“Trajnim” për përgjime apo pajisje përgjimi me trajnime?!
Ekzistenca e një pajisje të teknologjisë së lartë në Policinë e Shtetit, e cila dyshohet se kryen përgjime të paligjshme ka bërë që mes institucioneve të shtetit të nis një luftë e hapur. Numri një i shtetit, Presidenti Bujar Nishani konfirmoi dje se institucionet e vendit kanë të dhëna se nuk flitet më për dyshime, por për fakte konkrete.
“Shikoj tashmë por e konfirmuar dhe zyrtarisht se në institucionet shtetërore funksionon një pajisje përgjimi ilegale. Një instrument antikushtetues të cilin nuk e besoja kur e pashë në media para disa ditësh por tashmë i konfirmuar nga institucionet shtetërore që ky mekanizëm ilegal, antikushtetues, antiligjor qenka prezent e funksionon”,- tha kreu i shtetit në një takim me ish të përndjekurit.
Pak pas deklaratës së Presidentit, ka ardhur dhe reagimi i Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Sipas tij, policia nuk ka shkelur në asnjë rast ligjin. Ministri tha se policia nuk mund të kryejë përgjime, por nga ana tjetër pranoi se efektivët e policisë janë duke u trajuar nga misionet e huaja. “Policia e Shtetit, bashkë me partnerët, nuk ka punuar kurrë e as nuk do punojë (të paktën sa jam unë në detyrë) me një pajisje përgjimi. Ndërkohë, ka një trajnim që vazhdon prej disa javësh, i cili zhvillohet në bazë të një marrëveshjeje të nënshkruar midis qeverive në vitin 2007 ku parashikohej që ndërmjet Policisë Shqiptare dhe atyre të vendeve partnere (në rastin konkret me Policinë italiane) të bëhej shkëmbimi i eksperiencave me metodologjinë më të mirë, në rastet e hetimit të krimit e në veçanti të terrorizmit”,- tha Ministri Tahiri.
Deklarata e Ministrit në fakt konfirmon atë që është thënë që në nisje të këtij debati. Që në Policinë e Shtetit ka një pajisje përgjuese të misionit italian që ndihmon policinë shqiptare në hetime. Për Policinë e Shtetit kjo pajisje nuk është vënë në punë për përgjime, por vetëm për trajnimin e efektivëve. Për opozitën dhe Presidentin, kjo pajisje jo vetëm është vënë në punë, por ka përgjuar edhe zyrtarë të lartë politikë, pas asnjë autorizim nga prokuroria.
Deri në këtë moment flitej vetëm për dyshime. Por i vetmi institucion që mund të heq dyshimet dhe të zbardh të vërtetën është prokuroria. Organi i akuzës ka një javë që ka kërkuar nga Policia sekuestrimin e pajisjes së përgjimit për të bërë verifikime. Aparatura nuk është dorëzuar në duart e prokurorisë me argumentin se është pronë e misionit italian. Dyshimet shtohen edhe më tepër, për faktin se nëse pajisja do të ishte vetëm për trajnim, përse duhet të bllokohej hetimi i prokurorisë? Nëse janë të pastër e dorëzon, verifikohet dhe rikthehet prapë misionit italiano-shqiptar në Tiranë. Por dyshimet shtohen kur nuk zbatojet autoriteti ligjor dhe kushtetues i urdhërit të prokurorisë për ta sekuestruar pajisjen moderne. Diçka ka që nuk shkon në këtë rast! Sepse, sado moderne të jetë pajisje, ka edhe pajisje më moderne që e nxjerrin çdo fshirje që mund të kenë bërë këto ditë në pajisjen të përgjimeve.
Nga moszbatimi i vendimit të prokurorisë skandali i përgjimeve është kthyer në një betejë politike. Komisioni i Sigurisë Kombëtare kërkoi dje raportimin e drejtuesve të institucioneve kryesore, Prokurorisë së Përgjithshme, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Policisë së Shtetit lidhur me aktivitetin që është kryer më këtë pajisje. Për opozitën përgjimet janë kryer për qëllime politike. Kreu i PD-së Lulzim Basha e cilësoi këtë skandal si rënie të shtetit. Ndërsa Kryeministri Edi Rama, në komentin e parë që bëri dje për këtë çështje tha se ideja e përgjimeve është një mënyrë e opozitës për të shmangur reformën në drejtësi.
Në këtë histori, ajo që kuptohet deri tani është se vërtetë kemi një shtet, por institucione e tij janë të ndarë në dy pjesë. Nga një anë kemi pushtetin që përfaqësohet nga mazhoranca aktuale te Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit që dyshohet se kryejnë përgjime. Nga ana tjetër kemi i Presidencën, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Shërbimin Informativ dhe partitë e tjera që pretendojnë se po përgjohen. Nëse vertetohet se janë bërë përgjime me këtë aparaturë skandali do ketë krisëm të keqe edhe mes PS e LSI, siç paralajmëruan dje edhe Luan Rama e Petrit Vasili të LSI.
Duket se një segment i mazhorancës aktuale është kundër pjesës që përfaqësojnë institucione si Presidencë ,Prokurori, SHISH dhe parti të tjera politike. Nëse ka vërtetë përgjime, një fakt është i padiskutueshëm, ato nuk mund të përdoren në asnjë gjykatë, pasi janë të paligjshme. I vetmi përdorim i tyre është shantazhi politik, apo kërcënimi i kundërshtarëve. Një situatë e tillë është pak ta quash antiligjore. Është një grusht shteti ku një segment i institucioneve i bënë pjesës tjetër të shtetit.
Metoda e përgjimit dhe shantazhit politik ka qenë metodë edhe e Berishës. Ndaj është kthyer në modë përgjimi i jashtëligjshëm, i cili cënon themelet e shtetit ligjor, por kjo nuk duhet lejuar kurrsesi, sepse ndërtojmë një shtet të bazuar jo në ligje. Shteti merr fytyrën e mafies, se kush ka më shumë dokumenta e përgjime kundër tjetrit, fiton.
Ndaj duhet sqaruar ky rast i cili nëse del i vertetë e pakta mbetet rrëzimi i Qeverisë.
Boll me përgjime të paligjshme e shantazhe politike me anë të përgjimeve!