Tymnaja greke për kishën e Himarës

Qamil Xhani /

Një problem me karakter urbanistik në Himarë është kthyer në një mollë sherri mes Greqisë dhe Shqipërisë. Shembja e Kishës së Dhërmiut nga Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Vendor (INUV) i Bashkisë së Himarës u quajt dje nga Ministria e Jashtme Greke një akt i ngjashëm me masakrat e Shtetit Islamik në Siri. Një gjuhë e tillë, që krahason një qeveri të një vendi tjetër me një organizatë terroriste është e papranueshme dhe tejkalon çdo komunikim diplomatik mes dy vendeve.

Termat e përdorur këto ditë nga zyrtarë të Kishës Ortodokse Shqiptare, “shkatërrim i Kishës”, “sulm barbar mbi objektet e kultit”, ‘kthim i kohës së Enver Hoxhës”, si dhe mjaft epitete të tjera që sulmojnë në mënyrën më të ashpër institucionet, kanë nevojë të sqarohen pak më gjatë për publikun. Një sqarim që për fat të keq nuk u bë as nga institucionet shqiptare. Po, është e vërtetë që kisha u shemb. Por ajo që nuk thonë, është se godina u shemb për të ndërtuar një kishe të re sipas standardeve dhe ariktekturës së njohur kishtare. Është një objekt që po rindërtohet duke respektuar modelin që ishte para se të rrëzohej nga komunistët gjatë shekullit të kaluar.

Vetëm dje, Kryeministri foli për një plan të ri të Bashkisë së Himarës për ta kthyer këtë zonë në një hapësirë që do të ketë të gjithë elementët e një objekti kulti, siç ka qenë edhe më parë. Godina që u shemb dje dhe për të cilën u bë aq rrëmujë, ishte një ndërtim i viteve ’90 i kryer nga banorët e zonës. Vendi ishte një objekt kulti, por ndërtesa nuk ishte me parametra të tillë dhe më shumë se kushdo, këtë e dinë vetë besimtarët. Nëse ka një faj qeveria në këtë histori, është se institucionet e tjera që ndërmorën aksionin duhet të kishin folur kohë më parë. Të diskutonin me banorët, të paraqesin projektin dhe ‘u tregohej se nuk flitet për shkatërrim, por për ringritje. Por kjo është diçka që i takon të përgjigjet Bashkia e Himarës, si autoriteti që ka marrë përsipër aksionin.

Tashmë çështja ka kaluar nga Bashkia e Himarës dhe Kisha Ortodokse dhe është kthyer në një problem mes Tiranës dhe Athinës. E në këtë problem, mes dy vendeve ka më shumë sesa një paradoks. I pari është ai se me çfarë të drejte një shtet fqinj ndërhyn në vendimmarrjen e Shqipërisë, për një territor me të cilin s’ka asnjë lidhje? Kisha e Dhërmiut është një problem lokal që është acaruar më shumë nga deklaratat pa sens të zyrtarëve të Kishës dhe nga mungesa e dhënies së informacionit nga pushteti vendor. Dje në Dhërmi flitej për dhunim të varreve dhe zhvarrosje?!! Kujt i intereson të përhapë panik me deklarata të tilla barbare? Nuk ka ndodhur asnjë tragjedi, po prishen disa mure për t’u bërë një kishë më e mirë. Me kaq, debati duhet të merrte fund. Por në Athinë, qëndrimin e kryeministrit shqiptar e kanë marrë si një sfidë dhe kanë nisur sulmet dhe “leksionet” sesi duhet të trajtohen çështja e objekteve të kultit.

Paradoksi i dytë lidhet me qëndrimin e opozitës shqiptare. Duke rendur për të përfituar politikisht nga çdo aksion i qeverisë, edhe këtë herë PD-ja u hodh në një betejë që ose nuk e kupton, ose është aq djallëzore sa të luajë me “zjarrin” dhe nuk i intereson shumë çfarë ndodh në vend. Djallëzore, sepse ka hyrë në një debat që ka marrë ngjyrime fetare duke i fryrë erës së përçarjes dhe duke përdorur teza që e dëmtojnë vendin më shumë sesa çdo çështje tjetër. Nëse PD-ja nuk ka kauza të tjera për betejat politike, me mirë të heshtë, sesa të futet me idiotësi në një çështje kaq të ndjeshme dhe ta përdorë për politikë dite.

Paradoksi tjetër lidhet me vizitën e kreut të Kishës Ortodokse, Anastas Janullatos në Athinë, ku normalisht u ankua për atë që po ndodhte në Dhërmi. Marrëdhënia mes institucioneve fetare dhe shtetit shqiptar rregullohet në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të veçanta. Çdo problem që ka të bëjë me Shqipërinë, mes tyre zgjidhet në Tiranë dhe jo në Athinë.

Deklaratat e ashpra nga Athina që krahasojnë Shqipërinë me ISIS dhe japin leksione sesi duhet të trajtohen objektet e kultit, jo vetëm që e kthejnë busullën e rajonit shumë vite pas, por tregojnë se në mënyrë të qëllimshme i shmangen realitetit. Greqia është në fushatë për zgjedhjet e parakohshme, ka krizë ekonomike prej 7 vjetësh dhe një krizë politike që gati e ka çuar vendin në falimentim dhe në anarki. Mes gjithë andrallave që ka Greqia, problemet me kreditorët dhe reformat që s’u ndërmorën kurrë, ku e gjen kohën për t’u shqetësuar për Shqipërinë? Dhe për më tepër, të japë edhe leksione sesi ndërtohet demokracia dhe si respektohen objektet e e kultit? Është po i njëjti vend që për 50 vite, madje edhe sot, ka zhdukur gjithë objektet kulturore dhe fetare të Çamërisë.

Nga pjesa kryesore e vendeve të BE-së, Greqia është cilësuar si shteti që “vodhi” taksat e europianëve dhe gënjeu për shifrat e ekonomisë për vite, derisa edhe shkoi drejt kolapsit ekonomik. Klasa politike e një vendi që mashtroi Europën nuk mund të japë leksione ndaj një shteti tjetër. Nuk mund të japë leksione për një fakt të thjeshtë: se problemi i Kishës nuk është real.

SHKARKO APP