“Vezë britanike” mbi Kryeministrin Edi Rama
-Endri Hasa, deputeti që qëlloi me vezë Edi Ramën, është diplomuar në Universitetin e Firences në Itali dhe ka kryer studimet master në “University of Sheffield”, një nga më të njohurit në Britani dhe në Botë. Kreu i mazhorancës nuk duhej ta merrte me kaq inat, duke e dërguar në prokurori për hetim penal, pasi mund ta kalonte me shpoti apo humor, siç ndodh kur tallet me të tjerët.
-Taulant Balla: “Vezët i futi në sallë Basha”. E verteta mbetet se vezët erdhën në sallë nga një deputet i PS. Me sa duket në “kotecin” e mazhorancës sapo ka nisur sherri i fortë mes gjelave. Sherre të tilla në partinë më të madhe në pushtet, zakonisht nuk përfundojnë me thyerje vezësh, por me “thyerje kokash”.
Edi Rama ka kaluar dje nga momentet më të vështira në Parlament që nga koha kur ka marrë detyrën e kryeministrit. Jashtë sallës së Kuvendit ishin mbledhur me mijëra qytetarë që protestonin kundër politikave të qeverisë së tij. Studentë, profesorë, banorët e Unazës së Re, minatorë dhe çdo qytetar tjerë i pakënaqur nga qeverisja “Rama” kishte dalë në rrugë për të shprehur revoltë. Në sallën e Kuvendit, pas gjashtë muaj bojkot, opozita u rikthye me kushte të qarta për të votuar tetë kërkesat që kanë nxjerrë në rrugë prej 16 ditësh studentët. Në një situatë të tensionuar më shumë se kurrë, në vend të zgjidhjeve konkrete, kryeministri i kish kaluar orët e fundit duke hartuar një fjalim bombastik, të mbushur me justifikime ndaj studentëve dhe akuza ndaj kundërshtarëve të tij. Zgjodhi të bëjë atë që di më mirë në raste të tilla. Të dalë në foltoren e Kuvendit dhe të sfidojë opozitën që ka përballë dhe qytetarët në shesh, jo me argumente, por me batuta, metafora dhe oratori, që për hir të së vërtetës e ka të nivelit të lartë shpotitës. Por një qeveri nuk drejtohet me shpotitje. Me një fjalim shkatërrues ai kishte menduar edhe të zbehte disi goditjen e fortë që ka marrë imazhi i kreut të qeverisë në takimet me studentët, të cilat çdo ditë po i dalin nga kontrolli. Kjo ishte skema që kishte në mendje kreu i qeverisë para nisjes së seancës dhe deputetët e PS-së ishin përgatitur për të mbajtur duartrokitje të zjarrta për liderin që sipas tyre nuk gabon asnjëherë.
Por sapo kryeministri iu drejtua sfidues foltores së Kuvendit dhe kamerave për ta parë qytetarët, deputeti i Partisë Demokratike, Endri Hasa u shkëput nga vendi i tij në mënyrë të rrufeshme goditi me vezë kreun e qeverisë. Goditja ishte aq e shpejtë sa edhe shpura e bodigardëve dhe rojeve personale të kryeministrit, që stërvitet për situata të tilla, u gjet e papërgatitur. Në pak sekonda kreu i qeverisë e pa veten dhe kostumin elegant të zgërlaqur me vezë. Brenda pak sekondave deputeti demokrat tentoi të merrte nishan edhe një herë bustin e kreut të qeverisë, por rojet personale e kishin kuptuar se nga vinte rreziku dhe nuk i lanë më kohë të reagonte. Herën e dytë veza kaloi me vrik mbi kokën e kryeministrit, duke iu bërë paksa fresk atyre qimëve në kokën e Ramës.
