Venecia:Jo votim me dhunë. Duhet konsensus!
Komisioni i Venecias ka gati dokumentin final për reformën në drejtësi. Rekomandimet e ekspertëve të Venecias japin përgjigje për çështjet kryesore për të cilat nuk kishte dakordësi mes palëve në Tiranë. Pika më e debashtueshme që solli dhe bllokimin e projektit dy muaj më parë ishte ajo që ka të bëjë më zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe institucioneve të tjera që do të krijohen nga reforma. Partia Demokratike kërkonte që anëtarët e këtyre institucioneve të votohen me 94 vota, ose 2/3 e Parlamentit. Ndërsa mazhoranca ka propozuar që anëtarët e institucioneve të reja të zgjidhen me 3/5 e votave, pra 84 deputetë. Në këtë pikës Venecia vlerëson se ky është një debat që duhet ta zgjidh politika, pasi në praktikën ligjore nuk ka kërkesa strikte për numrin e votave.
“Në fushën e ligjit dhe praktikës ndërkombëtare nuk ka kërkesa strikte që një shumicë e cilësuar me 2/3-at, e cila përdoret në zgjedhjen e drejtuesve më të lartë. Pragu i duhur i votave që duhen siguruar në rastin e fundit është në thelb më shumë politik sesa çështje ligjore”,- thuhet në rekomandimet e Komisionet të Venecias. Pra, për ekspertët e huaj thelbi është te konsensusi politik mes palëve. Por edhe nëse palët nuk bien dakord për numrin e votave që duhen për emërimet dhe ngelet në fuqi varianti i mazhorancës për 3/5-at, Komisioni i Venecias jep një tjetër variant sesi mund të garantohet përfshirja e opozitës.
“Nëse forcat politike të përfshira në këtë proces nuk dakortësohen për zgjedhjen me shumicë të cilësuar anëtarët e 3 institucioneve të reja duhet të synojnë një opsion të ri që i garanton opozitës përfaqësim në të gjitha këto institucione apo një model tjetër, i cili do t’i sigurojë opozitës një influencë të caktuar në procesin e zgjedhjes”,- thotë Venecia.
Nuk dihet nëse palët politike do të bien dakord për një variant të tillë. Por në të gjitha rastet reforma ka hyrë në çështje politike, pasi Komisioni thotë se “nëse forcat politike nuk gjejnë konsensus duhet të vënë në zbatim sistem proporcional me qëllim garantimin e përfaqësimin e opozitës në këto organe”. Në të gjitha rastet, ajo që bie në sy ka të bëjë me faktin se reforma nuk duhet të kalojë në mënyrë të njëanshme. Pra, ose opozita bie dakord për zgjedhjen e anëtarëve të institucioneve në Kuvend, ose vetë institucionet kontrolluese duhet të krijohen në mënyrë të tillë që opozita të ketë mundësinë e përfaqësimit më anëtarë të propozuar nga ajo. Në këtë pikë çështja e llogarive të votave në Kuvend kalon në plan të dytë dhe palët janë të detyruara të gjejnë konsensusin.
Në rekomandimet e Komisionit të Venecias trajtohen dhe probleme të tjera që kanë pasur jo pak debate mes kampeve kryesore politike. Pika tjetër kryesore ka të bëjë me mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm aktual. Komisioni nuk e sheh me vend ndërprerjen e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm “përsa kohë ai do të duhet t’i nënshtrohet procesit të verifikimit dhe kontrollit”. Opinioni i Komisionit e quan “të pranueshëm mekanizmin e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm dhe të Isnpektorit të Lartë të Drejtësisë, përmes propozimeve me disa kandidatura të ardhura nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, me tre të pestat e parlamentit”, ndërkohë që sugjeron si variant alternativ edhe “zgjedhjen e tyre, për herë të parë, me dy të tretat”.
Pas mbërritjes së dokumentit të Venecias pritet dhe qëndrimi i partive politike. Në opinionin e Venecias secila palë mund të gjej argumentet e saj pro dhe kundër. Edhe ekspertët e opozitës do pretendojnë se janë marrë parasysh sugjerimet e tyre, edhe ekspertët e PS-së në disa raste do këmbëngulin se kanë të drejtë për votimin me 3/5. Në thelb votat janë llogari momentale. Kur flitet për reforma të mëdha si kjo e drejtësisë, rëndësi ka dialogu politik parlamentar. Deri tani asnjë palë nuk duket se është gati të lëshojë nga qëndrimet e veta.
Drafti erdhi. Tani duhet që Rama, Meta, Basha dhe Berisha të ulen në tavolinë në dialog. Në të kundërt do kthehemi në pikën e nisjes ku palët nuk bien dakort dhe opozita nuk do ta njohë reformën dhe sapo të rikthehet në pushtet do ta rrëzojë. Por Shqipëria ka nevojë për një reformë që të rezistojë kohës të paktën 30 vite e kusur. Ligjet dhe reformat nuk duhen të bëhen për ti shërbyer një pushteti 4 vjeçar.