Të mbijetosh në Irak dhe të vdesësh në Lazarat
Njerëz si Ibrahim Basha shteti ynë ka pak. Është një batalion i Operacioneve Speciale në Ushtri dhe Forcat Speciale RENEA. Trajnimi dhe sakrifica që bëjnë këta burra në ushtri apo në polici i bën të jenë të rrallë për cilësitë profesionale. Basha i kishte të dyja, edhe përvojën në ushtri edhe atë të forcave më të trajnuara tek RENEA.
Në Forcat e Armatosura ishte pjesë e Batalionit të Operacioneve Speciale. Njësia e vetme me rreth 200 trupa, që ka marrë pjesë në luftime me terroristët në Irak dhe Afganistan. Janë të vetmit ushtarak shqiptarë që pas Luftës së Dytë Botërore që luftën nuk e kanë njohur në libra dhe teori, por kanë qenë në terren ku kanë njohur dhe humbje. Feti Vogli ishte një prej tyre. Ibrahim Basha ishte pjesë e së njëjtës elitë ushtarake dhe të vetmit Batalion që nga SHBA-të është vlerësuar si më profesionalja e ushtrisë shqiptare. Si pjesë e BOS (Batalionit të Operacioneve Speciale), Basha arriti t’i mbijetojë terroristëve në Irak dhe Afganistan. Ishte pjese e tre misioneve në Kandahar të Afganistanit dhe dy misioneve në Mosul të Irakut. Njerëz të tillë në strukturat e shtetit janë të rrallë. Janë të rrallë sepse besojnë në atë që bëjnë dhe nuk veshin uniformë për të marrë një rrogë.
Fati që e mbështeti në shkretëtirat dhe shpellat e Kandaharit dhe rrugët me mina të Mosulit e braktisi në Lazarat. Pabesi, organizim i gabuar i operacionit, apo neglizhim i rrezikut? Të gjithë këto mund të jenë arsyet që çuan në humbjen e një jete dhe plagosjen e dy efektivëve të tjerë të repartit special RENEA. Detajet se ku çaloi operacioni nuk janë bërë ende të ditura. Por duket se pabesia dhe mos organizimit i duhur i policisë ka çuar në këtë humbjeje të rëndë. RENEA është një nga repartet që cilësohet si krenaria e Policisë së Shtetit. Quhet i tillë sepse shumë pak herë ka pasur humbje brenda radhëve të saj. Më një viktimë dhe dy të plagosur nuk është goditur vetëm një skuadër, por gjithë krenaria e Policisë së Shtetit.
Pikëpyetjet për atë çka ndodhi janë të shumta. Si ka mundësi një vit pas operacionit më të madh në historinë e policisë në Lazarat, në këtë fshat të ketë ende kriminelë dhe njerëz të armatosur? Çfarë nuk funksionoi në strukturat e policisë dhe ato të Shërbimit Informativ Shtetëror që nuk informuan në kohë për ekzistencën e një grupit të rrezikshëm kriminal? Sepse këtu nuk bëhet fjalë thjesht për trafikantë, por për grupe narko-terroriste që jo vetëm kanë punuar të qetë, por patën guximin të godasin dhe të marrin jetën e një efektivi të policisë.
Qamil Xhani