Të paqartë dhe të pasigurtë
Nga Mero Baze.
Debati publik mes shtypit dhe Ministrisë së Financave për atë çfarë pritet nga projektligji i ri për taksat dhe tatimet, vlen më shumë për të treguar sa e paqartë është Ministria e Financave në atë që po bën, sesa e pasaktë është media në atë që po shkruan. Çështja e taksave dhe tatimeve është themelore në identitetin e një qeverie dhe aq më tepër, në thelbin politik të një koalicioni. 25 vjet pas rënies së komunizmit, shqiptarët nuk do të vazhdojnë më të besojnë tek e majta dhe tek djathta bazuar mbi komunizmin dhe raportet me të, por ka filluar tashmë era e diferencimit mes dy krahëve për atë çfarë dy blloqet politike ndahen në gjithë botën, për këndvështrimin mbi ekonominë dhe politikat e zhvillimit, bazuar kryesisht te politikat tatimore.
Po çfarë tregon debati 24 orësh?
I gjithi është banal dhe vërtitet rreth konspiracionit a po bëhet një ligj i ri apo jo dhe a po e bëjnë me FMN-në apo vetëm? I gjithë ky konspiracion, e para nuk ka pse prodhon lajm po të mos ketë idiotë në Ministri të Financave, pasi sqarohet që në sekondën e parë dhe mbyllet si debat. Debat real do të përbënte politika e re fiskale dhe si synon qeveria ta ndryshojë atë.
Letërkëmbimet e lodhshme konsultative me nëpunës tatimorë dhe zyrtarë të tatimeve dhe pastaj gjuha e drunjtë, që flet për konsultime dhe drafte zyrtare dhe jo zyrtare, nuk vlejnë fare politikisht. Ato vetëm sa dëshmojnë se politika financiare dhe fiskale ka kompleksuar qeverinë dhe nuk i del dot zot. Askush nuk ia ka dalë në botë të jetë shpallur hero duke mbrojtur taksën e sheshtë apo atë progresive. Të dy palët kanë avantazhet e veta, që i mbështesin mbi politika të majta apo të djathta, por të dyja palët janë të qarta se çfarë mbrojnë. Politika jonë financiare dhe sidomos debati mbi të, bëhet sikur të jetë ndonjë aksion ilegal për prerje telash dhe duhet të ruhemi se mos e merr vesh shtypi apo publiku. Një politikan i qartë nuk ka frikë as të rrisë taksat, as ti ulë ato, dhe sidomos të mos debatojë për to. Një politikan i qartë i ka taksat kalë beteje dhe bën politikë me to, dhe jo llogari. Kjo që bën Ministria e Financave nuk është politikë, por llogari. Ata ulen si rrobaqepës që kthejnë mbrapsht kostumet e përdorura dhe presin nga mëngët, ua ngjitin shpatullave, pastaj heqin nga kurrizi dhe ia shtojnë barkut, por e gjitha është ajo që është. As shtypi dhe as publiku nuk janë aq shumë të interesuar kujt do t’ia heqë 5 milionë dhe kujt do t’ia shtojë Ministria e Financave.
Problemi është çfarë është duke bërë me sistemin e taksa-tatimeve dhe politikat fiskale në tërësi, pasi ato nuk janë ligje që ndryshojnë një herë në gjashtë muaj. Debatit publik nuk i hyjnë në punë deklarata të shkruara nga njerëz kokëthatë, që mendojnë se bëhen gardianë të qeverisë duke folur broçkulla. Debati publik ka nevojë për fjalor politik, të qartë, të sigurtë dhe të parashikueshëm në atë që thotë. Është fjala për ekonominë e gjithësecilit dhe për nevojën e nxitjes së zhvillimit ekonomik të vendit. Një investitor i huaj, mjafton të dëgjojë këtë debat idiot dhe ia mbath e ikën nga vendi.
Një miku im avokat i një studioje të njohur ligjore në vend, më shkruante dje se 2 kompani italiane në Tiranë me 180 punonjës po shikojnë mundësinë të zhvendosen në Serbi, pasi qeveria serbe u ka ofruar lehtësi të papërfytyrueshme fiskale. Taksë të sheshtë 12 përqind, plus një kontribut për sigurimin e çdo punëmarrësi. Natyrisht që zhvendosja ka kosto, por kur e shikon sa i paqartë është debati mbi politikat fiskale këtu, ia vlen mundimi të ikësh.
Pra, ajo që duhet të bëjë qeveria në këtë rast, nuk është të tregojë sa e zonja është të mos na tregojë se çfarë po bën, por sa e zonja është të na mbushë mendjen që ato që po bën, po i bën mirë dhe për për të mirën e vendit. Debati i fundit tregon se qeveria nuk i del dot zot publikisht gjërave dhe po fshihet si struci. Ajo sillet sikur e paguan njeri të gjejë ndonjë gabim në shtyp se çfarë shkruan për të. Gabimet e shtypit janë 24 orëshe pasi korrigjohen. Madje, tani me shtypin online janë 24 minutëshe. Problemi është me gabimet e politikave fiskale dhe mënyrën si mbrohen ato. Gabime të tilla i korrigjon vota, por ajo është një herë në katër vjet.