Video editorial i “Koha Jonë”: Pandemia përkeqësohet, qeveria pa asnjë plan
Shqipëria ka shënuar sot 5 viktima të tjera me koronavirus. Në total numri zyrtar i viktimave, që nga nisja e pandemisë është 205, por shifrat për shumë arsye, besohet se janë më të larta. Ndërkohë po sot janë regjistruar dhe 140 persona të infektuar me COVID-19, duke u renditur në një nga ditët me më shumë infektime. Muaji korrik dhe gusht po rezultojnë me bilancin më negativ nga pandemia edhe pse ekspertët e qeverisë deklaruan se muaji mars do të ishte piku i pandemisë. Vendet përreth nesh nuk e kanë fituar betejën më koronavirus, por në krahasim me Shqipërinë po kalojnë një periudhë normaliteti me virusin, pa rritje të frikshme të kurbës. Përjashto Kosovën, shtetet e tjera kanë arritur t’i mbajnë nën kontroll numrat e pandemisë dhe në bilancin e tyre ka ulje të numrit të viktimave. Krejt e kundërta po ndodh në Shqipëri, ku muajt e fundit kanë sjellë rritje të frikshme të viktimave dhe rasteve të reja.
Mjekët që janë në vijë të parë të kësaj bejteje po bëjnë ç’është e mundur për të përballur situatën alarmante ku ndodhet vendin. Për aq sa është e mundur dhe Ministria e Shëndetësisë ka kanalizuar gjithë buxhetin në funksion të kësaj emergjencë. Por vetëm kaq nuk mjafton. Pandemia nuk është një çështje që u përket vetëm mjekëve apo vetëm Ministrisë së Shëndetësisë. Pikë së pari, duhet që gjithë qeveria duke nisur nga kryeministri të jenë në funksion të emergjencës kombëtare. Nga vendimet e fundit dhe qëndrimet e qeverisë nuk duket se pandemia është prioriteti kryesor i qeverisjes aktuale. Prej kohësh mjekët kërkojnë më shumë investime dhe përgatitjen për më të keqen e mundshme. Jo thjeshtë hapja e spitaleve të reja, por edhe investime në burime njerëzore dhe teknologji të fundit që lidhet me pandeminë. Nuk mund të themi që qeveria nuk do, por deri më sot shumë pak gjëra kanë ndryshuar në mënyrën sesi po trajtohen të prekurit me koronavirus. Nga mënyra sesi merren vendimet për pandeminë duket se kabineti “Rama” ka ngelur vetëm në strategjinë e miratuar në muajin mars dhe sillet sikur problemet me virusin kanë marrë fund. Apelet e përditshme për qytetarët që të mbajnë distancën dhe të vendosin maska janë të nevojshme nga qeveria, por kjo nuk zgjidh asgjë dhe nuk mund të fajësohen vetëm qytetarët për rritjen e numrave të pandemisë.
Pandemia nuk do të ikë vet si me magji dhe parashikimet për vjeshtën dhe dimrin nuk janë aspak optimiste. Gjasat janë që koronavirusi i rrezikshëm dhe viruset e zakonshme të gripit të shkaktojnë më shumë fatalitete se zakonisht dhe një skenar i tillë duhet të mbante gjithë kohës në alarm qeverinë. Për këtë pjesë Ministria e Shëndetësisë thotë se ka marrë masat, por kjo nuk është çështje vetëm e ministrisë së linjës. Qeverisë i duhet një plan afagjatë shëndetësorë dhe ekonomik që të përballojë situatën alarmante që po kalon aktualisht dhe mund të kalojë në të ardhmen vendi. Sepse pandemia nuk ka lënë pas vetëm viktima dhe qytetarë me probleme shëndetësore, por ka intubuar dhe ekonominë e vendit. Bilancet aktuale të biznesit dhe zhvillimit ekonomik flasin për një nga vitet më të keq financiar të Shqipërisë. Krahasimi nuk po bëhet me qeverisjet paraardhëse, por me vitin e kolapsit financiar 1997. Kriza e pandemisë, së bashku me krizën financiare janë sot kërcënimi më i madh i qytetarëve dhe kjo situatë duhet trajtuar si një rrezik kombëtar. As pandemia dhe as kriza ekonomike nuk zgjidhen vet. Qeveria jo vetëm nuk po bën asgjë, çfarë është dhe më shqetësuesja nuk ka asnjë plan për të ardhmen.