Vetingu hap negociatat me BE

 

Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian pritet të vendos me 15 dhjetor për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE. Vlerësimi i institucioneve të BE-së do të bazohet mbi një sërë çështjesh specifike që kanë të bëjnë me punën e qeverisë dhe të politikës. Por ajo që cilësohet si çështja kryesore që mund të penalizojë Shqipërinë ka të bëjë me zbatimin e reformës në drejtësi. Kjo reformë ka ngecur të ligji i Vettingut që do të shërbejë për kontrollin e pasurisë dhe figurës morale së gjyqtarëve e prokurorëve. Ligji është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike, duke mbajtur peng në këtë mënyrë gjithë procesin e reformës në drejtësi.

Një fakt i tillë, megjithë kundërshtimin e opozitës që pretendon se Vetingu është vetëm një nga shumë kushtet që e penalizojnë Shqipërinë, është përsëritur dje nga Kreu i Kuvendit Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama. Çështja e Vettingut është diskutuar në një takim mes kreut të Parlamentit dhe ambasadorit të SHBA, Donald Lu dhe ambasadores së BE-së, Romana Vllahutin. Kreu i Kuvendit tha se shqetësimi i ndërkombëtarëve është vonesa e reformës dhe konkretisht ligjit të Vetingut, i cili mund të hap negociatat. Ilir Meta tha se takimet me ndërkombëtarët në Bruksel dhe në Tiranë kanë pasur si qëllim “vullnetin e përbashkët për ecurinë e zbatimit sa më të shpejtë dhe pa vonesa të reformës në drejtësi në përgjithësi, dhe sidomos ecurinë sa më të shpejtë të ligjit të Vetting-ut, si një kërkesë gjithashtu edhe për të forcuar perspektivën e çeljes së negociatave për anëtarësim midis Shqipërisë dhe BE, pasi Komisionit Evropian e ka bërë tashmë një rekomandim pozitiv, dhe shpresojmë që kjo të përforcohet edhe nga Këshilli i vendeve anëtare në ditët e ardhshme”.

Në të njëjtën linjë ka qenë dje dhe kryeministri Edi Rama. Gjatë takimit me homologen polake, Beata Szydl, kreu i mazhorancës tha se kushti i vetëm që Këshilli i Ministrave te BE të hap dritën jeshile është ligji i Vetingut. “Komisioni Europian ka bërë një rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave, ky rekomandim të mirëpritet nga Këshilli dhe Shqipërisë t’i jepet mundësia që në muajt në vijim të japë provën e prekshme të fillimit të zbatimit të Reformës në Drejtësi, duke nisur aty ku nënvizon Komisioni, zbatimin e ligjit të Vetting-ut të prokurorëve dhe gjykatësve, si kushti i vetëm për t’u rikthyer në Këshill, Komisioni përmes një raporti të ndërmjetëm, që do të çelte negociatat për Shqipërinë”,- u shpreh kryeministri.

Po dje, diplomatët e SHBA, Donald Lu dhe BE, Romana Vllahutin kanë dhënë mesazhe të forta lidhur me zbatimin e reformës në drejtësi. Sipas tyre, çdo skenar tjetër për reformën do të bllokojë procesin e integrimit. Rritja e presonit të ndërkombëtarëve lidhet me faktin se në datën 12 Komisioni i Venecias do të publikojë opinionin përfundimtar për ligjin e Vetingu. Ky opinion do t’i dërgohet më pas Gjykatës Kushtetuese, e cila do të vendos nëse ligji do të hyjë në fuqi ose jo. Në opinionin paraprak të Venecias ligji i ankimuar nga PD-ja cilësohet si në përputhje me standarde ndërkombëtare. Pra Venecia sugjeron nisjen e zbatimit të tij. Pritet të shihet se cili do të jetë qëndrimi i PD-së si palë ankimuese dhe vendimi Gjykatës si institucion suprem. Në rast të kalimi të ligjit, procesi i integrimit nuk ka më pengesa për çështjen e fazës së parë të reformës. Por në rast të një bllokimi tjetër të ligjit, në Bruksel do reagojnë dhe Shqipëria do të marrë refuzimin e radhës për hapjen e negociatave.

Ligji i Vetingut këto ditë nuk është vetëm një test për luftën kundër korrupsionit në radhët e drejtësisë, por edhe çështja kyçe ka të bëjë me interesa direkte kombëtare. Reforma në drejtësi ka pasur, gjatë miratimit të saj, mospërputhje qëndrimesh edhe brenda mazhorancës. Por me kalimin në Kuvend dhe konsensusin e madh të 21 korrikut, qëndrimi i PD-së është i pajustifikuar. Me padinë në Gjykatën Kushtetuese, PD-ja jo vetëm ka pezulluar zbatimin e reformës më të rëndësishme në 26 vjetët e fundit, por po bllokon direkt dhe integrimin e vendit.

Natyrisht ka nevojë edhe për një mirëqeverisje nga mazhoranca, por deri tani vetëm Vettingun po përmendin ambasadori amerikan dhe ambasadorja e BE.

Qamil Xhani

SHKARKO APP