Tërmeti, konferenca islamike, takimet me popullin, fadromat… gjithçka për zgjedhjet parlamentare
Ajo që ndodhi me tragjedinë e tërmetit të 26 nentorit është e tmerrshme. Asnjë nuk e donte, të gjithë luten për shpirtrat e atyre që ikën në botën tjetër. Ndërkohë situata është jetike për mijëra familje.
Opozita flet me kujdes, duke e ditur se mbetet situatë delikate, që edhe nëse e ngre shumë zërin, pala kundërshtare fillon sulmin duke etiketuar lidershipin opozitar se synon të përfitojë nga pasojat e tërmetit. Propoganda e mazhorancës është kthyer në art dhe në sinkron për çdo gjë me Endrin Fugën, njeriun më të besuar të kryeministrit Rama. Ashtu i heshtur, fjalëpak dhe i pa dukur në dritën e diellit dimëror, ai, pra Fuga drejton gjithçka në media. Natyrisht me regji të kryeministrit, i cili mjeshtërisht, edhe për fajin e opozitës, është kthyer në një “supërmen” që diku puth dorën e një gruaje të moshuar dhe përulet para saj, aqsa edhe aktori i madh shqiptar Kadri Roshi nuk e luante kaq bukur rolin, në një vend tjetër ngre zërin duke i bërtitur kryebashkiakut Veliaj, pak më tej urdhëron “ky pallat të hidhet në erë” dhe vrapon për në Thumanë duke vajtuar e prapë nxiton në Durrës të bërtasë se “në burg biznesmenët që kanë ndërtuar jashtë kushtëve teknike”.
Mediat e ndjekin nga pas, kudo.
Ai sot është SHENJTI, që bën vetëm të mira, që premton se do ti strehojë të gjithë gjatë vitit 2020, jep nga buxheti 200 milionë euro nga taksat e të gjithëve dhe nuk pranon tërheqjen nga PPP-të dhe koncensionet, edhe kur zv/kryeministri Braçe flet ndryshe.
Edi Rama rri me xhupin e punës edhe në mbledhjet e qeverisë, po me atë xhup shkon dhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Mediat pas tij, kudo ku atij i duhet pamja e një Udhëheqësi dhe njeriu popullor. Merr avionin dhe udhëton për te vllai i tij në Turqi, presidenti Erdogan. Shkon në konferencën e vendeve islamike, të cilën dikur e ka dënuar, por tashmë i duhen lekët edhe nga ata. Veprim praktik! Por jo parimor dhe kombëtar.
Udhëheqësi vendos t’ju blejë pallatet dhe çdo apartament të pashitur biznesmenëve të ndërtimit. Pas futi në dorë oligarkinë, tashmë po përlan edhe biznesmenët e mesëm të ndërtimit. Iu merr apartamentet e pa shitura, ua kthen në vlerë, projekton të fus banorët e dëmtuar nga tërmeti dhe bën gati lagje të reja në Durrës, Tiranë dhe Laç.
E gjithë makineria e tij mendore, financiare, pushtetare, oligarkike dhe mediatike është vënë në punë për një synim: rregullon pasojat e atyre që ka bërë pushteti i tij, natyrisht dhe i paraardhësve dhe indirekt e përdor për fushatën e ardhshme parlamentare.
Ndërkohë opozita flet, por jo më zë të fortë e të plotë. Tani Edi Rama është një hap para opozitës, duke shfrytëzuar situatën pas tërmetore.
Spiten Prulli