Vlorë, ujë dhe pranga

 

Kryetari i Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika është arrestuar dje nga policia . Gjika akuzohet për “shpërdorim detyre”, “ndërtim të paligjshëm”, “falsifikim dokumentesh” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Për të njëjtat akuza, dy muaj e gjysmë më parë, Gjika u shpall i pafajshëm nga Gjykata pas disa seancave maratonë që nisën në Vlorë dhe përfunduan në Tiranë. Bashkë me Gjikën, prokurori i ri i Vlorës, Ramadan Troci urdhëroi edhe arrestimin e shefes së Urbanistikës në bashkinë e Vlorës, Doriana Sulaj dhe ndërtuesin Artur Haxhi. Prokurori Troci është ai që firmosi arrestimin e ish-Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani. Një prokuror me kurajo që nuk pyet për emrin e politikanit apo zyrtarit të lartë që shkel ligjin. Sipas akuzave të Prokurorisë, Gjika dhe vartësja e tij, Doriana Sulaj kanë firmosur 4 dokumente të falsifikuara, të cilat bënë të mundur ndërtimin e një pallati 11-katësh për llogari të biznesmenit Artur Haxhi. Hetimet e Prokurorisë së Vlorës nisën në tetor të vitit 2013. Ndërsa leja e dyshuar si e falsifikuar e pallatit është dhënë  në vitin 2011. Gjika u arrestua dje në banesën e tij afër zonës së Ujit të Ftohtë në Vlorë, pas urdhrit të dhënë nga prokurori Ramadan Troci.Siç më sipër  Prokuror Troci është i njëjti prokuror që urdhëroi arrestimin e ish-Guverantorit Ardian Fullani për hetimin e skandalit të vjedhjes së 7.4 milionë dollarëve në Bankën e Shqipërisë. Akuza që ka rënduar më tepër pozicionin e Gjikës është ajo e pengimit të hetimeve për zbardhjen e së vërtetës. Nga hetimet rezulton se leja e dhënë në vitin 2011 nuk ka kaluar në protokollin e mbledhjeve të Këshillit të Territorit, Vlorë. Prokurorët kanë kërkuar sekuestrimin e librit të protokollit të mbledhjes së Këshillit të Territorit, por ky dokument nuk u është dhënë nga kryebashkiaku Gjika. Kjo ka bërë që të kërkohet nga gjykatat vendimi për hedhjen e prangave për herë të dytë ndaj kreut të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika.

Me vendimin e djeshëm të Gjykatës, Gjika duket se në mënyrë zyrtare i ka thënë përfundimisht ‘lamtumirë’ kandidimit për zgjedhjet e ardhshme. Ky zhvillim u ka dhënë zë dhe disa varianteve ekstraligjore, që e lidhin arrestimin e Gjikës me prishjen e marrëdhënieve të tij me kryeministrin Edi Rama. Që Gjika dhe Rama kanë kohë që nuk kanë marrëdhënie të mira, kjo është diçka që dihej publikisht. Po ashtu dihej që deputeti i Vlorës, Koço Kokëdhima ka pasur konflikte të shpeshta me kreun e Bashkisë së Vlorës dhe po lobon për zgjedhjen e drejtuesve të rinj lokalë të PS-së. Teoria e arrestimit për motive politike është sa naive, aq dhe e dëmshme për imazhin e kreut të qeverisë. Për të shmangur kandidimin e tij në Vlorë, Rama nuk ka pasur nevojë të fusë në burg Gjikën, pasi mjafton një mbledhje forumesh të PS-së dhe ky problem zgjidhet. Tek e fundit, Gjika nuk është i vetmi që nuk do rikandidohet dhe lënia e mandatit nuk ka pse shihet si diçka “asgjësuese” për kryebashkiakët. Kështu që edhe ky variant i përhapur nga Vlora e i ardhur mbrëmë në Tiranë bie pasi nuk kishte pse ta shiste kryeministri, aq me tepër kur dihet se Prokurori Troci është një zyrtar i Prokurorisë së Republikës që nuk njeh asnjë forcë,përveç ligjit.

