“Sulltan” Rama pushtoi bashkinë e parë të Bashës

-Pas rënies së “kalasë” demokrate të Devollit, ushtria e Rilindjes me fermanin e kryerilindasit (Sulltani të ri) në dorë do të vijojë drejt Kolonjës, Përmetit, Gjirokastrës, Beratit, Mallakastrës, Kamzës, Lezhës, etj. Synimi final është që të mbërrijë deri në muret e Kalasë së Shkodrës. Rrugëtimi i ushtrisë së Rilindjes ka parashikuar që veç profesionistëve në hapjen e bravave të përdorin përçarjen dhe çdo mjet brenda radhëve të luftëtarëve demokratë.

Pas fushatës së zgjedhjeve moniste të 30 qershorit, kryeministri Edi Rama e ka ndarë mendjen t’i shkojë deri në fund marrjes nën kontroll të 61 bashkive të vendit. 30 qershori mbetet një datë që edhe pse PS e cilëson si ditë zgjedhjesh, ligjërisht nuk ka asnjë vendim të Gjykatës Kushtetuese që ta quajë të tillë. Dekreti i kreut të shtetit që e anuloi si proces zgjedhor duhet që të vlerësohet nga gjykata më e lartë e vendit, e cila edhe pse u premtua nga qeveria se do ishte gati në muajin korrik, realisht duket ende larg.

Ndërkohë opozita nuk njeh rezultatin e 30 qershorit e për pasojë as emrat e kryebashkiakëve që në zgjedhjet monopartiake u votuan nga më pak se 15% e shqiptarëve. Për 30 qershorin ka një mal me shkelje ligjore dhe kushtetuese nga ana e qeverisë duke e vënë në pikëpyetje çdo kryetar bashkie që ka dalë nga votimet. Ka kritika pa fund nga OSBE që e cilësojnë procesin një votim brenda Partisë Socialiste dhe jo zgjedhje për qytetarët shqiptarë. Gjithashtu ka dhe probleme morale sesi një kandidat që është votuar nga 5 mijë apo 10 mijë banorë ka legjitimitetin për të drejtuar një bashki me 100 mijë banorë a më shumë. Pra, me 30 qershorin pakica ka marrë në dorë fatet e shumicës dhe në këtë pikë çdo parim demokratik ka rënë. Por të gjitha këto probleme ligjore dhe morale nuk kanë rëndësi për Edi Ramën. Kryeministri me çdo kusht kërkon të marrë nën kontroll edhe ato bashki që nuk ishin të PS-së. Në këtë pikë, ajo që po bën Partia Socialiste këto ditë më bashkitë që kanë drejtues të opozitës nuk është zbatim ligji, por një pushtim.

Të gjithë ata që mendojnë se fjala pushtim përdoret vetëm në historitë mes Skënderbeut dhe turqve, lë të shohin atë që ndodhi dje në Bashkinë e Devollit. Paradite, kryetari legjitim, së bashku më mbështetësit e tij, nuk lejoi që kandidati i PS i 30 qershorit të bënte betimin në zyrat e institucionit. Qindra banorë të  Devollit u mblodhën në bashki dhe bllokuan me tavolina e trupat e tyre çdo hyrje nga ku mund të vinin socialistët. Njëlloj si në rrethim kalaje bllokuan edhe rrugët nga ku mund të vinin “pushtuesit” rilindas. Pasdite, pas përfundimit të orarit zyrtar, kandidati i PS që fitoi më 30 qershorin u shfaq me ushtrinë e mbështetësve të tij para portave të bashkisë. Në duar mbante fermanin e Edi Ramës dhe KQZ-së që e urdhëronin të merrte Devollin. I rrethuar me policë dhe gardën e militantëve të PS-së, njëlloj si jeniçerët e dikurshëm, rrethuan godinën e bashkisë. Fatmirësisht nuk duhej të përdorin as policinë dhe as mjete të rënda sulmi. E vetmja armë që u vu në përdorim ishin kaçavidat dhe darët për të shpërthyer portat e institucionit. Pas thyerjes së derës, urdia e socialistëve që shoqëronte pashain e ri të Devollit thirri fitore dhe u lëshua në zyrat e bashkisë. Siç ndodh pas çdo beteje që bëhet me ferman, tani nis puna për ndarjen e plaçkën e luftës. Në këtë mënyrë, Edi Rama pushtoi dje bashkinë e parë duke e marrë jo me vota, po me hapës bravash dhe jeniçerë e kamikazë politikë. Demokratët thonë se të hënën do të paraqiten prapë në punë në Bashkinë e Devollit, por kur nuk e mbrojtën dot kalanë nga brenda, vështirë se do të mund t’a marrin atë sërish nga jashtë. Për çdo rast, gjenerali Sander Lleshi është vërdallë “kalave” që po merr PS-ja. Urdhri i Rilindjes është që ashtu si në romanin “Kështjella”  të Kadaresë, territoret e reja që po pushton PS-ja të mbrohen me çdo mjet. Pas rënies së “kalasë” demokrate të Devollit, ushtria e Rilindjes me fermanin e kryerilindasit në dorë do të vijojë drejt Kolonjës, Përmetit, Gjirokastrës, Beratit, Mallakastrës, Kamzës, Lezhës, etj. Synimi final është që të mbërrijë deri në muret e Kështjellës së Shkodrës. Rrugëtimi i ushtrisë së Rilindjes ka parashikuar që veç profesionistëve në hapjen e bravave të përdorin përçarjen dhe çdo mjet brenda radhëve të luftëtarëve demokratë.

Dje “sulltan” Rama e mori një “kështjellë” në Juglindje të Shqipërisë, tamam nga ajo rrugë kur erdhi para disa shekujve Sulltan Murati i I-rë (1362-1389) për të pushtuar vendin e shqipeve./Mili Xhani/

SHKARKO APP