Video editorial i “Koha Jonë”: Ikja e Dvoranit zhbllokon reformën në drejtësi

Video editorial i “Koha Jonë: Ikja e Dvoranit zhbllokon reformën në drejtësi

EDITORIAL/ Ikja e Dvoranit zhbllokon reformën në drejtësi

Pas katër muajsh ndërprerje Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka zhvilluar mbledhjen e radhës, të drejtuar nga gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha. Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dy institucionet që përzgjedhin gjyqtarët e lartë, kanë rifilluar nga puna për plotësimin e vakancave. Institucioni i Presidentit dhe Parlamentit kanë dhënë sot sinjalet e para për bashkëpunim institucional për emërimet e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Nga qëndrimet zyrtare të drejtuesve të institucioneve kryesore, të cilët kanë për detyrë zbatimin e reformës në drejtësi, duket se ngërçi i disa muajve më parë është tejkaluar. Debatet mbi standardet e dyshimta të një pjese të vettingut dhe emërimet politike të rilindjes do vijojnë të shoqërojnë gjithmonë reformën në drejtësi, por ajo që mund të thuhet pas nismave të ditëve të fundit, deri tani, nuk ka bllokim të qëllimshëm të procesit.
Të gjitha këto zhvillime për zbatimin e reformës në drejtësi kanë marrë udhë pas raportit të fundit të Komisionit të Venecias. Venecia u thirr në skenë nga Partia Socialiste dhe Kuvendi për të zgjidhur sherrin mes rilindjes me Presidentin e Republikës për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Dokumenti i ekspertëve të huaj i dha të drejtë kreut të shtetit Ilir Meta në vendimet që ka marrë për gjyqtarët. Mbi të gjitha, ekspertët e Venecias vunë në dukje se ku ishin problemet e kësaj përplasje dhe defektet e reformës në drejtësi. Emri i zyrtari të vetëm që lakohej më shumë në opinionin e Venecias ishte ai i Ardian Dvoranit, kryetar i Gjykatës së Lartë dhe kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Veprimet dhe mos veprimet e tij në krye të KED krijuan një situatë të paprecedentë në historinë e institucioneve shqiptare. I njëjti person që ishte anëtar-kryetar i Gjykatës së Lartë dhe kryetar i KED kishte marrë kompetenca të gjithë pushtetshme duke u bërë ZOT i reformës në drejtësi. Vetëm një person, i mbingarkuar me funksione juridike, a thua Shqipëria nuk kish më gjyqtarë dhe juristë të aftë, zgjidhte emrat për në Gjykatën Kushtetuese, filtronte kandidatët për në Gjykatën e Lartë dhe ndikonte në të gjitha emërimet kyçe të drejtësisë. Këshillin e Emërimeve në Drejtësi e ktheu në një institucion privat, ku nuk dihej se kur zhvilloheshin mbledhje. Madje dhe kur njoftoheshin anëtarët për mbledhjen, nuk thirrjen institucioni i Avokatit të Popullit dhe përfaqësuesit e tjerë. Kulmi arriti me emërimet në Gjykatën Kushtetuese, ku Ardian Dvorani si njeriu i gjithëpushtetshëm i drejtësisë së re, mori de fakto dhe kompetencat e Presidentit të Republikës. Jo vetëm caktoi emrat e kandidatëve që duheshin emëruar sipas shijeve politike të rilindjes, por dërgoi me vonesë listat dhe i tha Presidencës së afati i përzgjedhjes kaloi dhe emrin e radhës e cakton KED. Këto dhe marrëzira të tjera juridike janë shpjeguar në mënyrë të qartë në opinionin e Komisionit të Venecias, ku Dvorani nga njeriu i ligjit shfaqet si njeriu më anti-ligj dhe kundër reformës në drejtësi.
Sigurisht, Ardian Dvorani e dinte që po shkelte ligjin dhe nuk i bëri ndërhyrjet për interesa personale. Pas tij qëndrojnë strategët rilindas të kapjes së reformës në drejtësi. Dvorani nuk ishte thjesht individ, por një projekt i PS-së për të kapur gjithë reformën në drejtësi. Deri diku ja arriti të zbatojë kapjen e sistemit. Një pjesë e institucioneve të reja që kemi kanë brenda tyre emra të dalë nga listat politike të Dvoranit. Paditë e kreut të shtetit dhe hetimi i SPAK, nëse do të jetë profesional, do të sqarojnë mekanizimin e dështimit të reformës nga juristi që u katapultua nga rilindja në sistemin e drejtësisë.
Që akuzat ndaj tij ishin të drejta tashmë nuk e thotë më vetëm Venecia, por dhe fakti se pas ikjes së tij nga KED dhe Gjykata e Lartë, procesi i ngritjes së institucioneve të drejtësisë është zhbllokuar. Kjo nuk mjafton për të thënë se reforma është e suksesshme. Nuk mund të thuhet se telashet mbaruan dhe s’ka më “Dvoranë” të tjerë, por të paktën kamikazë politikë rilindas që hiqen si dashnorë të reformës nuk do të dalin më kaq hapur kundër Kushtetutës dhe ligjeve.

SHKARKO APP