Vlorë,avioni i drogës dhe policia antidrogë
Një operacion i policisë shqiptare dhe asaj italiane arrestoi tre ditë më parë 14 persona për trafikim të lëndëve narkotike. Grupi i dyshuar kriminal, sipas hetimeve, rezulton se ka pasur disa parcela me hashash në zonën e Vlorës. Transporti i drogës kryhej me një avion të vogël, i cili ishte në pronësi të një prej të arrestuarve. Sipas hetimeve të prokurorisë, përveç tre parcelave me hashash në fshatrat e Vlorës, grupi kriminal kishte projektuar edhe mbjelljen e hashashit në disa zona në Rumani. Një shtrije e tillë e aktivitetit kriminal të grupit ka bërë që hetimet të nisin në Itali dhe të përfundojnë në Vlorë. Pas sinjalizimit nga policia italiane, personat kryesorë të grupit janë vënë nën përgjim për rreth një muaj nga policia shqiptare. Ata janë survejuar edhe gjatë kohës kur shkonin për të parë hashashin e mbjellë. Bashkëpunëtorët e policisë kanë sinjalizuar për çdo veprim të tyre.
Nga përgjimet rezulton se mes bashkëpunëtorëve të grupit është dhe një oficer i lartë i policisë së Vlorës, Vladimir Zanaj, me detyrë shef sektori i personelit. Grupit kriminal iu sekuestruan në Itali 120 kilogramë hashash, por duke parë strukturimin e tij dhe personat e implikuar, dyshohet se aktiviteti i tyre ishte më i hershëm. Gjykata e Krimeve të Rënda dha dje masën e arrestit për personat e arrestuar në Shqipëri, mes të cilëve dhe zyrtarin e policisë, Zanaj. Avokati mbrojtës e cilësoi të paligjshëm arrestimin e tij, por sipas prokurorisë ka prova se efektivi i policisë është i implikuar. Prova kryesore që ka dhënë dje prokuroria është biseda telefonike e përgjuar mes atij që cilësohet si kreu i grupit, Sokol Burhamaj dhe efektivit të policisë. Në bisedën telefonike të zhvilluar më 19 korrik, kur efektivët e policisë në Vlorë kanë ndërmarrë një aksion për të shkatërruar një parcelë me hashash në një fshat të Vlorës. Sapo policia ka mbërritur në parcelat e konsideruara si pronë e grupit kriminal, Sokol Burhamaj është njoftuar nga personat që paguante në fshat për t’u kujdesur për hashashin. Më pas, ai ka marrë në telefon punonjësin e policisë Zanaj dhe e ka pyetur se: “Kush ka shkuar në Ramicë për ta bërë atë punë", duke nënkuptuar aksionin e policisë për shkatërrimin e hashashit. Sipas hetimeve të prokurorisë, përgjimet telefonike tregojnë se zyrtari i policisë Zanaj në këtë bisedë merr përsipër që do të bisedojë për këtë çështje, pasi ka një tjetër në polici që ka shkuar atje. Kjo është biseda që implikon zyrtarin e policisë dhe mbi bazën e këtyre provave është lëshuar urdhër-ndalimi i menjëhershëm për Vladimir Zanajn për shpërdorim detyre. Përfshirja e një efektivi të policisë edhe pse në fazën e dyshimeve, për sa kohë që s’ka vendim të gjykatës, ka vënë në lëvizje Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Policinë e Shtetit. Prokuroria ka nisur hetimet e gjithë aktivitetit të efektivit të policisë në Vlorë, sidomos gjatë aksioneve që janë kryer muajt e fundit kundër mbjelljes së bimëve narkotike. Gjykata dha dje arrest me burg për personat e arrestuar, por jo zyrtarisht mësohet se hetimet pritet të shtrihen dhe në efektivë të tjerë të Policisë së Vlorës që mund të jenë të përfshirë, ose kanë pasur dijeni lidhur me aktivitetin e këtij grupi kriminal. Kjo pasi grupi kriminal, sipas policisë italiane, kishte rreth një vit që kryente aktivitetin në Itali. Emrat kryesorë të grupit të arrestuar rezutojnë se janë të përfshirë dhe në trafikun e kokainës dhe heroinës. Fakti që grupi kishte arritur të blinte dhe një aeroplanë për transportin e drogës tregon se aktiviteti është zhvilluar për një kohë të gjatë. Kjo ka bërë që Prokuroria e Krimeve të Rënda të ngrejë dyshime edhe për persona të tjerë të implikuar në këtë rrejt, dhe pse zyrtarisht nuk ka emra konkretë. Por burime të besueshme tregojnë se janë në përgjim e në rreth të kuq edhe dy efektivë të policisë së Vlorës e një në Tiranë me origjinë nga qyteti bregdetar. Ministri i brendshëm Saimir Tahiri ka urdhëruar sherbimet e hetimit që të mbahen nën mbikqyrje çdo punonjës i antidrogës në polici, sepse dyshohet se rrjetet kriminale kanë bashkëpunëtorë ndër rradhët e policisë.
Nga ana tjetër, arrestimi i këtij grupi ka nxjerrë në pah problemin që ka të bëjë me kontrollin e hapësirës ajrore. Në prill të vitit 2014, në Divjakë u arrestua piloti i një avioni italian që do të kryente transportin e një sasie të konsiderueshme hashashi. Që prej asaj kohe, institucionet e tjera kanë marrë masa shtesë për kontrollin e hapësirës ajrore. Por fakti që një avion iu sekuestrua grupit kriminal që operonte në Vlorë dhe në Brindizi tregon se metoda e transportit nga ajri ende shihet si mundësi nga trafikantët. Por asnjëherë nuk veprojnë pa një bashkëpunim të brëndshëm me strukturat e shtetit. Ose në polici ose në rradhët e drejtorisë së kontrollit të hapësirës ajrore. Këtu janë fokusuar hetimet për gjetjen e rrjetit të bashkëpunëtorëve, pjesmarrës në trafiqe.