Vetingu sot,si do votojë PD?
Parlamenti pritet të kalojë sot në votim ligjin për kontrollin e gjyqtarëve, i cili është një nga shtatë ligjet kryesore që bëjnë të mundur zbatimin e reformës në drejtësi. Por ndryshe nga reforma në drejtësi, votimi i sotëm është shumë larg konsensusit mes mazhorancës dhe opozitës. Projekti i njohur me emrin Vetting ka kaluar në Komisionin e Posaçëm të Reformës në drejtësi vetëm me votat e mazhorancës. Kërkesat e Partisë Demokratike nuk u morën parasysh. Pavarësisht kësaj, një ditë para votimit, Partia Demokratike depozitoi në Kuvend 28 amendamente të tjera që kundërshtojnë disa nga nenet kryesore të këtij ligji.De facto amandamentet e PD-së e rrëzojnë ligjin dhe kësisoj duhet shumë durim nga PS-LSI për ti debatuar. Por durimi i mazhorancës kalon nga vendimi i dyshes Lu-Vlahutin.
Amendamentet e Partisë Demokratike, siç thuhet në relacion, garantojnë zbatimin e Kushtetutës dhe bazohen në opinionet e Komisionit të Venecias. Demokratët rendisin një sërë shkeljesh kushtetuese që bëhen nëse ligji kalon sot në Kuvend. Ndryshe nga sa ndodhi me qëndrimet për paketën e ndryshimeve kushtetuese të reformës në drejtësi, votat e mazhorancës PS-LSI mjaftojnë për të kaluar ligjin në Kuvend. Reforma kushtetuese kërkonte 94 vota, ndërsa ligji i vettingut kalon me 84 vota dhe mazhoranca duket se nuk ka problemin e konsensusit. I ka 84 votat.
Por kalimi i ligjit të vettingut vetëm me votat e mazhorancës mund të sjellë një tjetër ngërç politik dhe ligjor në vend. Që në nisje të debatit për vetingun Partia Demokratike ka lënë të kuptohet se një votim jo konsensual mund të çonte ligjin në gjykatën kushtetuese. Me 28 amendamentet e reja që dorëzoi paraditen e djeshme selia blu, arsyet ligjore për ta çuar ligjin në kushtetuese nuk mungojnë. Një hap i tillë i opozitës do të sillte si efekt të parë bllokimin e gjithë procesit. Gjykata Kushtetuese ka afatet e saj të shqyrtimit të ankimimit dhe për pasojë ngritja e institucioneve të reja dhe lëvrimi i fondeve nga institucionet ndërkombëtare do të vihej në pikëpyetje. Nëse ligjit kalon sot në Kuvend për zbatimin e tij duhen të paktën 3 muaj. Një padi në Gjykatën Kushtetuese mund ta shtyjë vënien në zbatim drejt afateve të papërcaktuara. Nga ana tjetër, bllokimi i procesit krijon pak shanse dhe për votimin e 6 ligjeve të tjera.
Në amendamentet e Partisë Demokratike vihet theksi në faktin se projektligji aktual për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka probleme të mëdha dhe shkel hapur Kushtetutën. Nga ana tjetër, projekti zhbën dhe konsensusin e arritur në seancën e datës 21 korrik. Vërejtja kryesore e PD-së ka të bëjë me ndërhyrjen e qeverisë në procesin e kontrollit dhe verifikimit të gjyqtarëve që do jenë pjesë e institucioneve të reja të drejtësisë. Më konkretisht, PD pretendon se me projektin e njëanshme të Vetingut, PS-ja i hap rrugë kontrollit të qeverisë mbi organet e reja të drejtësisë, apo dhe organeve ekzistuese si Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit dhe Drejtoria e Sigurimit te Informacionit te Klasifikuar (DSIK). Sipas demokratëve e njëjta gjë synohet dhe me organet e reja të vetting-ut, si komisionerët publikë dhe kolegji i apelimit.
Por sherri për detajet e ligjit me shumë se juridik vlerësohet në aspektin politik. Mazhorancës nuk i nevojiten votat e PD-së për kalimin e ligjit. Kjo është arsyeja se përse gjatë këtyre javëve nuk ka pasur asnjë tentativë për konsensus. Por përballja në gjykatën kushtetuese rrezikon të zhbëjë dhe konsensusin e arritur me kalimin e ndryshimeve Kushtetuese. Në të gjitha rastet zgjidhja optimale është që palët të ulen edhe një herë për konsensus. Ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu rinisi dje takimet me drejtuesit e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kreun e Kuvendit, Ilir Meta. Deri në orët që mbeten për zhvillimin e seancës gjasat që PD dhe PS të arrijnë marrëveshje janë të pakta.
Ndërkohë me afër duket vajtja në dyert e Kushtetueses pas votimit të sotëm nga PS-LSI. Vetëm Lu-Vlahutin-Meta mund ta zgjidhin ekuacionin e vështirë të votimin të sotëm në parlament nga PS-LSI pa PD. Të gjitha gjasat janë se do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese duke vonuar gjithçka nga 21 korriku kur Ilir Meta arriti të sigurojë 140 vota për reformën në Drejtësi.
A do të jetë sot 30 gushti në linjën e 21 korrikut? Duket se jo!