Urdia e servilëve dhe spiunëve rilindas-mediatikë, kundër Bushatit

Tani nuk lejohet të dalësh kundër Udhëheqësit të Madh të Partisë dhe Popullit Shqiptar, shokut Edi Rama, ose ndryshe përfundon në “thërtore”. Dhe ku janë të gatshëm “çakenjtë” me portale, me kronika televizive, me thashetheme se gjoja po punon për Ilir Metën apo për Vetvendosjen, ndërkohë që ish-ministri foli se PS-ja nuk ka nevojë të kthehet në vend për kriminelët apo biznesmenët që duan ta shqyejnë buxhetin e shtetit me anë të kostumit politik të selisë rozë. 

Ish-ministri jashtëm Ditmir Bushati është vënë nën sulme mediatike të televizionëve si dhe nga moria e portalëve qeveritare vetëm se guxoi të thoshte një të vertetë të madhe. Ai foli, pas mbledhjes së kryesisë së PS-së, se vetë partia ka nevojë për rinovim dhe reflektim. Reflektim nisur nga kandidimet për deputet dhe kryebashkiakë, të cilët si për dreq përzgjidhen ata më problematikët dhe që më pas dëmtojnë imazhin e PS-së. Por Ditmir Bushati nuk tha se duhet hequr Edi Rama, nuk përmendi se oligarkët marrin krejt buxhetin e shtetit, nuk foli për dekadencën morale dhe politike të forcës së tij mazhoritare, e cila po qeveris vendin prej 6 vitesh.

Imagjino se si do të përfundonte ish-ministri nëse do të prekte tamam plagën që ka mbërthyer qeverinë, partinë e tij dhe vendin. E megjithatë, edhe me kaq sa tha, iu turrën me “hanxharë” ndër duar portalet nën ndikimin e Endri Fugës apo mediat që marrin tenderime e leje ndërtimi apo që financohen në mënyra të ndryshme prej qeverisë. Janë kaq shumë emra prej tyre, sa nuk do të mjaftonte një faqe gazete. Publiku është i qartë, pasi ka parë lajmet apo faqet e para të gazetave dhe lajmet e para në televizione.

Ditmir Bushati është një zë serioz në PS dhe që ka realisht përkrahje në bazën e PS-së, pasi po fillon të flasë për ato gjëra që prekin interesat e bazës së majtë socialiste, por jo vetëm. Bushati ka folur në parlament duke i kërkuar kolegëve të tij të PS-së që të jenë të vetdijshëm se me “opozitën e listave”, sikur gjoja është opozita reale e vendit, vendi nuk do të ketë përparim, pasi opozita reale është ajo jashtë Kuvendit. Bile ish-ministri ka kërkuar uljen me opozitën politike për të gjetur rrugëzgjidhje në të mirë të vendit e jo përdorimin e forcës apo ironisë me forcat opozitare.

Ishte Ditmir Bushati që foli hapur kundër ndarjes së Kosovës, duke i kërkuar edhe kryeministrit Rama të ishte në anën e kundërt të dyshes Vuçiç-Thaçi. Ky qëndrim kombëtar solli largimin e tij nga kabineti qeveritar në një mënyrë aspak korrekte prej Ramës. Megjithatë ish-ministri ka mbrojtur hapur forcën e tij politike të genit historik politik që është PS-ja, ndërkohë që në këtë parti kanë hyrë me thasë një tufë njerëzisht që nuk kanë asnjë lidhje me të majtën, e sidomos me PS-në.

Ndaj foli Ditmir Bushati. Ndaj ai sulmohet nga urdia e teveqelave, të cilëve iu intereson pushteti si zhvatje e buxhetit dhe interesit publik në favor të xhepave personal.

Po të shikojë këto ditë sulmet, kronikat e porositura se sikur Ditmir Bushati e kishte fajin për Shkodrën, etj të krijohej shija e keqe se si po përfundon kjo forcë politike liberale e kohës së Fatos Nanos, ku kishte fraksione, debate, edhe sherre, por prapë flisnin njerëzit.

Tani nuk lejohet të dalësh kundër Udhëheqësit të Madh të Partisë dhe Popullit Shqiptar, shokut Edi Rama ose ndryshe përfundon në “thertore”. Dhe ku janë të gatshëm “çakenjtë” me portale, me kronika televizive, me thashetheme se gjoja po punon për Ilir Metën apo për Vetvendosjen, ndërkohë që ish-ministri foli se PS-ja nuk ka nevojë të kthehet në vend për kriminelët apo biznesmenët që duan ta shqyejnë buxhetin e shtetit me anë të kostumit politik të selisë rozë.

Alban Mati

SHKARKO APP