URIME, por kujdes me euforinë zoti Rama

Komisioni Europian rekomandoi dje zyrtarisht çeljen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë. Ndryshe nga herët e tjera, Komisioni Europian nuk vendosi kushte shtesë, por i rekomandoi Këshillit të Ministrave të BE, që në muajin qershor të shprehet me votë për nisjen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë. Vendimi i Komisionit Europian padyshim që është një lajm i mirë për ne të gjithë shqiptarët. Pas rrëzimit të çeljes së negociatave në vitin 2016, ky është hapi i dytë serioz që Shqipëria bën për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Pavarësisht problemeve në Shqipëri dhe akuzave të forta që nuk mungojnë nga të dy kampet politike, Komisioni Europian ka bërë një vlerësim objektiv duke e futur Shqipërinë në të njëjtin bllok me vende e tjera të Rajonit. Tirana zyrtare ka humbur jo pak kohë në procesin e integrimit. Nëse do të vonohemi edhe në këtë etapë, rrezikojmë të dalim jashtë interesave të BE në Rajon.

Rekomandimi i Brukselit u përshëndet dje nga gjithë klasa politike. Kryeministri Edi Rama, pas marrjes së raportit, doli në një konferencë për mediat duke e cilësuar si një vendim historik. Në fjalimin e tij, kryeministri e cilësoi si një fitore të shqiptarëve, ndërsa akuzoi me dinakëri opozitën se ka bërë përpjekje të mëdha që ky rekomandim të mos jepej. Kreu i qeverisë dhe më pas deputetë të rëndësishëm të PS-së e cilësuan vendimin e djeshëm si një akt unikal dhe provë e suksesit të qeverisë “Rama”. Sigurisht që është një lajm i mirë për shqiptarët, por nëse shihje dje qëndrimet mazhorancës dukej sikur Shqipëria kishte hyrë në BE dhe jo sikur ka marrë vetëm një rekomandim që mbetet leje për vazhdimin e rrugës për në BE, jo destinacioni final për të cilin mazhoranca shpejtoi dje të marrë meritat. Për të qenë realist kryeministri ka merita në këtë rast, pasi ka përdorur e luajtur çdo mjet, demokratik dhe jo demokratik, që ta merrte këtë rekomandim zyrtar. Përveç përfitimit të Shqipërisë, ishte dhe karrika e kryeministrit në lojë.

Është mëse e ligjshme që çdo qeveri të marrë meritat për procesin e integrimit. Por nuk ishte dje rasti për të shfaqur euforinë dhe për të sulmuar opozitën si anti BE. Realisht nga dje nis puna për të marrë statusin e vendit kandidat. Qeverisë, opozitës dhe çdo faktori me peshë në vendimmarrje tashmë i takon detyra për të bindur vendet që mund të jenë kundër Shqipërisë në muajin qershor. Sinjalet që vijnë nga Brukseli tregojnë se kundër hapjes se negociatave kemi jo pak vende që na shohin me sy kritikë. Gjermania dhe Franca kanë qëndrime parimore që lidhen faktin se për ta “lagja e Ballkanit” është ende shumë larg vlerave të BE. Ndërsa shtete të tjera, si Greqia kanë në tavolinë pretendime konkrete ndaj Shqipërisë. Pretendime nga të cilat nuk do të heqin dorë kollaj, madje do të bëjnë presion për të marrë sa më shumë në tavolinë, sidomos këto muaj që qeverisë “Rama” i duhet me patjetër një “po” nga Athina. Tani qeveria greke rri me hanxhar në dorë se ç’mund të kap nga Shqipëria për atë votë në qershor.

Raporti i rekomandimeve të KE-së jep një panoramë të zhvillimeve politike në Shqipëri dhe vlerëson se Shqipëria ka bërë hapa para në disa drejtime. Në gjithë reshtat e raportit reforma në drejtësi njihet si merita më e madhe, por flitet vetëm për miratimin e saj dhe të gjithë e dinë se në Kuvend nuk kaloi vetëm me votat e PS, por edhe të PD dhe LSI. Ndaj nëse ka sukses nuk i takon vetëm mazhorancës. Por edhe ky është një sukses përgjysmë. KE shprehet optimiste për nisjen e vetingut dhe largimin e disa gjyqtarëve, por thekson se priten rezultate me konkrete lidhur me dënimin e korrupsionit në nivelet e larta. Janë sërish “peshqit e mëdhenj”, që këtë herë kërkohen me fjalë të tjera. Produktet konkrete të reformës nuk po duken ende. Që nga votimi i ligjeve dhe deri të ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë kanë ndryshuar mjaft gjëra, që mund ta kthejnë reformën nga suksesi i imagjinuar, në sistemin e ri të gjyqtarëve të plepave. Ka akuza se PS-ja po e përlan systemin e drejtësisë me KPK dhe organet e tjera të ngritura e të kontrolluara nga ajo.

Shqipëria nuk ka nevojë për një drejtësi që kalon nga “drejtësi e Saliut” në një “drejtësi e Ramës”.

Gjithsesi dje ishte një gëzim për të gjithë shqiptarët. Ishte një notë kaluese dhe në drejtimin e duhur, realisht. Por duhet shumë punë deri në muajin qershor për të marrë statusin final nga kryetarët e shteteve të BE dhe parlamentët e shteteve anëtare.

Q. Xhani

SHKARKO APP