“Tymi i bardhë” nga Rilindja e zezë!
Kryeministri Rama pas firmosjes së Marrëveshjes shkroi: “Mirë e kishim ashtu siç e kishim”. Edhe dosja nr. 313 u gëzua nga Reforma Zgjedhore, sepse nuk ka deri tani asnjë të arrestuar dhe rrezikon që kjo dosje të mbushet me aktivitet edhe në zgjedhjet e vitit 2021. Por festë e madhe mbrëmë në Tiranë, ndërkohë që sistemi zgjedhor nuk u ndryshua, nuk ka lista të hapura, nuk ka votë emigrantësh, nuk ka qeveri zgjedhore, por, sapo t’u dalë “pija”, do kemi përplasje me bandat e pushtetit gjatë zgjedhjeve.
Opozita dhe mazhoranca qeverisëse arritën mbrëmë marrëveshjen për reformën elektorale. Pas shumë ditësh negociatash, tensionesh dhe presionesh palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të rënë dakord mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Thelbi i marrëveshjes është se në zgjedhjet e ardhshme do të ketë identifikim të votuesve në 100 % të territorit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të reformohet duke i dhënë më shumë garanci opozitës. Gjyqtarët që do të vlerësojnë paditë për zgjedhjet do jenë nga ata që e kanë kaluar vettingun. Çështja e depolitizimit të komisioneve të votimit ishte dhe ajo me e diskutuara që mbajti peng marrëveshjen pas 31 majit. PS u tërhoq nga vendosja e nëpunësve të administratës, por jo plotësisht. Ky eksperiment zgjedhor nuk do të zbatohet në zgjedhjet e radhës parlamentare dhe lokale, por pjesërisht në zgjedhjet e tjera. Kryeministri Edi Rama e kishte vendosur si kusht të fortë këtë pjesë, por mesa duket ka qenë vetëm një teknikë negociatash që e ka lëshuar në fund për të dhënë që dhashë gjithçka. Një manovër e përkryer.
Nga ana e përmbajtjes, çështjeve që miratoi dhe garancive që jep për zgjedhjet, kjo marrëveshje nuk ka asgjë historike. Nuk është më e mira e mundshme dhe nuk ka për të sjellë ndryshime të jashtëzakonshme në proceset elektorale. I vetmi element sigurie është se partitë dhe qytetarët do të kenë më shumë garanci për shkak të identifikimit të votuesve dhe shmangies së votimeve nga dy herë. Kjo është një arritje e pjesshme, por e pamjaftueshme për të garantuar një proces transparent. Zgjedhjet vidhen jo vetëm duke votuar më shumë se njëherë, por edhe duke i blerë votuesit që në shtëpi dhe duke u bërë presione nga më të ndryshme. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor duken vetëm si zbukurime dekorative përballë masakrës që ndodh në çdo fushatë elektorale. Marrëveshja nuk ishte ajo që opozita kërkoi këto tre vjet. Akti ekstrem politik i djegies së mandateve erdhi pas përgjimeve dhe provave të pakundërshtueshme që tregonin sesi rilindja vodhi votat. Me paktin e djeshëm nuk ka garanci që rilindja nuk do e bëj sërish të njëjtën gjë dhe më i gëzuar nga marrëveshja ishte Edi Rama që tha se gjërat kanë mbetur, siç janë. Kjo është dhe fitorja e pjesshme e Edi Ramës, që në fund i la gjërat siç janë dhe rilindja do të luajë në një terren manipulimesh që e njeh me mirë se kushdo tjetër. Fokusimi i debatit të depolizimit i komsionerëve ishte vetëm një skemë për të tërhequr vëmendjen dhe të mos prekte çështje që kanë të bëjë me sistemin zgjedhor, votimin e emigrantëve apo heqjen e listave nga duart e kreut të partisë.
Opozita nuk mori ato që donte, por realisht kjo ka qenë negociata më e vështirë për gjithë partitë e opozitës. Madje, në një farë mënyrë, nuk kishin asgjë për të negociuar. Ose duhet të pranonin atë që u jepte Edi Rama me një pjesë të diplomatëve ose duhet të bojkotonin negociatat. Bojkoti nuk është më opsion dhe opozita nuk ka më asnjë zgjidhje tjetër veçse të mund rilindjen dhe Edi Ramën në fushën e tyre dhe me rregullat e tyre.
Marrëveshja ka vetëm një sukses dhe ky nuk lidhet me nenet e ndryshuara të Kodit Zgjedhor. Konsensusi i dha një shans vendit për të mos djegur mundësinë e negociatave më Bashkimin Europian. Në këtë pikë, opozita edhe pse kishte gjithë arsyet të kundërshtonte, reagonte dhe protestonte zgjodhi të mos e digjte këtë etapë të vendit. Pjesa tjetër e marrëveshjes teknikisht dhe politikisht nuk ka ndryshuar asgjë. Tymi i bardhë që doli dje nga negociatat nuk shënonte nisjen e paqes, por nisjen e betejës politike me forma të tjera.
Zgjedhjet kurdo që të jenë do të kenë të njëjtat probleme dhe përballë opozitës do të jetë një rilindje edhe më problematike sesa ajo e vitit 2017.