Gjullurdia me rojet dhe britma që pasoi e bëri të pamundur vazhdimin e seancës dhe kryeministri u largua nga foltorja duke marrë me vete vezët në kostum dhe fjalimin e palexuar. Dhe nuk u duke më në parlament, ndonëse në ora 18.00 parlamenti filloi punimet deri vonë. Në historikun e Kuvendit shqiptar ku ka pasur plagosje, vringëllima armësh dhe raunde të pastra boksi profesionist, incidenti i djeshëm u cilësua nga opozita si më seriozi. Madje nuk munguan edhe zëra deputetësh të PS që gati deklaruan se ajo që bëri Endri Hasa ishte “atentat me vezë” dhe kërcënim serioz për jetën e Kryeministrit. Të fyer nga vezët socialistët mblodhën me urgjencë Byronë e Kuvendit dhe vendosën përjashtimin me 10 ditë të deputetit Hasa. Por inati i socialistëve ndaj deputetit nuk përfundoi me kaq. Dje në mbrëmje, me urgjencë drejt Prokurorisë së Përgjithshme u nis një kallëzim penal ndaj deputetit të Elbasanit, Hasa. Akuza që ka formuluar PS të krijojnë idenë sikur Endi Hasa ka goditur me kallashnikov apo kundra-tank Kryeministrin dhe jo me një kokërr vezë. Deputeti demokrat akuzohet për “goditje për shkak të detyrës” dhe “shpërdorim detyre”. Goditja për shkak të detyrës i referohet sulmit ndaj kryeministrit. Ndërsa akuza e shpërdorimit, pozitës së tij si deputet i Kuvendit. Duke bërë humor, opozitarët deklaronin dje se të vetmen gjë që ka shpërdoruar Endri Hasa është kokrra e dytë e vezës që nuk qëlloi në shenjë Ramën. Realisht kryeministri duhej ta merrte me shaka këtë ngjarje dhe jo duke e çuar në prokurori, sepse mund ti përsëritet prapë në seanca parlamentare. Burime të besuara tregojnë se vezët kanë hyrë në sallë nga një deputet i PS-së, sepse deputetët e opozitës u kontrolluan imtësisht.
Incidenti i djeshëm në Kuvend, nga socialistët dhe mediat afër qeverisë u cilësua si skandal i përmasave të mëdha. Në kronika dhe statuse në Facebook bëhej moral se një deputet nuk mund të sillet si barbar. Shumëkush akuzoi dhe Endri Hasën për formim të ulët dhe nuk munguan etiketimet e zakonshme si “shpellar”. Mjafton një kërkim i thjeshtë në internet për deputetin demokrat dhe kupton se asnjë epitat fyes nuk ka lidhje me të. Hasa ka mbaruar studimet dhe specializimet në universitet më të mira të inxhinierisë elektronike në Britaninë e Madhe dhe Itali. Ai është diplomuar në Universitetin e Firences në Itali dhe ka kryer studimet master në “University of Sheffield”, një nga më të njohurit në Britani dhe në Botë. Kaq mjafton për të kuptuar se Hasa nuk është modeli i deputetit që i dha dikush dy vezë në dorë dhe u sul drejt kryeministrit. Është një akt që më shumë se i rrezikshëm për jetën e kreut të qeverisë është simbolik. Është një formë reagimi që vjen nga një deputet i ri, që ka studiuar jashtë, dhe refuzon të dëgjojë fjalim-mashtrime në Kuvend. Të tilla skena ndodhi edhe në parlamente të tjera dhe fatmirësisht përveç kostumit të Edi Ramës, asgjë tjetër nuk u dëmtua seriozisht. Për ata që e cilësuan si gjest “barbar”, “fshatar” apo “shpellar”, mund të themi se ishin vetëm “vezë britanike” ndaj kreut të qeverisë.
Në sherrin e djeshëm ka dhe një çështje që po shqetëson seriozisht kupolën në PS. Dilema është; kush e “polli” vezën që ju plas dje Edi Ramës? Taulant Balla deklaroi se vezët ishin në xhepat e Lulzim Bashës, i cili më pas ja dha deputetit Hasa. Vet deputeti i Elbasanit deklaroi se “vezët i mori nga dy studente që protestonin jashtë Kuvendit, me porosinë për t’ja dërguar Edi Ramës”. Por qarkullon dhe një variant tjetër shqetësues për PS. Një variant sipas të cilit vezët erdhën në sallë nga deputetët e PS, të cilët nuk kontrollohen nga garda, siç ndodh zakonisht me deputetët e opozitës. Nëse kjo është e vërtetë, në “kotecin” e PS sapo ka nisur sherri i fortë mes gjelave. Sherre të tilla në partinë më të madhe në pushtet, zakonisht nuk përfundojnë me thyerje vezësh, por me “thyerje kokash”.
Qamil Xhani