Video editorial i “Koha Jonë”: Ushtria e të varfërve që pret shpëtim nga opozita
Video editorial i “Koha Jonë”: Ushtria e të varfërve që pret shpëtim nga opozita
Pandemia e koronavirusit dhe kriza ekonomike që po e shoqëron atë ka efektet e një cunami financiar në jetën e qytetarëve shqiptarë. Një raport i organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNDP) jep të dhëna alarmante për zhvillimet ekonomike. Si pasojë e krizës COVID-19 dhe keqqeverisjes së një mazhorance të mbytur në borxhe, numri i qytetarëve shqiptarë që mund të hyjnë këtë vit zyrtarisht në varfëri është rreth 230 mijë. Kjo shifër e frikshme i shtohet edhe rreth 200 mijë shqiptarëve të tjerë që jetonin në kushtet e mbijetesës. Pra, parashikimet e zymta thonë se janë rreth 500 mijë shqiptarë që këto vite kanë hyrë në zonën gri të luftës për bukën e gojës, në kuptimin e plotë që ka kjo fjalë. Koncepti i varfërisë për ndërkombëtarët llogaritet mbi një bazë të thjeshtë. Për OKB-në dhe institucionet e tjera, i varfër quhet një person që ushqehet, vishet, kurohet, arsimohet dhe jeton me më pak se 5.5 dollarë në ditë. Ky është standardi ndërkombëtar që mat varfërinë, por nëse kësaj njësie matje i shtojmë të dhënat fiktive që përdorin institucionet tona, gjasat janë që gjysma e popullsisë të jetë në kufijtë e varfërisë ekstreme. Gjithsesi, shifra prej gati 500 mijë është një ushtri të varfërish që në vitin 2020 e shënjon Shqipërinë si vend të Botës së Tretë. Rritja e varfërisë na tregon se në 30 vite pluralizëm shumë pak gjëra kanë ndryshuar për shqiptarët. Gati gjysma e tyre jeton në varfëri dhe më shumë se gjysma duan të ikin nga sytë këmbët nga ky vend. Të vetmit që nuk shohin mizerjen që ka rrethuar qytetet dhe fshatrat shqiptarë janë elita rilindëse e dehur nga pushteti dhe zullumet. Këta të fundit, e njohin realitetin vetëm nga fotot e qytetarëve në Instagram dhe Facebook ose shohin zhvillimin ekonomik nga resortet luksoze ku jetojnë 365 ditët e vitit. Nga rrjetet e rrejshme sociale dhe mediat që transmetojnë spektakle kabare, të një Shqipërie që nuk ekziston, vendi mund të duket bukur. Por jashtë syve të mediave miope dhe larg tendave të vilave luksoze është një tjetër Shqipëri. Është një Shqipëri që ulëret nga skamja dhe askush nuk e dëgjon. Një Shqipëri që mpaket çdo ditë dhe të vetmen forcë reagimi ka arratisjen nga ky vend, siç bënte dikur para viteve ’90.
Ka vetëm një ditë kur kryesisht rilindja kujtohet për këtë ushtri qytetarësh dhe ajo është dita e votimeve. Në atë ditë hapen thasët me para dhe hallexhinjëve, të përbuzurve dhe përjashtuarve nga pushteti u merret vota me 20, 30 apo në rastet më të mira 50 euro. Kaq është kontrata e pushtetit me varfërinë. I jep ca qindarka ose miell e makarona një herë në 4 vjet dhe më pas nuk i hedh më sytë nga ushtria dërrmuar e Shqipërisë së varfër. Këto vota, bashkë me manipulimet, ndajnë peshoren e pushtetit dhe sado lekë të hidhen për një ditë, nuk janë asnjëherë shumë përballë miliardave të koncesioneve, vjedhjeve dhe pisllëqeve që siguron pushteti në 4 vjet. Ndaj dhe zgjedhjet këtu nuk kanë programe, nuk kanë ide dhe fitohen me çitjane dhe batuta tepsie. Sepse në fund, të varfrit blihen me pak lekë dhe kush ka barkun bosh nuk ka dëshirë të dëgjojë muzikën bajate politike. Kjo shëmti elektorale dhe tallje me varfërinë e shqiptarëve duhet të marrë fund. Beteja e kryesore e opozitës është që ushtrisë së të varfëve që ndodhet në çdo cep të Shqipërisë t’i kthejë shpresën dhe dinjitetin. Jo duke kopjuar rilindjen dhe as duke përdorur skemat e jashtëligjshme të saj. Tallja dhe njëherë tjetër me Shqipërinë e varfër do të ishte falimentim. Opozitës i duhet të prijë me program, ide dhe shpresë këtë ushtri votuesish dhe qytetarësh dinjitoz për të bërë ndryshimin kombëtar. KJ