Të gjithë paskan ndryshuar emrat!
Procesi i dekriminalizimit pritej që të nxirrte zbuluar kriminelët dhe zyrtarët me precedentë penale në politikën dhe administratën shqiptare. Por në vend të kriminelëve dolën vetëm zyrtarë me shumë emra, ose me emra të ndryshuar. Fenomeni i ndryshimit të emrave apo mbiemrave nuk haset vetëm tek kryetarët e bashkive, por nis që nga kreu i shtetit, kryeministri dhe shumë deputetë të tjerë.
Dje parlamentit publikoi vetëdeklarimet e zyrtarëve të institucioneve kushtetuese. Ajo që ra në sy është se në deklarimet e zyrtarëve i vetmi pyetësor që është ndryshuar është ai i të dhënave personale për emrin dhe mbiemrin. Kështu, Presidenti Bujar Nishani është ndër zyrtarët që ka ndryshuar gjeneralitetet. Në formularin e vetëdeklarimit për efekt të dekriminalizimit Presidenti bën publik faktin se ai në dokumentet e shkollës ka mbajtur mbiemrin e Mehmeti, një mbiemër ky tjetër i familjes së Presidentit. Çështja e ndërrimit të kreut të shtetit është bërë publike më parë nga vetë ai në disa intervista gjatë marrjes së mandatit. Mbiemri i tij është ndërruar për shkak të pasojave që mund të kishte familja gjatë sistemit komunist, pasi ishin të afët me Omer Nishanin, i cili u cilësua nga regjimi komunist si kolaboracionist. Pas viteve ’90 Presidenti ka ndryshuar mbiemrin në Nishani.
Njëlloj si në hierariknë shtetërore pas Presidentit zyrtari tjetër që ka ndryshuar emrin është Edi Rama. Kryeministri deri në vitin 2002 zyrtarisht kishte emrin Edvin, por më pas e ka ndryshuar me emrin që e njohin të gjithë Edi. Që pas hyrjes së tij në politike, ish-kryeministri Sali Berisha e ka quajtur gjithmonë Edvin Rama. Mendohej si ishte një trill i doktorit për të transformuar emrin. Por në fakt, informacionet Berishës kanë qenë të sakta, siç e pranon dhe vetë Kryeministri në vetëdeklarimin e tij.
Për shkak se nuk është deputet dhe nuk ka funksione shtetërore, kreu i PD, Lulzim Basha nuk e ka kryer vetëdeklarimin për dekriminalizimin. Jo zyrtarisht mësohet se edhe kreu i opozitës, Lulzim Basha ka përdorur tjetër emër. Bëhet fjalë për kohën kur ka qenë me studime në Holandë. Por ndryshe nga zyrtarët e tjetër, Basha nuk e ka të ndryshuar emrin në gjendje civile, por vetëm në rrethet shoqërore.
Nga përfaqësuesit e institucioneve të tjera kushtetuese rezulton se gjeneralitetet i ka ndryshuar edhe kryetarja e KQZ-së, Lefterije Luzi. Emri i saj i mëparshëm ka qenë Lumturie. Veç saj, edhe anëtarja e KQZ-së, Vera Shtjefni ka ndërruar emrin. Më parë ajo ka pasur emrin Luçe. Edhe anëtari tjetër i KQZ, Klement Zguri rezulton se ka ndryshuar emrin në gjendje civile. Emri i tij i mëparshëm ka qenë Klementin.
Në listën e drejtuesve të institucioneve që kanë ndërruar emrat është dhe ish Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Sipas formularit të vetëdeklarimit Kule, rezulton se më parë quhej Theodhor Kuli, ndërsa prej vitesh ai njihet dhe zyrtarisht me gjeneralitetet, Dhori Kule.
Me emër të ndryshuara rezulton dhe anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës në Bankën e Shqipërisë, Ela Golemi. Më parë ajo quhej Manurela Golemi.
Listat te deputetët që kanë ndryshuar emrat është edhe më e gjatë. Deputeti socialist. Armando Prenga në formularin e tij të vetëdeklarimit thotë se ka përdorur në të shkuarën edhe emrin Mondi. Deputet i Partisë Socialiste në Qarkun Korçë, Ilir Xhakolli,ka deklaruar se më parë ka mbajtur emrin Ilirjan. Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu po ashtu figuron të ketë ndryshuar mbiemrin. Më parë ai është quajtur me emrin Fatmir Mehdihoxha. Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Fierit, Robert Bitri në formularin e tij ka deklaruar se ka përdorur në të shkuarën edhe emrin Albert. Edhe një tjetër deputet i LSI-së, Shkëlqim Selami, po ashtu ka ndryshuar mbiemrin, që më parë e ka pasur Selamini. Në listën e zyrtarëve që kanë ndryshuar emrat figuron dhe kreun i demokristianëve, Nard Ndoka. Kreu i PDK deklaron se më herët ka mbajtur emrin e pagëzimit Mark.
Në listën e zyrtarëve me disa emra janë dhe disa kryetarë bashkisë. Kryebashkiaku i Hasit, Adem Lala, më parë është quajtur Dem Lala. Kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi deri në vitin 2002 ka mbajtur emrin Ervin Roshi. Ndërsa rekordin e mban Kryebashkiaku i Kurbinit, Artur Bardhi. Ai pranon se ka katër emra. Më parë ai ka mbajtur emrat Gentian Lila, Altin Tanushi dhe Gent Bushi.
Ndërrimi i të dhënave në rastin e Presidentit, Kryeministrit, apo Kryetares së KQZ-së edhe pse kanë arsye të ndryshme duket se nuk ka pasur të bëjmë me fshehje të së kaluarës. Sigurisht dhe të tjerët mund të kenë pasur arsye personale për ndryshimet e emrave. Megjithatë një pjesë e tyre janë të zgjedhur me vota dhe për transparencë ndaj publikut këto të dhëna nuk duhet të kishin dalë me një ligj të posaçëm, por mund të ishin bërë publike dhe në fushatë.
Problemi tjetër është se mes tyre mund të ketë edhe zyrtarë që realisht kanë ndryshuar emrin për shkak të kaluarës së dyshimtë. Në këtë rast nuk kemi vetëm nga ata që kanë ndryshuar emrat për estetikë, por edhe njerëz që mund të jenë të dënuar në vend të tjera.
Këtu qëndron problemi me ndërrimin e emrave apo mbiemrave, pasi një pjesë janë kontigjent krimi ndaj prokuroria duhet me çdo kusht ti verifikojë. Ka plotë kriminelë në politikë edhe pa ndërruar emrin! Loja me emrat diku është lojë estetike apo hall përsekutimi, por në një pjesë fshihen krime të mbuluar me emra të tjerë, i cili në të vertetë është i njëjti person që sot bën moral dhe miraton ligje apo firmos shkresa për njërëzit, kurse deri dje merrej me krime. Në mos edhe sot vazhdon si kriminel, por ka kostumin e politikanit apo zyrtarit publik.