Terrorizmi godet shtetin në Lazarat

 

Problemi i shtetit me Lazaratin është rikthyer në mënyrë të frikshme dje. Një operacion i Policisë së Shtetit ka përfunduar në mënyrë tragjike me humbjen e jetës së një efektivi të forcave speciale RENEA dhe plagosjen e dy të tjerëve. Ibrahim Basha mbeti i vrarë nga plumbat e një grupi të rinjsh të cilët të armatosur me armë të sofistikuara, ndërsa dy efektivë të tjerë janë fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ka gjetur të pa përgatitur policinë e shtetit, por edhe opinionin publik që mendonte se çështja Lazarati ishte mbyllur një herë e mirë. Fiks një vit më parë Policia e Shtetit ndërmori një nga operacionet më masive dhe më të suksesshme të historisë së saj. Qershorin e vitit të kaluar mijëra forca police shkatërruan një nga zonat më të mëdha të kultivimit të lëndëve narkotike. Në një muaj rrethim u qëlluan mijëra fishekë, por asnjë trafikant dhe aq më pak asnjë policë nuk mbeti i vrarë. Sot jemi në situatën kur një operacion normal sjellë një viktimë nga radhët e forcave elitë të Policisë së Shtetit. 

Ngjarja e djeshme ngre një sërë pikëpyetjesh mbi atë çka ndodhi pas rimarrjes së Lazaratit nga shteti. Si ka mundësi që në një fshat që patrullohej përditë nga policia dhe monitorohej çdo kush që hynte, rreth 20 të rinj jo vetëm qarkullojnë me armë, por edhe godasin policinë? Nga ana tjetër, nëse policia nuk ka qenë në gjendje të identifikojë këta elementë, çfarë kanë bërë institucionet e tjera të shtetit? Shërbimi Informativ Kombëtar duhet të kishte të dhëna mbi atë çfarë po gatuhej në Lazarat. Kjo mungesë vëmendje bëri që dje shteti të goditet duke humbur jetën një punonjës i policisë. Kryeministri, Kryetari i Kuvendit, Ministri i Brendshëm dhe kreu i opozitës e dënuan aktin. Ministri Tahiri e cilësoi si një sulm terrorist ndaj Policisë së Shtetit vrasjen e një efektivi. Dhe sulmi i ka të gjithë elementët e një akti terrorist të trafikantëve kundër forcave të rendit. Një akt që duhet të marrë përgjigjen e merituar nga shteti. Trafikantët e Lazaratit u lejuan për 20 vite të ngrinin një perandori droge dhe paligjshmërie, nuk mund të lejohen që të marrin dhe jetën e punonjësve të shtetit. Një element duhet ndarë në mënyrën sesi trajtohet Lazarati. Nuk është një fshat që është kundër shtetit dhe këtë e treguan dje faktet se vetëm 20 persona dyshohet se ishin ata që qëlluan mbi policinë. Dhe në një fshat me 4 mijë banorë, 20 vetë nuk mund të inkriminojnë komunitetin.

Ka diçka që është edhe më shqetësuese në ngjarjen e djeshme, nëse bën një profil të personave që sipas policisë janë pjesë e grupit të zjarrit. 17-vjeçari që u ndalua nga policia në momentin që ndodhi vrasja njihet si një besimtar dhe mbështetës i ideologjisë së Shtetit Islamik. Profilet në rrjetet sociale të personave të tjerë që janë në kërkim kanë po ashtu imazhet e Shteti Islamik. Është e nxituar të thuhet se grupi i zjarrit ka lidhje me ISIS. Megjithatë, shqetësimi se një grup të rinjsh, shumica adoleshentë, ka nisur një lojë të rrezikshme jo vetëm për Lazaratin, por edhe për gjithë vendin është real më shumë se kurrë. E nëse ka sinjale të tilla, heshtja e SHISH dhe strukturave të tjera të shtetit është e pafalshme.

Është koha që të ndërhyhet në Lazarat me seriozisht se një vit më parë. Ka ardhur koha që Policia e Shtetit duhet të gjejë mënyra me efikase për të trajtuar problemin e disa elementëve në këtë fshat.

Shteti duhet të tregojë dhembët e ligjit kur cënohet siguria e njërëzve dhe jo vetëm siguria rajonale, por edhe siguria kombëtare. E të bën përshtypje se shumica e listës policore për të kapur elementët e “grupit të zjarrit” janë të moshës 20 deri në 30 vjeç. Një moshë e re që nuk shkon në shkollë por që merr deftesën e shkollës, një grup të rinjsh që nuk kanë punë  ,por që kërkojnë punë në rrjetet e drogës; kjo është një çështje e madhe e shoqëerisë dhe e shtetit.

Ku po shkojmë me këtë brez që nuk ka punë, por edhe kur ia gjejnë nuk don të punoj se e duan fitimin e pasurimin në pak muaj?

 

SHKARKO APP