Video editorial i ”Koha Jonë”: Luftë në PS, klanet përdorin PD-në
Video editorial i ”Koha Jonë”: Luftë në PS, klanet përdorin PD-në
Luftë në PS, klanet përdorin PD-në!
Nga Daniel Muçaku-
Është e njohur loja se ta fut më keq i joti se sa kundërshtari! Kështu po ndodh edhe në PS prej pak kohësh. Erion Braçe, një njeri skrupuloz dhe i papërzier në aferat e Rilindjes, i vetlarguar apo e hoqën nga kupola qeverisëse, e ka dhënë shenjën se nuk është vasal i kryeministrit Rama. Erion Braçe me sa duket synon të mbetet socialist e jo rilindas. Ndaj flet dhe nuk është dakort me disa praktika në qeverisje dhe në administrimin e PS-së si forcë politike. Ai tha në një status të tij para ca kohësh se “as nuk hyra si hajdut në qeveri dhe as nuk dola si hajdut”.
Ishte thënie me goditje nga të gjitha anët brenda shtëpisë së tij politike, sepse ai e dinte se një klan në PS sajonte intriga dhe ia niste PD-së e disa mediave të saj që ta godisnin Braçen.
Një tjetër emër me shumë integritet dhe pa frikë në hierarkinë socialiste është dhe ish-ministri brendshëm Fatmir Xhafaj. Një socialist 24 karatsh që fitoi vetë në zgjedhjet parlamentare në Tiranë, pavarësisht se e kishin vendosur në “turrën e druve”, te numri 23 ku nuk kishte asnjë shans të fitonte. Por ama Fatmir Xhafaj fitoi dhe tani ka një kredibilitet të lartë në bazën socialiste.
Fatmir Xhafën kur ishte ministër i brendshem e sulmoi Lulzim Basha dhe Sali Berisha, bile kaq fort sa disa grupime në PS fërkonin duart me akuzat monstruoze që bënte selia e PD-së. E verteta, e cila po del me vonëse, por ama po zbardhet, tregon se dikush në PS e donte të pjekur ministrin Fatmir Xhafaj, sapo ky kishte në plan për të arrestuar disa VIP-a nga radhët e PS-së të përzier në grupe kriminale. Sidomos grupin e Elbasanit, ku ishin të përzier edhe politikanë të PS-së.
Por VIP-at e krimit dolën me të fortë se ministri Xhafaj dhe e rrëzuan, pavarësisht se u tha se ai dha dorëheqje. Dorëheqja natyrisht që jepet kur e shikon se të ka rrethuar hordhia e horrave!
Nga PS asokohe nuk bënin zë ose dilte ndonjëherë Taulant Balla, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të PS, sa për të thënë ndonjë gjë, ndërkohë që nuk donin ta mbronin ministrin e tyre të brendshëm. Natën nga PS shkonin letra apo mundet edhe euro me çanta direkt te selia blu e PD-së për të sulmuar ministrin e tyre të brendshëm.
E sakatuan me të gjitha Fatmir Xhafën!
E megjithatë baza e partisë e mbështeti, duke e kthyer në sallën e parlamentit, aty ku nuk e donin këta të Rilindjes.
Në të gjitha rastet u përdor Partia Demokratike për goditje. Pra klanet në PS përdorin partinë opozitare për të dëmtuar njerëzit e tyre në selinë rozë!
Kështu po ndodh prej tre ditësh edhe me Damian Gjiknurin që është në detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Partisë Socialiste. Duke mos qenë në asnjë klan apo grupim në PS, sepse Damiani shikon si Zot në mazhorancë vetem Edi Ramën, edhe ndaj tij po zbatohet e njëjta skemë ogurzezë si me Fatmir Xhafën.
Prej ditësh kanë ngritur një re tymuese se gjoja Gjiknuri si ministër ka shkelur ligjin në punën e një kontrate për gaz në zonën e Cakran-Mollaj të Mallakastrës në qarkun Fier, aty ku sot ka shkuar si drejtues politik Taulant Balla, ish- sekretar i përgjithshëm i PS-së.
Pra sulmohet Damian Gjiknuri nga grupe brenda PS-së që janë të pakënaqur në përzgjedhjen që bëri kryeministri Rama duke zgjedhur pikërisht ish-ministrin Gjiknuri si sekretar të përgjithshëm.
Realisht Gjiknuri po punon me çdo strukturë të PS-së, duke e marrë me kaq pasion punën sa ka bërë ziliqarë brenda kupolës së PS-së. Nuk janë të pa rëndësishëm ata që po e sulmojnë nga selia e PS-së me duart e PD-së.
E njëjta skemë siç përdoren për ministrin Fatmir Xhafaj.
Dhe po të njëjtët njerëz të rëndësishëm në PS po turren këto ditë drejt Damian Gjiknurit. Sot doli partia demokratike në konferencë shtypi kundër tij. Fiks siç dilnin për Fatmir Xhafën, para disa muajve!
Por pas kësaj akuze sekretari përgjithshëm i PS-së, Gjiknuri tha për publikun se ““Në asnjë rast, asnjë metër kub gaz nuk është shitur nga kompania “Albpetrol” sh.a tek kompania CGC. Gazi shoqërues i vendburimit Cakran-Mollaj vazhdon të digjet në atmosferë, pasi nuk ka asnjë kompani apo person të interesuar për blerjen e tij.
Kjo është fiks si historia e atyre që bërtisnin pse nuk bie këmbana e Kishës dhe në fund kuptojne se Kisha nuk kishte fare këmbanë”- theksoi Gjiknuri.
Natyrisht që sejcili përgjigjet për firmat e tij, por kur nuk ka firma, siç thotë pala e akuzuar sot nga PD-ja në koordinim me klanet brenda PS-së, atëhere kjo tregon se diçka jo e mirë I përbashkon grupimet në partitë kundërshtare.
Ajo që lidh urat mes dy brigjeve politike, në dukje kundërshtare, mbeten çantat me euro ose shufrat e floririt që me sa duket kanë dalë në qarkullim këto ditë, të cilat kishin vite fshehur në bodrume!
Edhe Ditmir Bushatin kur ishte ministër jashtëm kështu e sulmuan. Sapo ishte në plan të hiqej si ministër, doli PD-ja me sulme ndaj tij, duke e akuzuar me lloj-lloj akuzash monstruoze.
Por Ditmir Bushati mbeti stoik në parimet e tija socialiste dhe nuk lëvizi asnjëherë ndonëse iu bënë oferta para fushate për kandidat për deputet të një forcë e tretë politike.
Kjo që po del në publik nga Partia Socialiste, ku klanet jashtë linjës zyrtare të partisë, po ngatërrojnë e sulmojnë dynjanë, nëse nuk ndalohet apo priten kokat e atyre që kurdisin, do ta fusin PS-në një lojë ku të gjithë do hanë njeri tjetrin.
Me sa duket PS-ja nuk jeton dot pa prerë koka brenda stanit të tyre, por me hanxharët e Partisë Demokratike!