Turizëm me bilanc lufte
Vetëm në një javë janë 8 viktima në bregdetin shqiptar. Të premten e kaluar, në zonën e Zvërnecit humbën jetën tre të rinj që kishin shkuar për në plazh. Në të njëjtën ditë, në zonën e Ujit të Ftohtë, në plazhin publik të Vlorës, një 14 vjeçar humbi jetën gjatë rrugës për në urgjencë, pas ishte nxjerrë pa ndjenja nga deti. Në Durrës dhe në Velipojë gjatë ditëve të fundit kanë humbur jetën dy shqiptarë nga Kosova.
Dje ka ndodhur dhe një prej tragjedive të fundit. Një adoleshente ruse, u gjet e vdekur në det. Ngjarja ndodhi në zonën e Tre Ishujve në Ksamil. Vajza ruse u nxor në breg nga pushuesit e rastësishëm që ndodheshin në plazh. Ndërkohë që dëshmitarët tregojnë se në trupin e saj kishte shenja dhe dëmtime në kokë si dhe në shpatulla. Dyshohet se një motor uji e ka goditur adoleshenten duke i marrë jetën. Sipas këtyre të dhënave nuk kemi të bëjmë me një incident, por me një vrasje. Një motor uji që hyn afër bregut ku lahen pushuesit, nuk është gjë tjetër veçse një armë vrasëse. Gjatë mbrëmjes së djeshme, policia raportoi për një tjetër viktimë në bregdet. Një turist çek u gjet i vdekur në plazhin e Kavajës në rrethana ende të panjohura.
Të gjitha rastet e ndodhura këtë javë kanë specifika të veçanta. Ajo që i bashkon është mungesa e institucioneve që garantojnë sigurinë në plazhe.
Në të gjitha plazhet publike nuk ka roje, edhe pse ka një ligj për bregdetin që e bën të detyrueshëm monitorimin e zonave të pushuesve. Nuk ka asnjë person që mund t’u vijë në ndihmë pushuesve në rast të aksidenteve apo mbytjeve në det. Nuk ka polici plazhi, nuk ka mjek, nuk ka ambulancë. Në shumicën e rasteve janë vetë qytetarët dhe pushuesit e tjerë ata që japin ndihmën e parë. Rasti i Zvërnecit dhe Velipojës janë dy tragjeditë më të fundit që kanë ndodhur për mungesën e ndihmës së shpejtë.
Rojet e plazhit, në gjithë botën janë njerëzit që pajisen me certifikata dhe trajnohen jo vetëm të shpëtojnë njerëzit në det, por edhe të japin ndihmën e parë mjekësore. Në asnjë prej plazheve shqiptare publike nuk ka punonjës të tillë. Bashkitë e Durrësit, Vlorës, Sarandës, etj, marrin taksa për çdo metër katror plazh, por nuk kanë parashikuar vendosjen e disa punonjësve me paga modeste që shpëtojnë jetë njerëzish. Në Zvërnec dhe në Velipojë janë 6 viktima në një javë vetëm sepse askush nuk u dha ndihmën e parë dhe nuk i shpëtoi në det. Nuk kishte njeri nga institucionet e shtetit që përgjigjen për këtë punë.
Ndërkohë që rasti i Ksamilit është dhe më flagrant dhe duhet të trajtohen si një krim. Janë të panumërta rastet kur motorët e ujit apo skafet shkaktojnë aksidente dhe marrin jetë njerëzish në brigjet shqiptare. E gjitha kjo vjen për shkak të papërgjegjshmërisë së institucioneve që duhet të monitorojnë bregdetin dhe të krijojnë siguri për pushuesit. Në çdo vend normal mjetet motorike nuk lejohen të afrohen në zonat e pushuesve. Ato ndalohen nga policia bregdetare ose nëse kanë leje duhet të monitorohen për çdo shkelje të distancës. Por edhe kur nuk ka polici bregdetare, vendosen sinjalizues në det për të treguar se ku është kufiri që mjetet motorike apo pushuesit nuk duhet të kalojnë. Në plazhet shqiptare, përveç disa bizneseve private që kanë marrë masa vetë, në të gjithë zonat e tjera situata është alarmante. Pronarët e skafeve dhe motorëve e zgjidhin vetë se ku shëtisin dhe ku ndalojë. Kjo gjë sjellë dhe tragjedi si ajo e djeshmja ku 15-vjeçarja u vra nga papërgjegjshmëria e institucioneve.
Ajo që është më e rëndë në këtë situata është mosreagimi i institucioneve. Policia e Shtetit vetëm numëron viktimat. Agjencia e Bregdetit që ka për detyrë sigurimin e plazheve thotë se është faji i bashkive që nuk marrin masa. Bashkitë thonë se nuk e kontrollojnë dot territorin të gjithë dhe nuk kanë fonde për sigurimin e gjithë vijës bregdetare, duke fajësuar indirekt qeverinë. Qeveria dhe Kryeministri Edi Rama shpikin një justifikim të çuditshëm duke thënë se jo të gjitha plazhet janë të përdorshme. Për tragjedinë me 3 viktima në Zvërnec, qeveria tha se nuk ishte i licesuar si plazh, edhe pse kjo zonë ka 27 vite që përdoret nga pushues. Nëse ka vende në bregdet që nuk mund të përdoren për plazh, ku janë tabelat paralajmëruese që i ndalojnë qytetarët? Nëse institucionet nuk u shërbejnë dot qytetarëve, të paktën ti paralajmërojnë.
Qeveria e ka vendosur si prioritet turizmin. Por që të kërkosh të bësh funksionale një shërbim të tillë duhet të ofrosh minimumin, sigurinë e qytetarëve. Sepse këtu nuk flitet më për çmimet e larta dhe mungesën e standardeve, të cilat janë skandaloze, por duhet prioritet për jetën e qytetarëve.
Në një javë 8 viktima është një bilanc lufte që duhet të kishte vënë në lëvizje gjithë institucionet.
Q.Xh.