Rasti “Gjika” meriton të shihet si një hap i ri i drejtësisë dhe konkretisht i Prokurorisë. Organi i akuzës është akuzuar shpesh se ka lejuar mbylljen e dosjeve të mëdha pas vendimeve të gjykatave. Pas arrestimeve të bujshme dhe disa muaj hetimesh, “peshqit” e mëdhenj kanë dalë të pafajshëm nga Gjykata. Në fund, akuzat e mediave dhe të vetë politikës janë lëshuar mbi zyrën e Kryeprokurorit. Gjykata thotë: Prokuroria nuk solli prova dhe e liruam. Më pas, politika e majtë apo e djathtë, sipas parimit se drejtësia foli, nxitojnë të sulmojnë prokurorinë si të paaftë. Rasti “Gjika” është një nga shembujt e tillë. Pas një hetimi prej dy vitesh, Prokuroria kërkoi arrestimin dhe dënimin e Gjikës me 4 vjet burg. Gjykata e Vlorës ia la “topin” në derë Gjykatës së Tiranës dhe kjo e fundit pas disa seancash e shpalli të pafajshëm. Argumenti i Gjykatës në vendimin e dhënë më datën 14 nëntor ishte se Prokuroria nuk provoi akuzat. Derisa gjykata foli, si rregull askush nuk mund të komentojë vendimin. Por prova më e mirë e shkeljeve në këtë rast, a nuk është ai pallati 11-katësh në qendër të Vlorë? Rasti “Gjika” nuk është një përplasje mes Gjikës dhe Ramës, apo Prokurorisë dhe mazhorancës. Vendimi i djeshëm  duhet parë si një përplasje e parë e hapur mes Prokurorisë dhe Gjykatave, ku në këtë rast e në shumë raste Prokuroria kërkon ndëshkimin e të korruptuarve dhe krimit, ndërsa gjykatësit marrin rryshfete dhe i lirojnë. E mira është që Prokuroria të vihet në ndjekje të një gjykatësi me emër që bën korrupsion dhe ti vërë prangat, por gjithnjë me një tufë faktesh që të mos e nxjerrin prapë gjykatësit. Kryeprokurori Adriatik Llalla ka disa muaj që ka hapur “kutinë e Pandorës” dhe po dërgon në qeli zyrtarë të lartë. Ndaj duhet përkrahur. Nëse kap ndonjë ish-ministër të PD-së dhe ndonjë ministër të mazhorancës së sotme do të hynte në histori.  Prokuroria heton,megjithëse me mungesë fondesh e personeli,por janë gjykatat ato që kanë dështuar dhe mbyllur shumicën e çështjeve kryesore kundër abuzimeve në vend. Bashkë me Gjikën, gjykatat kanë mbyllur edhe dosjet e rreth 20 kryetarëve të tjerë të bashkive dhe komunave, pa llogaritur dosjet ndaj ish-ministrave të kabinetit “Berisha”. Prokuroria ka vendosur të mos heshtë para dosjeve që mbyllen dhe të mos marrë përsipër faturat e dështimit të luftës kundër korrupsionit. Sesa serioze është kjo përplasje, do të shihet edhe nëse prokurorët e tjerë do të kenë kurajën e Ramadan Trocit për të rihapur çështjet ndaj ish-ministrave të akuzuar për korrupsion dhe ndaj zyrtarëve të tjerë të lartë.

Prokuroria ka nevojë për përkrahje morale, pasi atë ligjore e ka, e kësisoj të vendos përfundimisht autoritetin e ligjit dhe të Shtetit mbikëdo që e shkel ligjin.Por ka nevojë për ta reformuar sistemin gjyqësor, sepse një pjesë e gjyqtarëve janë kthyer në pazarxhinjë e matrapazë eurosh, çka e bën vunerabël luftën ndaj korrupsionit.

Dje nga Vlora ,që ishte kryelajm i ditës për përmbytjet, mbërriti edhe lajmi se një Prokuror firmosi arrestimin e kryebashkiakut. Ndërkohë shumë zyrtarë të lartë apo ish-zyrtarë kanë filluar të shikojnë nga dritaret kur kalon rastësisht ndonjë makinë policie nëpër lagjen e tyre!

SHKARKO APP