Tragjedia e paralajmëruar e Durrësit dhe Thumanës

-Zbulohet studimi nga “Zëri Amerikës” për banesat në Durrës që i klasifikonte një pjesë të ndërtimeve si objekte të ndërtuara me cilësi të ulët dhe spekulative. Bashkia nuk mori asnjë masë që nga viti 2016. Në Thumanë pallatet që morën jetë njerëzish nuk u bllokuan pas tërmetit të 21 shtatorit, por njerëzit u lanë të banonin.

Pasojat e tërmetit të 26 nëntorit bëhen më të rënda pas zbulimit të dhënave shokuese për mos veprimin e institucioneve. “Zëri i Amerikës” publikoi dje një dokument të hartuar nga Bashkia e Durrësit në vitin 2016 për cilësinë e banesave në këtë qytet. Të dhënat e këtij raporti që kishte qëllim hartimin e një profili të gjithë godinave janë shokuese. Në dokumentin e publikuar thuhet tekstualisht se “ndërtesat e reja shumë-katëshe (8-15 kate) përdoren përkohësisht në verë me rreth 15,000 njësi në zonën e plazhit, Durrës dhe Rrashbull. Këto objekte janë të natyrës spekulative dhe të standardeve shumë të ulët të ndërtimit”. Pra vetë ekspertët e Bashkisë së Durrësit konstatojnë në vitin 2016 se këto ndërtesa janë me standarde të ulta ndërtimi. Raporti më pas jep të dhënat e sizmiologëve shqiptarë për Qytetin e Durrësit, të cilët në studim shkruajnë se “Durrësi konsiderohet si qendra e tërmeteve në Shqipëri. Studimi i Bashkisë së Durrës më tej thekson se “të dhënat sizmologjike për Bashkinë Durrës tregojnë së tërmetet e ndodhura në vite kanë qenë me intensitet të lartë dhe me rrezik për jetën e banorëve të Durrësit, gjë e cila duhet të mbahet parasysh nga autoritetet e ndërtimit, pasi mund të ketë pasoja tragjike”. Pra, vet Bashkia e Durrësit ka pasur një dokument serioz që ka vënë në dukje cilësinë e dobët të banesave. Ka theksuar rrezikun sizmik që ka kjo zonë dhe mundësinë e ndodhjes së fatkeqësive. Ndërkohë që nga viti 2016 nuk është marrë asnjë masë. Nuk është bërë asnjë verifikim dhe për më tepër është lejuar vijimi me ndërtimi pa cilësi njëlloj si më parë. Çuditërisht, mbi këto të dhëna alarmante që lëshuar dhe hipoteka dhe leje për kate shtesë në zonat më të rrezikshme, siç janë ato afër bregut të detit. Veç raportit të Bashkisë së Durrësit nuk ka studim të Akademisë së Shkencave dhe botime serioze për rreziqet në Shqipëri që të mos e ketë theksuar rrezikun sizmik në këtë zonë. E megjithatë, zyrtarët e administratës, qeverisë, inxhinierët, arkitektët dhe projektuesit kanë vijuar të ndërtojnë njëlloj si më parë. Fakti që në Durrës janë shkelur rregullat teknike dhe madje s’janë marrë parasysh as studimet e vetë bashkisë e bënë edhe më të rëndë situatën dhe tregon se tragjedia që mori jetë njerëzish ishte e paralajmëruar me kohë. Nëse autoritet do kishin reaguar në kohë në Durrës mbase numri i viktimave nuk do të ishte 24.

Edhe më i paprecedentë është  rasti i Thumanës, ku pallatet që u morën jetën 24 personave të tjerë, ishte paralajmëruar. Historia e viktimave të kësaj qytezë është dukshëm papërgjegjshmëri  e institucioneve vendore dhe qeverisë. Tërmeti i 21 shtatorit dëmtoi shumë nga këto banesa. Pikërisht në pallatet që u rrëzuan më 26 nëntor, kanë shkuar autoritet dhe kanë konstatuar dëmtime të rënda. Banorët që i mbijetuan tragjedisë dëshmojnë se në muajin shtator zyrtarë shtetërorë u kanë thënë se pallatet janë të pabanueshëm. Edhe pse dëmet kanë qenë serioze sërish këta banorë janë lejuar apo udhëzuar që të hyjnë brenda në apartamente duke shkelur çdo rregull për sigurinë e tyre. Tërmeti i 26 nëntorit ishte dhe më shkatërrues në këto pallate që kishin marrë goditje një muaj më parë dhe ndaj viktimat në Thumanë ishin më shumë se në vendet e tjera. Nëse institucionet do kishin bllokuar këto pallate që në shtator sot bilanci i vikimave do të ishte disa herë më vogël. Pas tragjedisë së 26 nëntorit qëndrimi i qeverisë dhe një pjesë të “ekspertëve” është se tërmeti ishte shkatërrues dhe për viktimat dhe dëmet në banesa fajësohet vetëm forca e natyrës. Por dokumentet dhe faktet që po dalin në dritë tregojnë se tragjedia e Durrësit dhe Thumanës ishte paralajmëruar me kohë.

Ndaj duhet që prokuroria të hetojë deri në fund dhe pa asnjë hezitim.

Mili Xhani

SHKARKO APP