Venecia “Po” ligjit të Vetingut
Komisioni i Venecias i ka dhënë fund debatit disamujor lidhur me ligjin e kontrollit të figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Drafti final dhe zyrtar i komisionit do të publikohet ditën e shtunë, por një pjesë e dokumentit për Gjykatën Kushtetuese është publikuar dje në media. Në opinionin e Komisionit të Venecias për ligjin e Vetingut mësohet që pretendimet e Partisë Demokratike se, ligji cenon Kushtetutën dhe të drejtat e njeriut, nuk janë të bazuara. Dokumenti u është dorëzuar partive dhe palëve në procesin gjyqësor në Gjykatën Kushtetuese. Një pjesë e këtij materiali u publikua dje nga “Top Channel” dhe ajo që kuptohet nga qëndrimi i Venecias është se ligji i Vetingut ka dritën jeshile për t’u zbatuar.
Në padinë që bëri në Gjykatën Kushtetuese, Partia Demokratike pretendonte se ligji shkelte Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, përsa i përket respektimit të jetës private dhe familjare të gjykatësve dhe prokurorëve. Komisioni i Venecias këtë ankesë nuk e shesh si problem të ligjit. “Forma e përcaktuar në Aneksin 3 të ligjit të Vetingut kërkon që personi të deklarojë, nëse ka pasur kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar dhe të listojnë këto kontakte. Qoftë edhe një kontakt i vetëm kërkohet për t’u deklaruar. Nuk do të ishte një detyrë veçanërisht e vështirë për të plotësuar këtë deklaratë, veç nëse ky është një gjykatës apo prokuror, kontaktet e të cilit me krimin e organizuar janë shumë të zgjeruara”,- thuhet në dokumentin e Komisionit të Venecias.
Detajet konkrete të opinionit të Venecias do të publikohen ditën e shtunë. Por ajo që duket hapur ka të bëjë me faktin se ligji i kundërshtuar nga opozita ka marrë miratimin nga institucioni më i lartë ndërkombëtar në konsulencën ligjore. Ky vendim hap një tjetër fazë të zhvillimeve politike dhe të reformës së drejtësisë në vend, duke qenë se pas Venecias opozita duhet të pranojë verdiktin për zbatimin e ligjit. Ka reaguar menjëherë dje Edi Rama, ku shkruan, jo pa ironi për PD-në në Facebook: Të gjithë po gënjejmë: Unë, SHBA dhe BE. Nuk gënjen vetëm Lulzim Basha!
Ambasadori amerikan Donald Lu, në një takim kundër korrupsionit dje në Tiranë, la të kuptohet se vendimi i Venecias ishte në favor të ligjit të Vetingut dhe se PD-ja duhet të pranonte opinionin e këtij institucioni. Jo rastësisht ai përmendi faktin se Venecia është pranuar si një organ kompetent për reformën edhe nga ish-Kryeministri Sali Berisha. “I jemi mirënjohës Komisionit të Venecias për këshillat e urta. Jam dakord me Dr. Sali Berishën që ka thënë para disa kohësh që opinioni i Komisionit të Venecias ofron bazë solide për t’i dhënë vendit reformën më të mirë të drejtësisë”, -deklaroi ambasadori Donald Lu. Kjo deklaratë e bërë nga diplomati amerikan duket se fton opozitën që të mos vazhdojë me betejën ligjore lidhur me reformën në drejtësi. Përderisa Venecia u pranua si palë që certifikonte cilësinë e ligjeve, me opinionin e fundit i ka hequr të drejtën PD-së për të bllokuar sërish ligjin.
Megjithatë, çështja e Vetingut nuk lidhet vetëm me qëndrimet direkte të PD-së. Opinioni i Komisionit të Venecias ka rol vetëm këshillues për institucionet shqiptare. Në fund është Gjykata Kushtetuese Shqiptare ajo që do të vendosë nëse ligji i Vetingut, që u ankimua nga PD-ja, shkel apo jo Kushtetutën dhe të drejtat e njeriut. Në këtë rast, Gjykata ka në dorë jo vetëm fatin e reformës në drejtësi, por edhe zhvillimet e ardhshme politike.
Mazhoranca duket se është përgatitur për të gjitha opsionet. Ndërkombëtarët kanë rritur sërish tonet dhe presionin për zbatimin e reformës duke argumentuar se po dëmtohet procesi i integrimit dhe po bllokohen fondet që kanë dhënë për Shqipërinë. Çdo vonesë me reformën vetëm sa çon më larg hapjen e negociatave me BE-në. Në këtë situatë, mbetet të shihet se si Gjykata Kushtetuese do të lexojë opinionin e Komisionit të Venecias. Në fund të fundit vendimit të Gjykatës Kushtetuese janë të detyruar t’i binden palët “ndërluftuese” në Tiranë.
Nëse Kushtetuesja nuk e miraton atëherë duket se zbatimi i reformës do t’i mbetet Parlamentit të ri të pas 18 qershorit 2017. Në rast moskalimi në Kushtetuese të ligjit në fjalë, atëherë kjo do t’i japë pikë politike mazhorancës për të sulmuar opozitën dhe fituar zgjedhjet në qershor.
Qamil Xhani