U harrua Reforma e premtuar!

Që pas letërkëmbimit të kryeministrit Edi Rama me kreun e opozitës Lulzim Basha dhe dështimit të tryezës së përbashkët, reforma në drejtësi është harruar. Prej 10 ditësh nuk ka as takime të komisionit të posaçëm parlamentar dhe as qëndrime politike mbi atë çfarë do të ndodh me miratimin e reformës më të rëndësishme. Parimisht kishte dakordësi për kalimin e reformës në muajin mars. Sot jemi në situatën ku përveç akuzave nuk ka asnjë shenjë për arritjen e konsensusit dhe reforma në drejtësi është spostuar nga axhenda e politikës. Për Partinë Socialiste në tryezën e reformës mungon opozita. Për Partinë Demokratike, para se të shkohet tek votimi i reformës duhet që mazhoranca të zbatoj vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe demkriminalizmin. Por ndërsa palë gjejnë pretekste për të shmangur miratimin, shtyrja e afateve po ja lë vendin një tjetër skenari:zgjedhjeve të parakohshme.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mblodhi dje gjithë aleatët e selisë blu në një takim për reformën zgjedhore.Sipas Kushtetutës zgjedhjet e radhës do të zhvillohen në verën e ardhshme, por edhe pse duhet më shumë se një vit, opozita ka hedhur piketat e saj për ndërhyrjet në Kodin Zgjedhor. Kreu i PD-së tha se zgjedhjet po afrojnë dhe kërkoj nga mazhoranca garantimin e votës së lirë, numërimin sipas standardeve, transparencën e financimeve të partive, dekriminalizmin e kandidatëve dhe lirinë e mediave.

Nxitimi për të shkuar tek Kodi Zgjedhor konfirmon përgatitjen e opozitës për zgjedhje. Veç kësaj janë dhe disa nisma të tjera të PD-së që tregojnë se demokratët po nxehin muskujt elektoral. Prej disa javësh kreu i PD-së ka nisur takimet në rrethe për të prezantuar programin ekonomik. Ndërkohë që beteja politike nga foltorja e PD-së po zbret në takime të deputetëve aktualë në zonat elektorale. Në të gjitha takimet ajo që nuk përmendet është vetëm reforma në drejtësi.

Ky skenar në heshtje është pranuar dhe nga Partia Socialiste. Madje ishin vetë drejtuesit e saj që paralajmëruan shkuarjen e vendit në zgjedhje, nëse reforma nuk miratohej. Fillimisht kryeministri Edi Rama tha se ka një plan “B” nëse PD nuk jep votat, por duke nënkuptuar se ky plan ishte votimi nga qytetarët, pra zgjedhje. Ndërsa më pas, ish-kryeministri Pandeli Majko kërkoi zgjedhje të parakohshme, duke e cilësuar të kotë dialogun me PD-në, pasi opozita nuk do të jepte kurrë konsensus. Edhe pse nuk e pranojnë publikisht në mazhorancë kanë nisur vitin elektoral. Vendimet e fundit të qeverisë kanë qenë për pensionet e ish-ushtarakëve, shpronësimet dhe masa për shtresat sociale në nevojë. Edhe nga aksionet me arrestime tregtarësh dhe debitorësh të energjisë është hequr dorë. Janë vendime tipike në prag fushatash elektorale që synojnë zbutjen e masave të reformave për të marrë ca vota më shumë. Pra kampet po përgatiten për zgjedhje.

Pas vizitës në SHBA kreu i PD-së Lulzim Basha vendosi në krye të axhendës së tij ndryshimin e Kodit Zgjedhor, duke e kaluar reformën në drejtësi në plan të dytë. Këto ditë është kryeministri Edi Rama në Amerikë, ku veç takimeve për marrëdhëniet mes dy vendeve do të marrë mesazhe të qarta edhe për reformën. Ambasadori Amerikan, Donald Lu, i cili është diplomati që është investuar direkt në këtë proces ka deklaruar se reformimi i drejtësisë dhe pastrimi i gjyqësorit nga korrupsioni është axhendë e Shtëpisë së Bardhë për Shqipërinë. Pas kthimit nga SHBA-ja kryeministri Rama do të jetë më i qartë për qëndrimin ndaj reformës. Lëvizjet e mëdha politike gjithmonë kanë ndodhur pas vizitës së Kryeministrave në Amerikë.

Por a ka guximin Edi Rama të shkojë në zgjedhje të parakohshme? Por në fakt zgjedhjet e parakohshme i ka në dorë Ilir Meta. Nëse ai vendos të heq “tullën” qeverisë zgjedhjet janë në prag. Nuk dihet nëse Meta i do zgjedhjet e parakohshme dhe kjo i ka lenë PS e PD me veshët ngritur nga selia e LSI-së. Nëse Rama deklaron të shkojmë në zgjedhje nuk i dihet se si lëvizin balancat në parlament, aq me tepër që me daljen e Ben Blushit hapur kundër kreut të PS-së numrat e PS-së në sallën e Kuvendit janë dobësuar. PD-ja në asnjë rast nuk ka forcën për ta detyruar qeverinë të shkojë në zgjedhje, pasi po bën opozitë të butë, ndonëse perendimore. Pushtetet si rregull në Shqipëri shkojnë në zgjedhje të parakohshme vetëm nëse opozita bëhet radikale në rrugë. Pra vetëm LSI e dërgon ose jo në zgjedhje të parakohshme vendin. Ndaj Ilir Meta po mundohet të bindë PS e PD të gjejnë gjuhën e kompromisit politik për reformën në drejtësi, për Kodin Zgjedhor, për Byronë Kombëtare të Hetimit. Por nuk dihet se sa do ta ketë durimin LSI-ja që t’i presë palët, sidomos PS-në, e cila premtoi se në fund të marsit do t’i miratonte. Më pas e ka shtyrë para pushimeve verore . Gjasat duken se as në këtë sesion parlamentar nuk do të ketë reformë në drejtësi. As në shtator. Ndërsa tetori mund të ketë surpriza, sepse durimi ka një kufi.

SHKARKO APP