“Sudja” dhe “Gianni de Biazi”

 

Nga Anila Basha,

drejtore www.newsbomb.al

 Ju kujtohet Sudja? Ajo arkëtaria rome që mblodhi lekët e 13.000 njerëzve nga e gjithë Shqipëria, me interesa 100% dhe…bëri 5 vjet burg. Sot nuk e di ku është! Nëse është diku, e pershëndes, sepse është aty edhe me kontributet e familjes time.

Sot jetojmë kohë tjetër. Eshte koha kur Shqiperia (kombëtarja e futbollit) ka trajner Gianni de Biazin. Por sot Shqipëria ka edhe banka. Banka private. Ka banka greke, turke, arabe dhe austriake. Ka banka bullgare, por ka edhe shqiptare. Njerës prej tyre para më shumë se nje viti iu vra në rrugë drejtori i vet, që në gjuhën e bankierëve quhet “CEO”.

Të gjithë mund të kemi hasur apo dëgjuar histori me “banka”, por u habita shumë me njerën prej tyre teksa e hasa këto ditë; pikërisht keto ditë kur ministrat së bashku me kryeministrin tim organizuan një konferencë se si të mbrohen bankat me qëllim që të mbrohet ekonomia e vendit ku jetojmë. 

Historia e fqinjit tim të ardhur pas shumë vitesh larg nga emigrimi është shumë e thjeshtë në fabul: dikur kërkoi një kredi për shkollim, në vitin 2006. Mori 5 milionë lekë të vjetra si i themi ne, apo 500 mijë si i thonë bankieret. Për fatin e tij por jo për vullnetin, pati probleme: Jo vetëm nuk u shkollua por përfundoi shumë keq edhe ne emigracion. Fati i mirë këtë vit e risolli në Shqipëri dhe menjeherë sapo mbërriti mori një njoftim nga banka. Njoftimi tregonte se duhet të paguante rreth 85 milionë të vjetra apo 8,5 milion të reja si i thonë në gjuhën financiare. E pabesueshme por edhe e vërtetë, njëkohësisht. Shpjegimi i “bankës” kishte qenë i thjeshtë dhe i ftohtë, tamam si kompjuteri që mbante të përllogaritur pa pushim gjithë ditët, muajt dhe vitet e interesave të këtij borxhliu. I urova fat të mirë fqinjit duke i sugjeruar të kthehej në dhe të huaj, nga ku mund të dëgjonte nga larg për “kompjuterin” që do formonte shifrën 100 milionë pas disa kohësh.

Kjo histori e trishtë më ktheu vëmendjen tek shumë të tjera syresh, të njëjta apo përafërta, të cilat vrasin veshët tanë hera herës, por jo mendjet që na janë ngujuar tek “politika e madhe” allashqiptare, e ditëve, viteve, apo e shekullit të fundit..

Pasi hulumtova mbi disa materiale fillestare në fushën ekonomike apo bankare zbulova “vezën e kolombit” të sistemit tonë bankar. Këtu te ne, “kompjuteri” apo “sistemi” ecën pa pushim pasi s’ka asnjë kontrroll mbi të. Kjo për arsyen e thjeshtë, se: Sistemi kompjuterik bankar është më i fortë se ai mbikqyrës apo auditues i shtetit.

Kjo është edhe arsyeja që interesat super të larta të kredive, me qellime të qarta spekulimi dhe tejet irreale, thjesht në formën e fajdeve, sot kanë tejkaluar shumëfish herë të gjitha firmat e dikurshme piramidale dhe nuk po bëjnë gjë tjetër veçse po rrënojnë plotësisht njerëzit e thjeshtë (por edhe ata të “përbërë”) që kanë marrë kredi.

Lexova diku se: “Nevojat e publikut për kredimarrje duhet të shihen edhe në këndvështrimin e elementit social po aq sa edhe human kur përcaktohen politikat e interesave bankare. Interesat realisht të pranueshme që mund të vihen në marrëveshjen e palëve, do të duhet të ndihmojnë si atë që e merr kredinë edhe atë që e jep, d.m.th. bankën; sepse për bankën të ardhurat për interesat përbëjnë fitimin kryesor të saj”.

Po ku është këndvështrimi social i bankierëve në Shqipëri që në fakt nuk janë shqiptare, por bashkë me shqiptarët i llogarisin interesat e shqiptarëve? A kanë dijeni autoritetet qeveritare se në çfarë kushtesh ushtrohet dhe ndiqet aktiviteti i kredidhënies dhe kredindjekies në Shqipëri?

Eshtë shumë e lehtë të mbledhesh fakte reale rreth kesaj. Ministrat e Ekonomise apo Financës do ta kenë shumë herë më thjeshtë se sa t’i bëjnë “fresk” disa bankierëve me konferenca mondane. Bashkë me Guvernatorin.

Jane vetë shqiptarët e sistemit bankar që japin të dhena rreth tij.. Janë vetë ata që mund të ndihmojnë për të vendosur pak drejtësi për “borxhlinjtë” shqiptarë, të cilët meritojnë më shumë respekt njerezor se sa ai kompjuterik që serviret si mekanizëm jashtokësor i ardhur nga Marsi.

Fakt: Në Republikën tonë mund të kontrrollohet kushdo por jo bankierët. ILDKP-ja në vendin tonë kontrollon pasuritë e të gjithë funksionarëve, gjyqtarë, prokurorë, kryetarë bashkish apo drejtorë, madje edhe atë të Guvernatorit apo Këshillit Mbikëqyres të Bankës së Shqipërisë, vetëm pasuritë e bankierëve, jo. Ata janë të ruajtur me..mungesë ligji.

Parajsa fiskale e moskontrrollit ka bërë që “CEO-t” e huaj të bankave të gjejnë “Of-Shorin” e tyre këtu, ne vendin tonë. Shumë prej tyre kanë marrë shtetësinë, pasaportën që ka shqiponjën shqiptare. Sidomos drejtuesit e bankave më të mëdha në vendin tonë. Përse ndodh kjo? Mos vallë të gjithë janë të dashuruar apo të dobishëm me/për Shqipërinë si Gianni de Biazi? Apo mos vallë paraja e fituar në Shqipëri mund të depozitohet më e sigurt këtu në Shqipëri, nën diellin e ngrohtë të kësaj klime dhe parajse fiskale, se sa në vendet e tyre të origjinës?

Këto janë disa pyetje që kërkojnë verifikim, ashtu si Gianni de Biazi që të paktën pas disa ditësh kërkon një barazim.

Ai do na çojë ne në Francë.

Po bankieret ku do na çojnë?!

SHKARKO APP