të përgjithshëm publik mendoj se duhen marrë në konsideratë.

Së pari, transparenca ndaj publikut. Askush në Shqipëri nuk ka dijeni se sa i kanë kushtuar taksapaguesve shqiptar ristrukturimi i sistemit bankar të bërë në dekadën e parë të viteve ’90 – mbyllja e Bankës Agrare, rikapitalizimi i Bankës së Kursimeve, ristrukturimi dhe privatizimi i Bankës Tregtare. Në standardet e një shoqërie demokratike kjo është e papranueshme, absurde. Në rrethanat e tanishme të stadit ku është shoqëria jonë, besoj se do të jetë e papranueshme që hartuesit e kësaj platforme të mos e mbajnë në konsideratë këtë parim, duke publikuar informacionet më të hollësishme të kostove të procesit dhe se kush i paguan ato.

Së dyti, zgjidhja sa më parë e këtij ngërçi është me përfitime për të gjithë palët, prandaj edhe duhet vepruar me shpejtësi dhe me një kalendar kohor sa më të ngjeshur. Një periudhë tremujore mund të shpallet si një “moratorium” për të ngrirë marrëdhëniet e debitorëve dhe kreditorëve (bankave dhe biznesit, duke përfshirë dhe familjarët për kredinë hipotekore) dhe palët të rinegociojnë termat e reja kontraktore. Nga një zgjidhje e shpejtë, biznesi nuk përballet me falimentimin; bankat nuk rëndojnë gjendjen e tyre me rritjen e kostove të parasë për shkak të kushteve të ashpra të kredisë; Banka e Shqipërisë shmang pasojat e  rritjes së rreziqeve sistemike që mund të krijohen për shkak të efektit zinxhir: falimentimi i disa bizneseve mund të shoqërohet dhe falimentime të tjera dhe humbje të më shumë kredive; qeveria nuk rrezikon rënien e mëtejshme të ekonomisë dhe rreziqet e një krize të mundshme ekonomike dhe financiare që do të kishte kosto të papërballueshme.

Së treti, shpëtimi i duhet ofruar vetëm kompanive që plotësojnë kritere që janë ligjore, që kanë probleme likuiditeti dhe jo të paaftësisë paguese (për shembull, kanë bilance me fitim gjatë tre viteve të fundit – duke faktorizuar këstet e kredisë). Kjo nënkupton se negociatat midis kreditorëve (bankës) dhe biznesit duhet të jenë individuale.

Së katërti, zbatimi i ristrukturimit duhet të niset nga bankat dhe të përfshijë jo vetëm thjesht zgjatjen e afatit të maturitetit të principalit të kredisë, por, të përfshijë edhe: (1) faljen e interesave të maturuara; (2) zbatimin një norme interesi për kredinë e re më të ultë. Idealisht kjo mund të lidhej me normën mesatare vjetore të interesit që banka paguan për depozitën (në monedhën e kredisë) plus një komision jo më shumë se 2% për shpenzimet administrative dhe përballimin e rreziqeve të veprimtarisë së bankës. (3) mundësinë e faljes së një pjese të borxhit për kompanitë që arrijnë të paraqesin plane ristrukturimi që çojnë në zgjerimin e veprimtarisë së tyre në vitet në vijim dhe që mund të luajnë një rol katalizator për ekonominë në tërësi. (4) vënien në zbatim të kontratave swap-equity: bankat të marrin pronësinë e aksioneve të firmave në masën e kredisë së pashlyer dhe të mbeten në ortakëri në menaxhimin e biznesit deri në shlyerjen e plotë të saj.

Së pesti, bizneset duhet të ofrojnë gjithashtu alternativat e tyre duke përgatitur plane ristrukturimi: (1) duke shitur vetë asete që janë të panevojshme për veprimtarinë e tyre ekonomike dhe duke përdorur të ardhurat e krijuara në uljen e stokut të borxhit; (2) duke hartuar plane të reja biznesi dhe programe të ristrukturimit organizativ dhe drejtues, kredibël dhe të besueshëm për bankat; (3) duke ofruar vetë kontratën swap-equity, qoftë me bankat kredidhënëse apo institucione të tjera financiare.

Së gjashti, duhet krijuar mundësia e një mekanizmi tribunal të posaçëm për ekzekutimin e kolateralit, në rastet kur firmat janë në paaftësi paguese dhe falimentimi mbetet zgjidhja e vetme ligjore.

Krijimi i një arkitekture të re institucionale në marrëdhëniet bankë-biznes përfshinë edhe krijimin e një mekanizmi institucional që do të trajtojë të gjithë kontratat e reja të riskeduluara të kredive dhe do të garantojë transparencën e nevojshme që skema të jetë e hapur njëlloj për të gjithë kredimarrësit problematik. Nga ana tjetër, ky forum do të veprojë dhe në rolin e arbitrimit të marrëveshjeve të reja, në linjë me atë që njihet si “Podgorica approach” dhe që u zbatua nga fqinji ynë, Mali i Zi për zgjidhjen e këtij problemi. Në po këtë frymë, një ligj i posaçëm (Lex Specialis) është i nevojshëm që të adoptohet nga Parlamenti që t’i japë fuqi ligjore mekanizmave institucional të krijuara në këtë frymë, si një zgjidhje që nuk përfundon në procedurat e ligjit të falimentimit, një ligj që gjithashtu duhet të rishqyrtohet në kontekstin e kushteve të krijuara.

Në një plan më afatgjatë, mendoj se modelet e biznesit duhet të rishihen si për bankat ashtu dhe për investitorët. Bankat duhet të kuptojnë se interesi i tyre afatgjatë është investimi në bizneset e shëndosha dhe me perspektiva afatgjata në treg. Legjislacioni mbi sistemin bankar dhe kuadri rregullator i Bankës së Shqipërisë duhet të ndalojnë përdorimin e praktikave të ndryshimeve të njëanshme të kushteve kontraktore nga bankat, sa herë që kushtet e tregut bëhen më të favorshme për biznesin. Ose, për hir të simetrisë së sistemit, edhe biznesit t’i njihet e drejta që kur ekonomia është në rënie (shitjet dhe xhiroja e biznesit është në rënie), atëherë edhe këstet e kredisë të përshtaten sipas një koeficienti rënës në mënyrë që të mos shtohen edhe më shumë vështirësitë e biznesit për likuiditet.

Fillimi sa më shpejt i një procesi të tillë dialogu, së pari në nivel kombëtar për të ndërtuar një vizion se ku duam të arrijmë në dy dekadat e ardhshme, dhe së dyti për të rivendosur normalitetin në marrëdhëniet bankë-biznes, mund të ishin një momentum pozitiviteti për aktorët e shoqërisë dhe për të krijuar më shumë shpresë për të ardhmen e vendit tonë, ku duam të jetojmë në paqe dhe të ndërtojmë një jetë më të mirë.

 

SHKARKO APP