Vizitë historike te arbëreshët e Italisë, 550 vjet ruajtën fjalën dhe shpirtin shqiptar
-Për herë të parë presidentët e dy shteteve, kreu i shtetit shqiptar Ilir Meta dhe atij italian, Serxho Mattarella vizitojnë komunitetin e arbëreshëve në Kalabri. Kryetari i shtetit shqiptar pritet me flamuj shqiptar e italian dhe me entuziazëm.
-Presidenti Ilir Meta u shpreh se “Skënderbeu na bashkon të gjithëve ne shqiptarëve kudo në botë! Prandaj ne u jemi mirënjohës motrave dhe vëllezërve tanë arbëreshë që e ruajtën këtë figurë të lavdishme dhe bëmat e tij. Komuniteti arbëresh mbetet sot ruajtësi i vetëm i gjuhës që Skënderbeu dhe bashkëluftëtarët e tij patën folur gjashtëqind vjet më parë”.
Vizita e djeshme e Presidentit Ilir Meta te arbëreshët në Kalabri të Italisë i ka të gjithë elementët e një ngjarje historike. Për herë të parë në historinë më shumë se 550-vjeçare të komunitetit arbëresh në Itali, në ceremoni morën pjesë autoritetet më të larta të shtetit shqiptar dhe atij italian. Për herë të parë, figura e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u nderua nga presidentët e dy vendeve, Presidenti Ilir Meta dhe Presidenti italian Serxho Mattarella. Mediat kombëtare dhe ato rajonale të Italisë, si dhe vetë banorët arbëreshë të komunave i cilësuan ceremonitë e djeshme si një ngjarje të papërsëritshme. Me mijëra arbëreshë të Kalabrisë dhe arbëreshë që jetojnë në zonat e tjera të Italisë ishin dje të pranishëm në ceremoninë e takimit të dy presidentëve dhe ceremonive për Skënderbeun. Pritja që arbëreshët e Italisë u rezervuan dy presidentëve ishte e jashtëzakonshme.
Simbolika që ishte zgjedhur nga dy presidentët për takimin e tyre ishte tejet domethënëse. Dy krerët e shtetit u takuan në Kolegjin e “Shën Adrianit” në Shën Mitër Korona të Kalabrisë. Në këtë komunë është qendra historike dhe kulturore e arbëreshëve. Kolegji i “Shën Adrianit” është instituti arsimor dhe kulturor që cilësohet si djepi i kulturës arbëreshe, ku kanë studiuar intelektualë dhe patriotë që kanë lënë gjurmë në historinë e rilindjes kombëtare, si Jeronim De Rada, Luigj Gurakuqi dhe shumë e shumë të tjerë. Po ky kolegj, i hapur në vitin 1732 nga kisha arbëreshe, do të nxirrte dhe një numër të madh intelektualësh dhe politikanësh që kanë vendin e nderit në historinë e shtetit italian. Për këto arsye, takimi në këtë vend i dy presidentëve kishte simbolikën e kontributit që arbëreshët kanë dhënë jo vetëm për vendin amë, Shqipërinë, por edhe për vendit që ata i mikëpriti Italinë.
Gjatë fjalës së tij, Presidenti Ilir Meta theksoi kontributin e paçmuar që arbëreshët kanë dhënë për kombin, si dhe faktin që pas 550 vjetësh ky komunitet vijon të ruajë thesaret e gjuhës dhe kulturës shqiptare. Në mesazhet e të dy presidentëve, një vend të rëndësishëm zuri figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, figura e të cilit është ruajtur në mënyrë unikale nga arbëreshët. Presidenti Ilir Meta u shpreh se “Skënderbeu na bashkon të gjithëve ne shqiptarëve kudo në botë! Prandaj ne u jemi mirënjohës motrave dhe vëllezërve tanë arbëreshë që e ruajtën këtë figurë të lavdishme dhe bëmat e tij. Komuniteti arbëresh mbetet sot ruajtësi i vetëm i gjuhës që Skënderbeu dhe bashkëluftëtarët e tij patën folur gjashtëqind vjet më parë”,- tha Presidenti Ilir Meta.
Kreu i shtetit italian në fjalën e tij për të pranishmit duke treguar shenjë vlerësimit përdori disa fjalë arbërisht. Duke folur për lidhjet mes Shqipërisë dhe Italisë, Mattarella u shpreh se arbëreshët kanë ndërtuar në mënyrë konkrete raporte vllazërie “vëllamja (arbërisht)” mes dy popujve. Kreu i shtetit italian theksoi dhe kontributin që arbëreshët kanë dhënë për shtetin italian, duke përmendur dy prej emrave më të njohur, Francesko Crispi, dy herë kryeministër i Italisë në 1890 dhe filozofin e majtë, Antonio Gramshi.
Në fjalimin e kreut të shtetit Italian, në ceremonitë për Skënderbeun, nuk munguan dhe mesazhet e forta për Integrimin e Shqipërisë. Duke përdor vargjet e Pashko Vasës, ai iu referua figurës së Heroit Kombëtar duke theksuar se vepra e tij mbart vlera që nuk janë të rëndësishme vetëm për Shqipërinë, por edhe për Europën. “Figura Skënderbeut na transmeton një mesazh me rëndësi të jashtëzakonshme, jo vetëm për Shqipërinë, vend multikulturor dhe multifetar në të cilin sipas Pashko Vasës feja e vetme është “Shqiptaria”, por edhe për Italinë, për Ballkanin dhe për të gjithë kontinentin europian”,- deklaroi Presidenti i Italisë, Serxho Mattarela.
Vizita e Ilir Metës ishte realisht historike sepse preku ndjenjën historike dhe atdhetare të arberëshëve, të cilët kanë ruajtur prej 550 vitesh fjalën dhe zemrën shqipe.