Streha e kryeministrisë dhe kryeministri artist

 

Pasi ka përfunduar skicimin e kontureve të shtëpisë së tij të çuditshme në Surrel, kryeministri i është rikthyer Tiranës dhe Shqipërisë, pa marrë parasysh se ato janë shtëpia jonë e përbashkët dhe jo prona e tij private. Ndërhyrja e fundit që Edi Rama i bëri fasadës së godinës së kryeministrisë, është jo vetëm një akt i paligjshëm por edhe një shenjë e mospërfilljes totale ndaj të drejtës së qytetarëve mbi një pasuri të përbashkët. Streha kuturu, që kryeministri e ka kapur me kabllo mbi fasadën 100-vjeçare të godinës së qeverisë shqiptare (jo vetëm të kabinetit Rama) nuk ka asnjë ndryshim nga barbarizmat e shtesave dhe ndërtimeve pa leje për të cilat ai përbetohet se do t’i shembë e do t’i ndalë njëherë e përgjithmonë. Strehëza gazmore, me drita dhe efekte, nuk dallon nga mijëra sajesa që e kanë kthyer Shqipërinë në një vend pa identitet urban dhe në një rast të veçantë studimi arkitekturor. Si e tillë, kjo strehë shënon simbolin e vulës që Edi Rama kërkon t’i lërë Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Si ish- kryetar bashkie, ai ka sot përgjegjësinë kryesore të betonizimit të qytetit, të ngritjes së pallateve mbi objektet e trashëgimisë kulturore, të zhdukjes së parqeve dhe tretjes së trotuareve. Ai sajoi një miks urbanistik në funksion të titujve të gazetave ndërkombëtare, që më shumë habiteshin me lehtësinë e një njeriu për të përdorur një qytet të tërë si lodër personale, sesa me veprën pa identitet që ai krijoi. Si një frankeshtajn, kryetari i dikurshëm i Bashkisë ngjizi një monstër që vetëm qytet nuk mund të quhet. Dhe tani i është rikthyer përsëri. Godina e kryeministrisë bën pjesë në ansamblin monument kulture të kryeqytetit, status të cilin e kërkoi vetë Rama dhe madje e bindi kryeministrin e asaj kohe, Ilir Meta, të derdhte 700 milionë për restaurimin e fasadave të ministrive, të projektuara nga Brasini. Mirëpo, në vijim të filozofisë së tij “bëni si them unë, mos bëni si bëj unë”, kryeministri- artist i bëri një shtesë godinës së Këshillit të Ministrave. Një shtesë të ideuar prej tij, sigurisht, dhe e zbatuar nga dishepujt e tij. Çfarë ndjenje mund të jetë për një artist, që vërtet në pëlhurë nuk arriti të lërë gjurmë, por ama një qyteti, madje tashmë një shteti, mund t’i ngjisë në trup shenjat e tij. Vetëm me këtë delir mund të shpjegohet guximi i kryeministrit për të ndërmarrë me kokën e tij nisma të tilla. Streha me drita është kulmi i një sërë eksperimentesh që kryeministri- artist po i bën pa përfillur as komunitetin e as ligjin. Caktoi që në mure të institucioneve të mos ishte kryetari i shtetit, por Ismail Qemali. Një shtatore nënë Terezë e shkuli dhe një tjetër e nguli sipas shijeve të veta. Ndërtoi një kullë të frikshme në Korçë e po derdh fantazinë krijuese në sheshet e qyteteve të tjera. Mbolli palma në Tiranë dhe vuri drita të kuqe në rrugë. E plot të tjera, për të mbërritur tek strehëza gazmore në godinën shekullore. Normalisht, ndërhyrje të tilla në një vend normal do të kërkonin diskutime ekspertësh, referendume, konkurse e studime. Por kur kemi një kryeministër- artist, përse të humbasim kohë me gjëra të kota? Kryeministri në fakt ka kohë boll, por ai e quan humbje edhe të kohës së tepërt konsultimin me ligjin dhe komunitetin. Strehëza gazmore është simbol edhe i arrogancës, mospërfilljes dhe injorimit që individi i bën masës. Është bindja e verbër se çdo gjë që bën udhëheqësi, populli duhet vetëm ta duartrokasë. Edi Rama ka të njëjtat simptoma të liderëve provincialë që besojnë se nuk janë votuar për të administruar, por janë zgjedhur për të ndriçuar. Prandaj çdo kapriçio të tyren, çdo delir madhështie dhe çdo dell krijimtarie e eksperimentojnë qorrazi mbi qytetarët, të bindur se kjo është një e drejtë që u takon. Edi Rama i ka fituar zgjedhjet, ato të dy viteve më parë dhe këto të para pak ditëve. Por ai nuk ka fituar të drejtën që të sillet me vendin si me instalacionin e tij personal në Surrel. Ai duhet të thërrasë INUK-n që ta shkulë atë strehë qesharake nga trupi i godinës së Brasinit. Dhe të ulet e të merret me qeverisjen e vendit, me ekonominë, papunësinë, investimet e mëdha publike, sigurinë dhe mirëqenien e atyre që e kanë zgjedhur në atë detyrë. Të heqë dorë nga deliri i kryeministrit- artist dhe t’i përkushtohet artit të kryeministrit, nëse vërtet e konsideron veten të tillë. 

SHKARKO APP