Tërhiqet PS. Dorëzohet PD
Tërhiqet PS.
Dorëzohet PD
Teksti final i paktit nuk pati shumë ndryshime nga dokumenti që publikuan dy të dërguarit e Parlamentit Europian, Eduard Kukan dhe Knut Flekenshtajn. Palët dhe sidomos PD-ja duket se po bëjnë llogaritë, se çfarë humbasin dhe çfarë fitojnë nga kjo marrëveshje. Firma e PD duket se u kondicionua dhe nga presioni i 10 deri në 14 deputetë të saj, të cilët kishin parashikuar të hynin në Kuvend për të mos humbur mandatet, me apo pa marrëveshje. Ndaj mbrëmë vonë në mesnatë e firmosën dhe do hyjnë në parlament. Por çfarë ndodhi dje gjatë ditës kur PD nuk donte ta firmoste dhe pse kishte hezitime nga selia blu për të hyrë në parlament?
Analiza, së pari nis brenda radhëve të Partisë Demokratike për atë çfarë fitoi dhe humbi nga pakti. Fitorja e parë, nëse mund të quhet fitore, është shpëtimi i mandateve. Deputetët e opozitës nuk do të jenë më në presionin e humbjes së legjitimitetit si deputet dhe një pjesë e tyre do të jenë më të sigurt nga ndëshkimet brenda partisë, të paktën dhe për ca kohë. Suksesi tjetër është i kreut të PD-së, Lulzim Basha. Nuk ka numrat e duhur në Kuvend dhe drejton një parti që ka dalë me një imazh të dëmtuar tek ndërkombëtarët dhe elektorati pas qeverisjes problematike 8-vjeçare. Megjithatë, Basha falë aftësive dhe afërsisë me politikanë në Bruksel arriti të ndërkombëtarizojë një çështje që zuri fill me disa shpulla ndaj deputetit Gent Srazimiri. Lobimi i Bashës u mbushi mendjen në Bruksel përfaqësuesve të Parlamentit Europian se në Tiranë gjërat nuk po shkojnë mirë dhe se duhet negocimi për një krizë. Ishte reale apo e stisur kriza politike, kjo është një çështje tjetër. Fakti është që Basha arriti të përdorë një kauzë duke i rritur pikë vetes. Ndërkombëtarizmi i çështjes dhe ulja e mazhorancës për të negociuar mbi probleme që për PS-në dhe LSI-në nuk ekzistonin disa javë më parë, është fitorja e kreut të PD-së në sytë e demokratëve. Por radha e sukseseve për Bashën mbaron këtu. Nëse bëhet krahasimi mes atyre që kërkoi dhe atyre që mori, duket se peshorja rëndon më shumë nga krahu tjetër. Basha kërkoi një marrëveshje, në fakt mori një rezolutë. Në termat e negocimit praktikisht ka marrë vetëm dëshirën e kryeministrit Edi Rama, por jo firmën e tij. Në arkivat e Parlamentit ka me qindra rezoluta dhe miratimi i tyre nuk përkthehet automatikisht si një detyrim për palët e tjera. Në nisje të bojkotit, PD-ja premtoi se nuk do të hynte në Kuvend nëse nuk largoheshin personat, sipas saj, me precedentë penalë. Kuptohet që kjo është një deklaratë e ngjashme me ato të fushatës elektorale. Në fund, ky pretendim i PD-së në dokumentin e paktit është përkthyer vetëm me një pikë që flet për bashkëpunimin mes dy forcave për të larguar nga administrata personat me rekorde kriminale. Për këtë pikë nuk ka afat, as këtë muaj, as këtë vit dhe ka mundësi deri në zgjedhjet e ardhshme të harrohet. Kjo pikë në marrëveshje është futur si pjesë e retorikës politike, sesa si një mundësi që të realizohet vërtet. Por në këtë rast ka dhe një problem moral për PD-në, kjo marrëveshje do të marrë në Kuvend dhe votat e atyre deputetëve për të cilët opozita çfarë nuk ka thënë për lidhje, sipas saj, me krimin dhe trafiqet. Pika tjetër që opozita e sheh si fitore të saj është zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Është njësoj sikur në këtë pikë të shkruhej: palët bien dakord që shteti funksionon me ligje. Sepse realisht nuk dihet ndonjë rast tjetër ku thuhet se vendimet e gjykatave nuk zbatohen. Së fundi, gjithë aksioni i PD-së kishte si qëllim dobësimin e mazhorancës dhe vendosjen e vendit në një krizë të thellë politike. Në fund të krizës së stisur nga PD-ja, vështirë të thuhet se mazhoranca u dëmtua.
Ndërsa humbja dhe fitorja shihen ndryshe nga radhët e mazhorancës. Si fillim, kryeministri Edi Rama shmangu një marrëveshje me firmën e tij, duke mos i dhënë faktorizimin më shumë sesa duhet pretendimeve të opozitës. Këmbëngulja për të mos pasur një dokument me firma, por një rezolutë që votohet në Kuvend është një lëvizje që i shërben institucioneve. Ndërsa një firmosje e marrëveshjes mes Bashës dhe Ramës, më shumë se zgjidhje e ngërçit politik, i shërbente Bashës për të rritur peshën e tij politike. Rama zgjodhi të mos i japë më shumë pushtet si lider i opozitës, duke preferuar një pakt që ka miratimin e Bashës, por votohet nga deputetët. Si kryetar i mazhorancës, me hyrjen në Kuvend të opozitës, Rama merr dhe meritën e kryeministrit që u shmanget përplasjeve. Pra është liberal dhe i mirëkuptueshëm e jo dhunues si paraardhësi. Duke pranuar negociata, Rama ndryshe nga Berisha dikur kryeministër, tregoi se është i gatshëm të plotësojë kushtet e opozitës, edhe kur ato më shumë janë teka sesa arsye.
Ndaj nëse nuk futej me vendim politik PD-ja do të futeshin 12 deri në 14 deputetë demokratë më në krye Ruli, Imamin dhe Patozin. Kjo e shkërmoq krejt selinë blu, nëse ndodhte. Genc Ruli ka kërcënuar hapur dje se do të futet në sallë e se ruan integritetin e tij e nuk është servil i kupolës, pasi në parlament luftohet më mirë kryeministri. Më i prerë ka qenë Arben Imami, që ka thënë pa asnjë mëdyshje do të futet në sallë e të debatojë egër me Edi Ramën, përçka nuk po bën për popullin. Por fillimi i protestave ka bërë që edhe Rama të tërhiqet në disa pika mbrëmë në mesnatë.
Ndaj më në fund firmosën në mesnatë palët, PD e PS-LSI. Sot demokratët hyjnë në parlament.