Skandali/Tenderi 40 milionë euro i Unazës së Re, 5 herë më shumë se segmentet e ndërtuar

Nga Gjergj Erebara/BIRN/

Ministria e Transportit u përpoq të argumentojë të enjten shkaqet se pse 2.3 kilometra autostradë po kushtojnë bashkërisht mbi 40 milionë euro. Ajo tha se ka mbikalime dhe vepra arti. Por në Tiranë janë ndërtuar edhe tre segmente të tjerë të unazës të cilat kanë kushtuar krahasimisht më lirë.

Në vitin 2013, qeveria shqiptare e përbërë nga PD dhe LSI, prokuroi tre segmente të Unazës së Madhe të Tiranës me një gjatësi totale prej 12 kilometrash dhe me vlerë totale të tenderuar prej 5.82 miliardë lekësh (afërsisht 46 milionë euro me kursin e sotëm të këmbimit) ose një kosto për kilometër prej 4.9 milionë eurosh.

Të tre tenderët në fjalë u hetuan për kufizim të mundshëm të konkurrencës të kryer përmes një procedure që teknikisht njihet si “tender me rotacion”. Hetimi i Autoritetit të Konkurrencës erdhi pas një njoftimi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili kishte konkluduar se përveç kufizimit të konkurrencës, në këto tenderë kishte potencialisht vepër penale, për të cilat KLSH njoftoi Prokurorinë e Tiranës.

Njësoj si në rastin e tre tenderëve të fundit të organizuara nga qeveria aktuale, ajo që i bëri këto tenderë të futeshin nën hetim nga Autoriteti i Konkurrencës ishte koncepti i “afrimësisë me fondin limit”.

Pavarësisht se të tre tenderët përbënin një rast studimor për manipulimin e tenderëve në këtë mënyrë, fakti është që rezultati i tyre mbarti kosto së paku tre herë më të ulët për kilometër se sa tre tenderë të tjerë të zhvilluar muajin e kaluar për ndërtimin e mbikalimeve dhe nënkalimeve në segmentin e Unazës nga Pallati me Shigjeta deri te rreth-rrotullimi “Shqiponja”.

Shqetësimi mbi koston e pazakontë të segmentit aktual me gjatësi 2.3 kilometra dhe me çmim të tenderuar prej 40 milionë eurosh ka shkaktuar debat politik së fundmi, ku Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë argumentuar se tenderët janë dukshëm të manipuluar.

“Një hajdutëri dhe grabitje nga më të frikshmet,” e konsideroi Petrit Vasili nga LSI.

Kryeministri Edi Rama u përgjigj në Twitter duke argumentuar se rrugët nuk krahasohen dot “si pantallonat teritale”.

Ministria e Transportit argumentoi nga ana e saj se segmenti aktual ka shumë mbikalime dhe nënkalime, të njohura në gjuhën teknike si “vepra arti” dhe që sipas transporteve, justifikojnë çmimin aktual prej 40 milionë euroësh.

Tenderët rotacion

Tenderët për ndërtimin e segmenteve jugore dhe jug-lindore të Unazës së Tiranës u zhvilluan në vitin 2013. E gjithë puna për ndërtimin e 12 kilometrave u nda në tre lote. Në tenderë morën pjesë nëntë kompani, të cilat u bashkuan në tre oferta të njohura si “bashkime të përkohshme”. Të tre grupet e kompanive fituan secila nga një segment. Secili tender përfundoi me ofertën fituese fare pranë fondit limit ku në secilin tender, dy kompani hodhën oferta humbëse.

Segmenti i parë u fitua nga kompania Gener 2 me ofertë fituese të barabartë me 99.82% të fondit limit prej 1.96 miliardë lekësh. Bashkimi i operatorëve Gjoka Konstruksion dhe Gjikuria hodhën një ofertë humbëse të barabartë me 99.91% të fondit limit, ndërsa kompania Albavia hodhi ofertë të barabartë me 99.96% të fondit limit.

Në segmentin e dytë, doli fitues konsorciumi Albavia & Favina & Alpin, me ofertë fituese të barabartë me 99.9% të fondit limit prej 1.94 miliardë lekësh. Konsorciumi Gjoka Konstruksion&Gjikuria hodhi ofertë humbëse të barabartë me 99.98% të fondit limit ndërsa Gener 2 hodhi ofertë prej 99.99%.

