Taksa për gazin, LSI kundër PS-së

Projekti i qeverisë për të rritur taksën për gazin e lëngshëm ka hasur dje në kundërshtimin e fortë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në taksat e reja që hyjnë në fuqi në janar, Ministria e Financave dhe Ministria e Energjetikës kanë parashikuar rritjen me 13 lekë ose 25 përqind për litër të gazit të lëngshëm. Aktualisht çmimi i një litre gaz i lëngshëm arrinë deri në 65 lekë. Me taksat e reja pritet të shkojë 80 lekë për litër.  Arsyeja pse përdoret gazi në automjete deri më sot lidhet me koston e tij të ulët. Nisma e qeverisë prek pikërisht pronarët e automjeteve me gaz duke e çuar çmimin pothuaj afër karburanteve të tjera, si benzina dhe nafta. Rritja e çmimit përveç se dëmton direkt xhepat e konsumatorëve që përdorin këtë produkt, por  nxjerr jashtë loje dhe investimin që kanë bërë për vendosjen e impianteve në çdo makinë. Ministria e Mjedisit ka llogaritur se janë disa mijëra pronarë automjetesh që dëmtohen nga kjo rritje takse. Nga ana tjetër, studimet e mjedisit tregojnë se gazi i lëngshëm është më pak ndotës në mjedis sesa nafta dhe benzina. Duke vendosur taksa të njëjta për të gjitha produktet, Qeveria indirekt favorizon ndotjen e ambientit. Nëse do të kërkohet mbajtja pastër e mjedisit institucionet duhet të investojnë që pronarët e makinave të shkojnë drejt përdorimit të gazit. Por me vendimin e fundit për rritjen e taksave për gazin, po bëhet e kundërta.

Nisur nga këto shqetësime kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili i ka dërguar një letër Kuvendit, ku kërkon që të mos miratohet neni për rritjen e akcizës për gazin e lëngshëm që përdoret nga automjetet. Kreu i deputetëve të LSI argumenton se kjo rritje është shumë e lartë në krahasim me çmimin e gazit për automjete që është aktualisht. Nga ana tjetër, Vasili shprehet se numri i makinave që punojnë me gaz është rritur ndjeshëm ndaj taksat e reja do dëmtojnë mjaft qytetarë. Por veç qytetarëve, Vasili shprehet se do të jenë dhe mjaft biznese ato që preken nga vendosja e kësaj takse. Sipas tij, “biznese të vogla dhe të mesme, edhe të mëdhenj mes tyre, mjetet e transportit prej kohësh për efekt kostoje i kanë orientuar drejt përdorimit të gazit të lëngshëm. Rritja me 13 l/litër ose më thjesht akoma një rritje me më shumë se 25% të çmimit aktual, do t’i rëndonte së tepërmi buxhetet e këtyre sipërmarrësve”.

Që qeveria të kërkoj të marrë më shumë taksa dhe të ardhura është e normale dhe bazohet në politikat fiskale. Por rritja në mënyrë kaq të shpejtë e taksave për produkte të veçnata, në vend që të shërbejë për rritjen e ekonomisë mund të sjellë efekt të kundërt. Duke u marrë me shumë para qytetarëve dhe bizneseve për gazin, godet atë pjesë të ekonomisë që ka nevojë të mbështetet me politika fiskale dhe jo t’i rritet barra e taksave. Edhe relacioni që kanë dhënë ministritë për këtë rritje taksash është jo i qartë. Në Komisionet Parlamentare është thënë nga ekspertë të ministrive se rritja e akcizës për gazin e lëngshëm do të rregullojë procesin kaotik të mbushjes së bombolave të gazit në pikat e shpërndarjes. Që pikat e shpërndarjes së gazit kanë probleme me sigurinë kjo është diçka që dihet.  Por a është zgjidhja e kësaj situate rritja e taksave? Për çështjen e sigurisë ka inspektorate, polici dhe struktura të tjera që japin licenca. Mjaftojnë që ato të kryejnë detyrën dhe nuk është nevoja që tu shtohet edhe një taks më shumë qytetarëve. Kërkesa për rritjen e taksave të gazit duket si një lobim i kompanive kryesore të importit të naftës në vend, të cilat po ndjehen të konkuruara nga rritja e numrit të makinave që përdorin burime alternative energjie.

Por edhe pse çështja e lobimit të bosëve të  naftës është hipotezë, rritja e buxhetit me taksa të tilla nuk i shërben ekonomisë së vendit. Janë më bindëse arsyet që paraqet LSI-ja, duke argumentuar se me rritjen 13 lekë sot do të dëmtohen mjaft ekonomi familjare dhe biznese nesër. Qeveria ka jo pak arritje përsa i përket situatës me financat dhe mbledhjesë së taksave. Realisht ministri i financave Arben Ahmetaj po bën punë të mirë në mirëadministrimin e taksave dhe drejtimin e financave të vendit. Fushatat kundër informalitetit, dy vitet e fundit, kanë dhënë efektet e tyre pozitive. Vendosja e kasave fiskale, kontrollet e rrepta në bizneset abuzive dhe detyrimi për çdo kompani që të respektoj ligjin ndryshuan gjithë panoramën e biznesit në vend. Por mania për të shtanguar “rripin” me taksa në çdo shtresë të shoqërisë mund të kthehet në notë negative.

Ndaj kërkesa e LSI ka nevojë për përgjigje pozitive nga kryeministri Rama. Partneriteti bëhet duke dëgjuar njëri tjetrin, aq me tepër kur flitet për të pakësuar taksat popullit.

Qamil Xhani

SHKARKO APP