Të qeverisësh me tela me gjemba, polici dhe gazlotësjellës si në Venezuelë
-Kryeministri e ka kthyer mazhorancën si dikur Byroja Politike e cila rrethonte Bllokun me rrjeta teli e tanke që të mos hynte populli e t’ju merrte pushtetin.
-Hyrja e katër deputetëve “opozitarë” në sallën e Kuvendit, të fshehur në një autoambulancë, është një nga zhvillimet më të shëmtuara në historinë e parlamentarizmit. Ky parlament ka njohur në historinë e tij mjaft skandale, por deri në pikën që qeveria të zgjedhë se cilët do të jenë deputetët e opozitës, siç ndodhi dje, ky është një akt që edhe në komunizëm nuk ishte bërë në mënyrë kaq të trashë. Ata tashmë morën nofkën “deputetët e turpit”.
Opozita zhvilloi dje protestën e radhës e cila ishte masive. Ata protestojnë për qeveri tranzitore, zgjedhje të lira dhe krijimin e kushteve për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Që nga muaji shkurt kur nisën protestat opozitare dhe u krye djegia e mandateve, tubimi i djeshëm ishte më masivi. Me mijëra qytetarë dolën në shesh kundër qeverisë, por edhe kundër një modeli qeverisës që tashmë po e tejkalon kauzën e opozitës dhe po kthehet problem për çdo qytetar. Me djegien e mandateve opozitare, qeveria ka nisur procesin e zëvendësimit të opozitës me deputetë të blerë. Dje bën betimin katër prej emrave që pranuan të marrin mandatet duke dalë jo vetëm kundër opozitës, por duke kundërshtuar gjithë frymën opozitare në vend. Ceremonia e zhvilluar në Kuvend me katër deputetë të rinj që janë blerë nga mazhoranca dhe thonë se do të përfaqësojnë interesat e opozitës, shënon dhe fundin moral të parlamentarizmit shqiptar. Katër deputetët “opozitarë” që hynë në sallën e Kuvendit të fshehur në një autoambulancë është një nga zhvillimet më të shëmtuara në historinë e parlamentarizmit. Ky parlament ka njohur në historinë e tij mjaft skandale, por deri në pikën që qeveria të zgjedhë vet se cilët do të jenë deputetët e opozitës, siç ndodhi dje, ky është një akt që edhe në komunizëm nuk ishte bërë në mënyrë kaq të trashë. Dje, shqiptarët panë se kjo qeveri ka arritur nivelin alarmant të rrëzimit të parimeve të demokracisë, pasi kur një parti në pushtet zgjedh dhe opozitën e saj, kjo do të thotë se sistemi ka rënë.
Pas tre javësh kreu i qeverisë u shfaq dje në Kuvend. Në çdo protestë të opozitës ka zgjedhur të largohet nga Tirana dhe të sillet sikur në Shqipëri nuk ndodhë asgjë. Dje shkoi në Kuvend një orë para se të niste protesta dhe mbajti fjalimin me të gabuar para deputetëve të tij e para shqiptarëve. Në 30 minuta, kreu i qeverisë nuk dha asnjë shenjë reflektimi. Foli për qeverisje të ligjshme, edhe pse tashmë gjithë media ndërkombëtare i thotë se ka vjedhur votat dhe mandatet e deputetëve. Foli për opozite të re, duke u drejtuar nga 4 deputetët e rinj të Kuvendit, dhe ishte komike se si ata mund të jenë opozita e re! Kryeministri pati guximin të deklarojë se me këta deputetë dhe me këtë opozitë fasadë do të bëjë dhe reformën zgjedhore dhe do të fitojë zgjedhjet e ardhshme vendore në muajin qershor. Sulmoi opozitën reale që është votuar nga shqiptarët dhe deputetët e blerë, i quajti si “heronjtë” e tij me të cilën do të qeverisë. Nuk e kurseu ironinë e zakonshme duke i cilësuar mijëra qytetarët që ishin jashtë në protestë, si njerëz që nuk përfaqësojnë revoltën e popullit dhe duke shtuar se ai do të vijojë të qeverisë i qetë.
Ka më shumë se një muaj që kryeministria e Edi Ramës dhe Kuvendi nuk ngjajnë me institucione shtetërore, por me kazerma ushtarake. Në godinën e Parlamentit dhe Kryeministri, sot vetëm tela me gjemba dhe gardistë të armatosur kishte si për luftë. Në qendrën e Tiranës dhe afër institucioneve thuajse jetohet si në kushte shtetrrethimi dhe qarkullojnë më shumë policë civilë sesa qytetarë. Kryeministri thotë se po qeverisë edhe në këtë situatë, por i vetmi tender që është bërë këto javë është blerja e gazit lotsjellës, telave me gjemba dhe shtimi i fondeve të gardës për armatim dhe sigurinë e udhëheqjes. Më shumë se qeverisja, halli i sotëm i Rilindjes është si të mbrojë veten nga frika se turma do t’i sulmojë. Ironikisht kjo frikë dhe sjellje e Rilindjes të kujton vetëm ushtrinë që mbronte ndërtesat e Byrosë së Partisë kishte në vitin 1990. Pas 29 vjetësh jemi kthyer serish në të njëjtën pikë, si të mbrojmë pushtetin me çdo çmim dhe të mos pranojmë atë që ndodh në shesh. Kaq mjafton për të kuptuar se protestat e opozitës nuk ka të bëjë vetëm me partitë, por është kthyer në një betejë qytetare për ruajtur sistemin demokratik. Është koha që Edi Rama ose të tjerë në PS të kuptojnë se nuk mund të qeverisin gjatë me tela me gjemba dhe me gaz lotsjellës.
Në PS ka plotë të mençur, por duhet të flasin e ti thonë kryeministrit se je krejt jashtë realitetit. Dhe se po e çon vendin në përplasje civile./A. Marku/