Në segmentin e tretë doli fitues Gjoka Konstruksion dhe Gjikuria me ofertë fituese 99.9% nga limiti prej 1.93 miliardë lekësh. Në këtë garë hodhi ofertë vetëm Albavia me çmim të barabartë me 99.95%.

Opozita duket se përdor pikërisht këto argumente që vijnë nga fusha e ekonomiksit për të thënë se tre tenderët për segmentin aktual të Unazës janë dukshëm të manipuluar.

Në tre tenderët e zhvilluar për tre lote në projektin aktual, një kompani konkurroi në secilin rast pa garë.

Në dy tenderë, ofertat fituese ishin të barabarta me mbi 99.8% të fondit limit.

Të dhënat për tenderin e tretë nuk gjenden në faqen e prokurimeve publike në internet APP.gov.al.

Të treja segmentet e unazës së Tiranës që sakaq janë ndërtuar kanë në përbërje mbikalime dhe nënkalime të shumta, si dhe një tunel të shkurtër në segmentin nga TEG për në Farkë, segment që është ende i papërfunduar.

Mbikalimi më i madh është ai te “Pallati me Shigjeta” ndërsa në të njëjtin segment ka mbikalime të tjera në Selitë, pranë Kopështit Zoologjik, pranë Liqenit të Thatë, pranë fshatit Sauk e më tutje.

Afërsia e ofertës fituese me fondin limit konsiderohet në manuale të ndryshme të OECD apo Bankës Botërore si një ‘flamur i kuq’, një sinjalizues për autoritetet për rrezik të mundshëm korrupsioni ose marrëveshjeje të fshehtë mes kompanive pjesëmarrëse në garë për të shmangur garën dhe për të maksimizuar fitimet e tyre.

Sipas Bankës Botërore, një tender duhet të konsiderohet i dyshimtë nëse oferta fituese ka një afrimësi me fondin limit më të vogël se 1%. Për shembull, nëse fondi limit në një tender është 100 lekë dhe oferta fituese është 99 lekë, atëhere autoritetet duhet ta konsiderojnë këtë rezultat si të dyshimtë. Arsyeja është se probabiliteti matematikor sugjeron që disa kompani që marrin pjesë në një garë, e kanë të pamundur të jenë të sigurt se askush nuk do të ofrojë një ofertë më të ulët për një vepër publike me përmasa të mëdha. Një tender normal konsiderohet pa dyshime për manipulime në rast se oferta fituese është nga 80 deri në 90% të fondit limit.

Problemi është se me të tre tenderët e qeverisë së kaluar për segmentin ekzistues të Unazës së Madhe të Tiranës ashtu edhe me tre tenderët e qeverisë aktuale, afërsia me fondin limit nuk është 1%, por shpesh, më pak se 0.1%.

“Faktor njerëzor”

Autoriteti i Konkurrencës e mbylli pa masa ndëshkimi hetimin për mundësinë e kufizimit të konkurrencës në tre tenderët për unazën e Tiranës të zhvilluar në vitin 2013. Në vendimin e vitit 2015, autoriteti argumentoi se problemi në këtë rast mund të jetë shkaktuar “nga sjelljet njerëzore që tejkalon parashikimet e Ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës””.

Autoriteti konkudoi se inspektimet e tij nuk kishin qenë në gjendje të mblidhnin fakte për të provuar një marrëveshje të mundshme mes operatorëve me synimin e kufizimit të konkurrencës por shtoi se “është sjellja e Autoritetit Konktraktor ajo qe e ka bere procesin dyshues për manipulime të mundshme të procedurave të prokurimit, dyshime për të cilat ka nisur procedimi nga prokuroria e rrethit Gjyqësor Tiranë”.

Prokuroria e Tiranës pati nisur hetime për tenderët në bazë të një kallëzimi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Rezultati i hetimit nuk dihet.

Vendimi i Autoritetit të Konkurrencës nuk ishte unanim. Komisioneri Koço Broka dha një opinion pakice. Ai argumentoi se pavarësisht se nuk janë gjetur prova konkrete për një marrëveshje të ndaluar, të gjitha faktet që tregojnë kufizim të konkurrencës janë të pranishme, përfshirë faktin që Gener 1 e fitoi tenderin me 99.82% të fondit limit, që Gjoka dhe Gjikuria e fituan me 99.91% të fondit limit dhe që Albavia &Favina &Alpin, e fituan me 99.87% të fondit limit./Birn/

SHKARKO APP